0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Sot fëmijë xhelatë të kafshëve, nesër vrasës serialë

Më të lexuarat

Dorina Bilbili

“Vrasësit…shumë herë fillojnë duke vrarë dhe torturuar kafshë kur janë fëmijë”. Robert K. Ressler

Fëmija që sot keqtrajton kafshët, mund të jetë nesër një dhunues grash, një hajdut ose edhe një vrasës serial.

Hulumtime nga e gjithë bota nënvizojnë se keqtrajtimi i kafshëve është hapi i parë në shkallën e dhunës dhe se veprimi mund të jetë parashikues i asaj që mund të ndodhë në të ardhmen.

Kur fëmijët e vegjël i tërheqin bishtin maces ose “shkulin” qimet e qenit për shkak të kuriozitetit, këto mund të jenë momente të mësimdhënies për prindërit ose të rriturit e tjerë për të ndërtuar ndjeshmërinë e fëmijës ndaj kafshëve. Ama kur një fëmijë i çdo moshe tregon mizori të qëllimshme ndaj kafshëve, që përsëritet dhe pa pendim, kjo duhet të merret shumë seriozisht.

E frikshme skena që të gjithë pamë në rrjet, se si një 14-vjeçar masakron me sëpatë tërë gjakftohtësi qenin. E të tjera raste, kur adoleshentë stërvisin kafshë për t’u ndeshur barbarisht me njëri-tjetrin. Skena lemëritëse që nuk kanë lidhje aspak me filmat “Junior”, por janë të denjë për dosjet e FBI-së. Adoleshentë që rrahin mësuesit në orën e edukimit, adoleshentë që më shpejt i ngulin thikën shokut se “pastrojnë hundët”, adoleshentë që kërcënojnë si ‘stalker’ (përndjekës) shoqet, që keqtrajtojnë këdo që u del para… Për të gjitha këto sjellje abuzimi me kafshët mund të jetë një nga ato shenja paralajmëruese.

Pasi na rrënqethi ajo video alarmi, po gëlon thirrja online ku i kërkohet institucioneve ndëshkim i keqtrajtuesve të kafshëve. Profilizimi penal i dhunuesve apo vrasësve të kafshëve është me rëndësi kapitale, pasi mjafton të themi se FBI ka krijuar edhe seksione të veçanta të policisë që identifikojnë një lidhje midis sjelljes dhe incidenteve të devijimit social dhe krimit. Sipas tyre keqtrajtimi i kafshëve është një nga treguesit i thjeshtë të rrezikut për “Top Crime”.

Studimet e kryera në burgje nxorën në dritë se të burgosurit që në fëmijëri dhe në adoleshencë kishin masakruar dhe dhunuar kafshë, rezultonin të ishin partnerë abuzive, anëtarë të krimit të organizuar dhe bandave kriminale, mashtrues, rrëmbyes, njerëz me çrregullime të sjelljes dhe çrregullime antisociale, individë të varur ndaj abuzimit dhe trafikimit të drogave, etj.

“100% e vrasjeve me sfond seksual kanë pasur keqtrajtim të mëparshëm në kafshë”(Rangers, 26 prill 2005).

Abuzimi me kafshët është shpesh manifestimi i parë i trazirave serioze emocionale që mund të përshkallëzohen në dhunë ekstreme, siç është vrasja në masë. Por fatkeqësisht, në vendin tonë vëmendja ndaj kësaj shpesh nënvlerësohet. Krimet ndaj kafshëve perceptohen si “të vogla”, pasi s’janë kategorizuar siç duhet. Andaj lipset ndërhyrje për parandalimin dhe për kontrollin e dhunës dhe krimit në kafshë.

Raporti i Global Status mbi parandalimin e dhunës në vitin 2014, tregon se sjellja antisociale shkakton më shumë se 1.3 milionë jetë të humbur çdo vit.

Çfarë mund të bëhet?

Në shumë vende, shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe grupet e mirëqenies së kafshëve janë duke u trajnuar së bashku për të njohur dhe raportuar viktimat. Disa shtete po detyrojnë vlerësimin dhe këshillimin për individët e dënuar për abuzim me kafshët. Sepse kur mbajmë kafshët të sigurta, ne gjithashtu ndihmojmë që fëmijët dhe të rriturit të jenë të sigurtë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit