Një i dyshuar, 35 vjeçar, banor i një fshati të komunës së Skenderajt, është arrestuar nga policia mbi bazë të dyshimit të arsyeshëm të përfshirjes së tij në së paku një rast të sulmit dhe ngacmimit seksual ndaj një të mituri.
I dyshuari është arrestuar pas regjistrimit të rastit të iniciuar nga familjarët e viktimës, të cilët kishin njoftuar policinë për veprime të dyshimta përkatësisht ngacmim seksual ndaj fëmijës së tyre.
Në bazë të deklaratës së siguruar nga viktima, thuhet se i njëjti ishte ngacmuar seksualisht në veturën e të dyshuarit, i cili paraprakisht i kishte ofruar shërbim të transportit nga shkolla deri në shtëpinë e tij, në një fshat të Skenderajt.
Besohet se viktima ka arritur që t’i shmanget sulmuesit të tij, pasi i dyshuari kishte ndaluar veturën në një lokacion rural ndërsa viktima ka arritur të ikë nga vetura duke u arratisur në një zonë malore.
I dyshuari i arrestuar, me vendim të prokurorit publik të qarkut, është ndaluar në lokalet policore për mbajtje ndërsa hetuesit policor kanë ndërmarrë veprimet e mëtejme të përcaktuara me procedurën penale.
“Në bazë të hetimeve preliminare besohet se ka elemente të mjaftueshme të përcaktimit të veprës penale dhe zhvillim të hetimeve të mëtejme të rastit të “ngacmimit dhe sulmit seksual”. Hetuesit policor besojnë se i dyshuari i arrestuar mund të jetë një recidivist i veprave të panatyrshme dhe sulmeve seksuale ndaj të miturve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Informatat lidhur me lokacionin, vendin e incidentit, identitetin e personave të përfshirë në rast, nuk janë bërë të ditura për shkak të rruajtjes së identitetit të viktimës dhe vetë ndjeshmërisë së rastit.
“Me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të sulmuesve të këtillë, por në radhë të parë, parandalimit të viktimizimit të personave të tjerë, Policia u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim të ngushtë dhe konfidencial, lidhur me natyrën e rasteve të këtilla”, thuhet në kumtesë.