Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore identifikon të paktën 80 shoqëri të palicencuara brokerimi që drejtojnë operacionet nga Shqipëria, të cilat zhvatin qytetarë të huaj, zhvillojnë evazion fiskal dhe vendosin mijëra të rinj përpara përgjegjësisë ligjore.
Blerta*, 23 vjeç, prej janarit të këtij viti ka çelur një biznes si person fizik me aktivitet “përpunimin e të dhënave kompjuterike”, ndonëse kjo nuk kishte qenë kurrë më parë në planet e saj.
Pas tre vitesh pune si operatore telefonike në një call center në Tiranë – ku reklamonte produkte ushqimore për konsumatorët italianë – ajo iu dorëzua joshjes të ndryshonte profil për fitime më të larta.
Ajo përpiqet të bindë përsëri italianët, por kësaj radhe për të investuar në aksione kompanish, valutë, monedha digjitale, lëndë të para, ar, argjend dhe çdo gjë tjetër të tregtueshme. Shkëmbimet kryen në platforma elektronike, të cilat funksionojnë si bursa online.
Hapja e një biznesi personal dhe atashimi de jure si konsulente e jashtme e kompanisë që i ofroi punësim, platformën dhe infrastrukturën, ku qytetarët që ajo kontakton, kryejnë shkëmbime, ishte një kusht që iu vendos paraprakisht.
Ajo pranoi pa hezitim. Në lojë ishin fitime tepër të larta mujore për tregun e punës në Shqipëri.
“Përfaqësuesit e kompanisë më thanë se çdo muaj do të fitoja rreth 1000 euro.
Isha dyshuese, por që tani kam arritur të fitoj 700 euro në muaj dhe mendoj që shumë shpejt do t`i rris në 1000, madje do i tejkaloj”, – theksoi ajo.
Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore tregon se Blerta është vetëm një nga mijëra të rinj që sot po jetojnë në Shqipëri ëndrrën e fitimeve të mëdha, në një punë ku kërkohet vetëm një gjuhë e huaj dhe aftësia për të qenë bindës.
Qendra ka identifikuar 80 kompani, të cilat aktualisht operojnë në vend si shoqëri brokerimi (shitje dhe blerje e aksioneve të kompanive në emër të klientëve) dhe ofrojnë vazhdimisht vende të lira pune në faqen e internetit njoftime.com.
Por ëndrra merr formën e një makthi, në një kohë kur investigimi provon se të gjitha kompanitë e mësipërme zhvillojnë një aktivitet të palicencuar, evazion fiskal dhe shpesh janë pjesë e skemave të mashtrimit që zhvatin kursimet e qytetarëve anembanë botës.
Dëshmitë e mbledhura nga Qendra tregojnë gjithashtu se këto kompani i ekspozojnë drejtpërdrejt punonjësit e tyre – të regjistruar si biznese – ndaj veprave kriminale të mashtrimit financiar.
Institucionet rregullatore si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë i tregojnë Qendrës se janë në dijeni të fenomenit, ndonëse deri tani nuk rezulton të jenë marrë masa për goditjen e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Policia e Shtetit si institucione të inspektimit u pyetën nga Qendra për fenomenin por nuk u përgjigjen deri në kohën kur ky artikull u publikua.
Një skemë mashtrimi
Gjatë muajve të fundit krijimi i kompanive, të cilat ushtrojnë tregti asetesh në platforma elektronike përmes Shqipërisë, po kthehet në një epidemi. Nëpër rrugët e kryeqytetit vajza dhe djem të rinj bëjnë fushatë të drejtpërdrejtë, agresive rekrutimi.
Faqet e punësimit online kanë krijuar një kategori të veçantë për ata që janë të interesuar të përfshihen në brokerim apo Forex (blerje-shitje e valutës në emër të klientëve).
Në rrjetet sociale fotografi të shkëputura nga pamjet e filmit “The Ëolf of Ëall Street” përdoren për ilustruar punën.
Premtimet janë të njëjta: Pagë minimale 450 deri në 500 euro, mesatarja 700 deri në 1000 euro dhe, nëse ka dedikim dhe talent, atëherë përfitimet financiare nuk kanë kufij.
Dëshmitë e pesë punonjësve apo ish-punonjësve të këtyre kompanive, të marra nga Qendra për Gazetari Cilësore, tregojnë se premtimet për sa i përket pagesës mbahen.
Por, ajo që nuk thuhet me zë të lartë, është fakti se këto shoqëri e ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme.
Bazuar në legjislacionin shqiptar për veprimtaritë financiare, shoqëritë, të cilat zhvillojnë Forex, licencohen nga Banka e Shqipërisë, ndërsa ato që ofrojnë shërbime brokerimi, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF.
