8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Skepticizëm brenda BE-së për liberalizim vizash?

Më të lexuarat

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës presin rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave, pavarësisht se rekomandimi për këtë proces tashmë është pritur të ndodhë.

Mospublikimi i rekomandimit nga Brukseli, në Prishtinë më shumë po shihet si procedurë që ndërlidhet me Bashkimin Evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se rekomandimi pritet të dalë shpejtë, pasi siç thotë ajo, kështu u është thënë nga zyrtarët në Bruksel.

Megjithatë, ajo shton se tanimë kjo është një çështje që mbetet në duart e institucioneve të BE-së, derisa Kosova ka punuar në plotësimin e kritereve.

“Unë pres që puna e madhe që është bërë që nga pranimi i udhërrëfyesit prej 95 kriteresh, të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe pa vonesa dhe që rekomandimi të reflektojë punën e madhe që është bërë. Për ne është me rëndësi që rekomandimi të reflektojë tërë këtë punë, pra plotësimin e 95 kritereve dhe të dalë para pushimeve verore. Ne si institucione jemi të përkushtuar dhe të angazhuar që reformat e agjendës së integrimit evropian të vazhdojnë dhe të përshpejtohen pavarësisht procesit të liberalizimit të vizave”, tha ministrja Hoxha.

Ndërkaq, analistët politikë, njohës të procesit integrues evropian thonë se rekomandimi mund të jetë pozitiv, por ka pak gjasa që Kosova sivjet të përfshihet në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza.

Taulant Kryeziu, njohës i çështjeve të integrimit evropian duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se ka disa zhvillime të cilat mund t’ia vështirësojnë Kosovës marrjen e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti.

Sipas tij, Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit lartë. Ndërkaq edhe brenda BE-së, sipas Kryeziut, ka një mjedisin jashtëzakonisht negativ politik për çështje të migrimit.

“Pres që raporti të jetë pozitiv dhe Komisioni të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, nuk duhet harruar një gjë se raporti është pjesa teknike e procesit i cili kërkon një vendimmarrje politike në Këshill, aty ku unë pres rezistencë të fuqishme politike të disa prej vendeve anëtare, siç janë Franca, Gjermania dhe Holanda”.

“Në fund, dua të nënvizoj që mosliberalizimi eventual i vizave me BE-në, do të jetë edhe një mesazh i qartë dhe i fuqishëm i BE-së për klasën politike në Kosovë, për të reflektuar në drejtim të një qeverisje në të mirë të qytetarit, ku sundimi i së drejtës është kryefjala e procesit”, tha Kryeziu.

Në anën tjetër edhe Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, tha se Kosova ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian iu mbetet të marrin masa dhe të veprojnë konform këtij rekomandimi.

“Ka qenë edhe deklarata e Komisionerit për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn,që mendoj se është një deklaratë inkurajuese që e konfirmon që Kosova shumë shpejtë do të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave. Mendoj që Kosova do ta marrë këtë rekomandim për shkak të përmbushjes së kritereve që i ka bërë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”.

“Natyrisht që tash e gjithë puna mbetet te Komisioni Evropian, meqë ne si shtet dhe institucione i kemi përmbushur obligimet tona. Ne do ta vazhdojmë rrugën tonë dhe përkushtimin tonë institucional që të punojmë në proceset e tjera integruese, por besoj se rekomandimi do te jetë pozitiv dhe mbetet çështje e Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian, të marrin masa dhe të veprojnë konform këtij rekomandimi’’, tha Deliu-Kodra.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se në aspektin institucional, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, por ai ka potencuar faktin se shihet skepticizëm brenda vet Bashkimit Evropian.

“Kjo ka qenë arsyeja pse kam ndërmarrë hapat për vizita. Skepticizmi brenda vet Bashkimit Evropian vjen për shkak të situatës e cila është në rend të parë tanimë publike: mosmarrëveshjet të cilat janë brenda BE-së mbi formën e zgjerimit të BE-së dhe funksionit të vet Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Veseli.

Fillimisht nga Brukseli ishte premtuar që nga fundi i qershorit apo fillimi i korrikut Komisioni Evropian të dalë me rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjet nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit