Rozacea është një sëmundje kronike, relativisht e shpeshtë e lëkurës që karakterizohet nga skuqje të fytyrës me ose pa puçra të vogla të kuqe ose me pus (qelb) të mbivendosura. Shkaqet e sëmundjes janë ende të panjohura.
Shenjat kryesore të sëmundjes janë:
Skuqje e fytyrës e lokalizuar kryesisht në pjesën qendrore të saj. Enët e vogla të gjakut në hundë e faqe zgjerohen dhe bëhen të dukshme.
Papula ose puçra të kuqe dhe me qelb që ngjasojnë me elementët e aknes. Lëkura është e nxehtë dhe e ndjeshme.
Probleme të syve: tharje, konjuktivit, blefarit (kapakët e syve mund të jenë të skuqur, të enjtur e të irrituar). Rreth 58 % e pacientëve të diagnostikuar me rozacea kanë prekje të syve. Në disa raste shenjat e prekjes të syve mund të paraprijnë ato në lëkurë.
Ndryshime në hundë: trashje e lëkurës së hundës (rhinophyma) si pasojë e hipertrofisë së gjendrave të yndyrës. Shfaqet në raste të ralla e më të rënda, zhvillohet me kalimin e viteve dhe prek më shpesh pacientët meshkuj.
Çfarë duhet të kemi parasysh:
Evitimi i faktorëve që agravojnë sëmundjen
Aplikimi i kremit mbrojtës nga dielli me filtër më të madh se 30
Gjatë stinës të dimrit: mbrojtje e fytyrës me një shall në rast ekspozimi ndaj temperaturave të ulta dhe vendosja e temperaturave jo shumë të larta në ambjentet e brendshme.
Përdorimi i larësve delikat
Evitimi i produkteve të përkujdesjes së përditshme që përmbajnë alkool apo substanca irrituese.