Kompanitë e identifikuara nga Qendra i zhvillojnë të dyja aktivitetet në platforma elektronike dhe për pasojë kërkojnë licencimin nga të dyja institucionet.
Në rast se një kompani shqiptare kryen rolin e agjentit të një brokeri të licencuar nga një autoritet rregullator jashtë vendit, atëherë kjo kompani është e detyruar të marrë aprovim në AMF dhe të raportojë periodikisht në këtë institucion.
AMF i tha Qendrës se institucioni ka të licencuara vetëm tri kompani brokerimi që mund të zhvillojnë aktivitet në Shqipëri apo të veprojnë si “agjent” i një brokeri të licencuar jashtë vendit.
Eurotrade Securities, Smartcom dhe Prodata Securities janë të vetmet kompani që kanë të drejtën të zhvillojnë aktivitet brokerimi në Shqipëri apo përmes kësaj të fundit në vendet e huaja.
Kompanitë e tjera, të identifikuara nga Qendra, të cilat “de facto” zhvillojnë shërbime brokerimi dhe Forex, figurojnë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si call center, marketing apo dhe si ofruese të shërbimeve apo konsulencës financiare.
I pyetur nga Qendra, një administrator i kompanisë që rekruton online nën emrin Global IP Center, thekson se ata nuk kanë një licencë në Shqipëri, për shkak se bëjnë vetëm rolin e ndërmjetësuesit të një shoqërie brokerimi në Bullgari.
“Kompania e ka selinë në Sofje… Ne thjesht bëjmë ndërmjetësime, procedurat e pagesës i bëjnë ata atje… Veprimet i kryejmë me internet, nuk ka nevojë për numër NIPT-i këtu në Shqipëri”, – theksoi ai.
Duke zhvilluar aktivitete të ndryshme nga ato të deklaruarat këto kompani bëjnë dukshëm evazion fiskal, por ekspertët e ekonomisë shohin te kjo skemë rreziqe edhe më të mëdha.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thekson se Shqipëria po bëhet pjesë e një skeme ndërkombëtare mashtrimi dhe shoqëritë, të cilat po e përhapin atë, jo vetëm që po bëjnë evazion fiskal, por po i japin vendit një imazh të keq.
Dëshmitë e marra nga Qendra tregojnë se kompanitë shqiptare rekrutojnë deri në 100 vetë për të punuar në bursat online. Secili nga të rekrutuarit i nënshtrohet një trajnimi gati dyjavor në lidhje me pozicionin e punës. Më pas ata ndahen në tre nivele:
Punonjësi i call center-it, i cili i bën ftesën një qytetari për të konsideruar investimin në platformë; ata që marrin përsipër të bëjnë transaksionin financiar me klientin dhe ata që konsiderohen konsulentë financiarë që e këshillojnë atë në hapat që duhet të marrë dhe ku duhet të investojë.
“Kjo skemë është më shumë sesa një rast i evazionit fiskal. Shqipëria është bërë pjesë e një skeme ndërkombëtare të mashtrimit dhe fenomeni po hedh rrënjë të forta në vend”, – thekson ai.
Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të nisin pa humbur kohë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi publik për atë çfarë po ndodh, të fuqizojnë mbikëqyrjen e tij dhe pa humbur kohë të godasin fenomenin.
Vjedhja e qytetarëve të huaj
Kompanitë, të cilat rekrutojnë të rinj shqiptarë si brokera për bursat online, targetojnë klientë të huaj nga shumë vende të botës. Kjo vërehet dhe nga ofrimi i punës në gamë të gjerë gjuhësh si italisht, anglisht, spanjisht deri në portugalisht, arabisht e japonisht.
Ndërkaq, të pestë punonjësit apo ish-punonjësit e rekrutuar nga këto kompani theksuan për Qendrën se në 90 për qind të rasteve ato nuk ishin të licencuara nga asnjë autoritet i ndonjë vendi dhe vepronin në informalitet të plotë.
Kompanitë marrin të drejtën për përdorim të platformave online të brokerimit, i vendosin në faqe interneti, të maskuara si ligjore, për brokerim apo Forex dhe iu kërkojnë klientëve të huaj të investojnë pará, të cilat kalojnë në llogari të pagjurmueshme bankare, në parajsa fiskale.
Sa më shumë pará të qarkullojnë klientët në këto platforma, aq më të larta janë shpërblimet për brokerat shqiptarë.
