Shumica e amerikanëve besojnë se presidenti Donald Trump po ndikon në thellimin e përçarjeve mes amerikanëve, në vend që të kontribuojë për unitetin e vendit.
Një sondazh i realizuar nga Universiteti “Quinnipiac” tregon se, 62% e të intervistuarve besojnë se presidenti po i përkeqëson ndasitë në vend, ndërsa 31% mendojnë të kundërtën.
Sondazhi pasqyron përshtypjen e përgjithshme pas trazirave në Charlottesville të Virxhinias, ku një grua gjeti vdekjen pasi e shtypi me makinë një supremacist i bardhë.
Reagimet e Trumpit lidhur me ngjarjen nxitën kritikat e shumë segmenteve në shoqërinë amerikane, që kundërshtuan hezitimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë për t’ia vënë fajin një pale të caktuar për incidentet.
Presidenti ka thënë disa herë se dënon grupet e ekstremit të djathtë, por ai u bë objekt kritikash, kur pas vdekjes së një protestueseje si pasojë e sulmit me makinë nga supremacistët e bardhë u shpreh se kishte shumë palë të përfshira në incident.
Rreth 59% e të intervistuarve në sondazh besojnë se sjellja e presidentit u ka dhënë zemër supremacistëve të bardhë, 35% mendojnë se sjellja e tij nuk ka ndikuar, ndërsa vetëm 3% thonë se me fjalët e tij presidenti ka ndikuar negativisht te supremacistët e bardhë.
Ndërkohë, sipas anketës, 39 për qind e votuesve duan heqjen e statujave të Konfederatës, por 50% nuk janë dakord, ndërsa 10% nuk janë të sigurtë.
Një tjeter sondazh i revistës “The Economist” dhe faqja informative “YouGov” tregon se 48% e pjesëmarrësve nuk duan heqjen e statujës së Robert E. Lee nga parku në Charlottesville, ndërsa 30% janë pro heqjes së saj.