Gjatë festës së 1 Majit, në fshatin Ebiplija të Karbincit që shtrihet në territorin e Myftinisë së Shtipit, ka ndodhur një akt sa i pahijshëm aq edhe barbar! Bëhet fjalë për shkatërrimin e varrezave myslimane, në të cilat janë futur qytetarë maqedonasë për pik-nik qejfet e tyre, duke improvizuar zgara me gurët e varrezave dhe duke pjekur me prushin e dërrasave shenjuese të varrezave myslimane. Këtë gjest kriminelësh deri te Myftinia e Shtipit si dhe deri te njësia rajonale e MPB-së e kanë paraqitur Këshilli i xhamisë së fshatit Kuçica, transmeton Gazeta Lajm.
Bashkësia Fetare Islame në RM reagon ashpër si dhe kërkon nga organet kompetente që sa më parë ta ndriçojnë rastin dhe ndaj shkatërruesve të varrezave myslimane të ndërmerren masa të parapara sipas ligjeve përkatëse. Ndryshe, BFI që tani dyshon se 1 Maji mund të kalojë në ditë kur lejohet shkatërrimi i varrezave myslimane dhe, me këtë, të hidhen poshtë të gjitha ato projekte e përpjekje për ruajtjen e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërkonfesionale në vend. Kjo hasdisje e kriminelëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.