“Kur klienti humbet shumë pará, administratorët nisin menjëherë të festojnë me shampanjë. Bonusi për brokerat që i bindin të investojnë në atë mënyrë, nis nga mijëra euro deri në dhurimin e makinave luksoze”, – tha për qendrën një ish-punonjës i një kompanie të fshehur brokerimi në Tiranë.
Por, në rastet kur klientët fitojnë dhe këmbëngulin të tërheqin në llogaritë e tyre fitimet, operatorët në Shqipëri urdhërohen të shkëpusin komunikimin dhe të zhduken për investitorin përfundimisht.
AMF e njeh këtë praktikë dhe e përshkuan atë si një skemë piramidale.
“Kompani të palicencuara mund të lidhen me kompani që krijohen në territorin e Shqipërisë me aktivitet call center duke marketuar produkte dhe shërbime financiare për klientë jashtë ose brenda territorit të Shqipërisë”, – thekson institucioni në një email, ku i kthehet përgjigje Qendrës për identifikimin e fenomenit.
“Ato mund të rezultojnë në skema “Ponzi” ose “brokera fantazmë”, ku, pasi marrin fondet e investitorëve, zhduken”, – vijon përgjigjja.
Skema e përdorur për mashtrimin e klientëve
Banka e Shqipërisë gjithashtu theksoi për Qendrën se rreziku është i pranishëm në çdo rast kur shoqëri apo individë mund të ushtrojnë veprimtari të palicencuara nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse.
“Duke konsideruar trendin në rritje të tregtimit nëpërmjet platformave elektronike, i rëndësishëm mbetet informimi dhe ndërgjegjësimi në avancë i investitorëve për rreziqet e mundshme, të cilat mund të shoqërohen deri në humbje totale të vlerës së investuar”, – theksohet në një email që Banka dërgoi.
Blerta, roli i së cilës në kompani është të telefonojë qytetarë italianë për të investuar në platformat elektronike, thekson se është e vetëdijshme që është pjesë e një skeme mashtrimi.
“Unë nuk iu tregoj telefonuesve për rreziqet e investimit. Nuk iu tregoj se jemi të palicencuar dhe ç`është më e rëndësishme, që ata do të humbin gjithçka.
Më vjen keq, por kjo është puna ime”, – thekson ajo.
Frika e të rekrutuarve
Dëshmitë e mbledhura nga Qendra tregojnë se të rinjtë shqiptarë e shikojnë punën në kompanitë fantazmë të brokerimit si të përkohshme, si një mundësi për të mbledhur pará, derisa t’iu krijohet mundësia të ndjekin profesionin që duan.
Të joshur nga fitimet e mëdha në fillim, ata mendojnë pak për hapin e marrë.
“Të them të drejtën as nuk e kam vrarë mendjen pse kompania ku punoj më kërkoi të regjistrohem si biznes i vogël. Dua të përfundoj shkollën dhe gjithçka që më intereson janë paratë”, – i tha Qendrës një punonjës i një kompanie.
Por, pas disa muajsh punë në kompani të tilla dhe ndërgjegjësimit të plotë për natyrën e kësaj pune, një pjesë e të rekrutuarve nisin të përballen me frikën mbi pasojat që kjo iniciative mund të ketë tek ata.
“Javët e fundit kemi nisur të mendojmë me shoqet e punës se pse hapëm një biznes në emrin tonë dhe çfarë realisht do të thotë kjo për ne. Kemi frikë se, nëse kompania do të zbulohet për mashtrimet e kryera, do e hedhë fajin te ne”, – theksoi Blerta.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, është i mendimit se detyrimi i punonjësve të hapin një biznes dhe të punojnë si kontraktorë bëhet kryesisht për lehtësi fiskale dhe për të shmangur dyshimet që mund të vijnë nga institucionet tatimore në lidhje me numrin e punonjësve dhe pagat e larta.
Por, sipas tij, ndarja e përgjegjësisë ligjore kundrejt palëve të treta për aktivitetin e paligjshëm është gjithashtu një element i rëndësishëm që i shtyn administratorët të kërkojnë që të rekrutuarit e tyre të regjistrohen si biznes.
Referuar Kodit Penal, mashtrimi me titujt dhe valutën – përhapja e informacionit të rremë për rritjen apo rënien e çmimit apo tregtimi fiktiv i tyre – janë vepra kriminale që dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Në rast se këto vepra kryhen në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohen me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Këto dispozita lënë pak vend për të interpretuar rrezikun real që iu kanoset mijëra të rinjve shqiptarë nga përfshirja në këto veprimtari.
* Emri i vërtetë i punonjëses së kompanisë është mbajtur i fshehtë për arsye sigurie.
Burimi: Qualityjournalism.com.al