Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka incizuar mesazhin për fundvit, në të cilin thotë se mbikëqyrja masive, e bërë publike nga dokumentet që ka zbuluar ai, duhet të ndalojë.
Mesazhi është incizuar për televizionin Channel 4 të Britanisë, i cili për vite ka transmetuar mesazhe të ndryshme me atë të Mbretëreshës, që transmetohet nga televizionet e tjera britanike.
Mesazhi i Snowdenit do të transmetohet në orën 16:15, sipas kohës në Britani, dhe është filmuar në Rusi, ku Snowdenit i është siguruar azil i përkohshëm.
Në fragmentet e lëshuara para transmetimit, Snowden ka thënë:
“Një fëmijë i rritur sot, rritet pa konceptimin e privatësisë”.
Ish-kontraktori i Agjencisë për Siguri Kombëtare të SHBA-së ka tronditur këtë vit gjithë botën, kur ka zbuluar dokumente që flasin për shkallën e përgjimit elektronik nga Uashingtoni.