Shqiptari Mark Marku është dënuar me 18 vjet heqje lirie në fillim të këtij viti në Greqi për plaçkitje me armë, në një kohë kur ai thuhet se ka qenë në Irlandë.
Ai është i martuar me një shtetase irlandeze, Xhuli Orajli, mësuese e diplomuar në Universitetin e Dublinit në Irlandë.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Rrethimons, në Kretë, në 3 maj të vitit 2010, por sipas “The Sunday Times” është zbuluar se Marku ka qenë faktikisht në Irlandë në atë datë.
24-vjeçari shqiptar u padit për pjesëmarrje në një bandë e cila ka kryer plaçkitje të një dyqani bizhuterish bashkë me nëntë persona të tjerë, vjedhje makinash, armëmbajtje pa leje, si dhe posedim droge.
Paneli prej tre gjyqtarësh e ka shpallur fajtor Markun për të gjitha akuzat, përveç asaj të posedimit të drogës.
Është mësuar se ditën e krimit Marku ka qenë bashkë me gruan e tij në “Co Carlow” të Irlandës dhe ai sapo kishte filluar punë në hotelin “Mount Wolesley”.
Markut iu ofrua puna si kamarier me kohë të pjeseshme si provë, punë të cilën e ka filluar në datën 3 maj, ka konfirmuar menaxheri i përgjithshëm i hotelit Gerry Lavin dhe dokumentat zyrtare të hotelit tregojnë se atij i është dhënë një përqindje shtesë në rrogë për atë ditë pune.
Sipas gruas irlandeze të Markut, Orajli, ai ka udhëtuar për në Kretë tek vëllai i tij në 18 maj, çka vërtetohet nga biletat e avionit. Këto bileta janë paraqitur edhe në proçesin gjyqësor, të cilat janë hedhur poshtë si të falsifikuara.
Gruaja irlandeze e Markut pretendon se burrit të saj nuk iu bë një proçes i ndershëm gjyqësor për shkak të urrejtjes ndaj shqiptarëve në Kretë.
Pak kohë më parë një tjetër shqiptar në Britani u akuza për një vrasje për të cilën ai nuk ishte fajtor pasi ndodhej në Angli në momentin e veprës penale dhe jo në Itali, për të cilën ai u dëmshpërblye./tch/kohaislame