9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Skandalet në polici: Oficeri që i kushtoi 1 milion dollarë shtetit, është ende në detyrë

Më të lexuarat

Kevin Richardson, zëvendëskomisioneri i Zyrës së Avokatit të Departamentit, e cila vendos cilët oficerë do të akuzojë dhe procedojë në gjyqin e brendshëm disiplinor të NYPD, thotë se ligji e ndalonte të bënte komente për raste specifike të oficerëve. Por në përgjithësi, sipas tij, pushimi me kusht e ka një qëllim të vlefshëm.

“Departmenti nuk është i interesuar në largimin e oficerëve që nuk është e nevojshme të largohen. Ne jemi të interesuar t’i mbajmë punonjësit dhe t’i bëjmë ata që të zbatojnë rregullat e të bëjnë gjënë e duhur”, tha ai për BuzzFeed News. “Por kur ka raste që e kuptojmë që një person duhet larguar nga departamenti, kemi treguar gatishmëri ta bëjmë”.

Richardson shton se, që kur u bashkua me departamentin më 2014, ai ka punuar për ta bërë procesin më korrekt dhe rivlerësoi ndëshkimet që u jepeshin oficerëve për shkelje rregullash. Departamenti refuzoi të jepte ndonjë shembull ndëshkimesh që janë ndryshuar apo të dhëna për ta vërtetuar këtë pretendim.

I pyetur për shkelje rregullash nga anëtarët, Gregory Floyd, president i sindikatës që përfaqëson agjentët e sigurisë në shkolla, tha se “kjo është diçka të cilën nuk e aprovojmë”.

Al O’Leary, zëdhënës i Patrolmen’s Benevolent Association, sindikata më e madhe e policisë që përfaqëson oficerët e NYPD, ka një mesazh të ndryshëm: “Nuk kemi për të folur me ju për ndonjë gjë negative përsa u përket oficerëve tanë”.

Ish-detektivi i NYPD, rreshteri Joseph Giacalone, i cili kaloi në kontrollin e brendshëm dy vjet nga karriera e tij mbi 20-vjeçare, tha se “pushimi me kusht supozohet të përdoret për dikë që ka bërë një gabim të madh, por jo me qëllim, thjesht ka bërë një gabim pa e menduar”.

Por, çdo oficer që kapet me shkelje të rënda, si gënjeshtra apo vjedhje e pronës së departamentit, duhet pushuar nga puna, shton Giacalone. “Ata kanë shkelur betimin e bërë”.

“Nuk dua të flas për këtë”

Gjatë gjashtë viteve të parë në detyrë, oficeri Raymond Marrero u akuzua për rrahje mizorisht të një personi, për arrestim të paligjshëm të një tjetri, sulm karshi një të treti dhe fabrikim provash për një të katërt.

Në shkurt 2008, Marrero, oficer në Rajonin 52 në Bronx, trupngjeshur e kokërruar, arrestoi një grua që po e filmonte teksa keqtrajtonte të dashurin e saj. Oficerët i morën telefonin, të cilin nuk ia kthyen më. Ajo u akuzua për pengim të autoriteteve qeveritare, sjellje të padenjë dhe ngacmim, por u lirua nga të gjitha akuzat dhe ngriti padi. Bashkia i pagoi 25 mijë dollarë, pa pranuar ndonjë gabim. Dokumentet disiplinore që zotërn BuzzFeed News nuk përfshijnë ndonjë ndëshkim për Marreron.

Pak muaj më pas, në prill, Marrero u përfshi në një debat të ashpër me një burrë teksa po i vinte gjobë parkimi para një dyqani Toyota në Bronx. Gjyqtari e cilësoi si “të pabesueshëm” shpjegimin e Marreros se pse e arrestoi burrin, i cili nga ana e tij deklaroi se ishte hedhur përtokë dhe gjuajtur me grushta në kokë. Të gjitha akuzat kundër burrit u rrëzuan dhe Bashkia i pagoi 500 mijë dollarë për të tërhequr padinë e tij, pa pranuar ndonjë gabim. Dokumentet disiplinore që zotën BuzzFeed News nuk kanë ndonjë rekord që tregon ndëshkim për Marreron.

Më pas, në fillim të 2009, një ish-vullnetar i departamentit të policisë, i quajtur Louis Deluca, u konfrontua me një burrë, për të cilin mësoi se i kishte futur duart të dashurës 17-vjeçare të vëllait të tij. Burri u largua me shokët e tij, pikërisht në momentin që u shfaq Marrero. “I thashë që aty pranë ishin disa persona që i kishin futur duart një anëtareje të familjes sime”, tregon Deluca.

Marrero dhe partneri i tij i thanë ta qepte gojën. Duke mos u besuar veshëve, Deluca e quajti Marreron p…ë. Offcerët e shtrinë përtokë dhe e arrestuan, sipas padisë që Deluca bëri më vonë.

Në rajon, ndërsa Deluca po dilte nga makina e policisë, Marrero e goditi me shkopin e gomës në kokë, duke i hapur një plagë të madhe. Një tjetër oficer tha se e doli kaq shumë gjak saqë iu desh ta pastronin me leckë. Iu deshën 12 qepje në spital për t’i mbyllur plagën.

Gjatë dëshmisë, Deluca tha se Marrero i kishte thënë “Ti s’mund të na tregosh mungesë respekti në këtë mënyrë në rrugë”. Deluca mori 398 mijë dollarë për tërheqjen e padisë, nga e cila Marrero u urdhërua të paguante katër mijë.

Një vit pas arrestimit të Delucas, Marrero dhe partneri i tij mbanin poshtë një të burgosur të prangosur teksa një oficer tjetër e godiste me shqelma në kokë. Gjatë hetimit nga kontrolli i brendshëm, Marrero dha dëshmi të rremë se askush nga oficerët nuk kishte përdorur forcë fizike.

Deri më 2014, bashkia kishte paguar rreth 900 mijë dollarë si marrëveshje për akuzat e ngritura kundër oficerit Marrero.

Publikisht, as ai dhe as bashkia nuk pranuan të kishin bërë ndonjë gabim.

Por fshehtas, pas një hetimi për arrestimin e Delucas dhe incidentit të shqelmave një vit më pas, Marrero pranoi fajin për shumë akuza të ngritura nga departamenti, përfshirë goditjen e një individi “pa qëllim legjitim policor”, “bërjen e kontakteve të panevojshme fizike” dhe “dhënien e përgjigjeve të pasakta, të paplota dhe kequdhëzuese” hetuesve të departamentit, sipas dokumenteve të zotëruar nga BuzzFeed News.

E megjithatë, komisioneri i NYPD i asaj kohe, Ray Kelly, vendosi që këto nuk ishin arsye për ta shkarkuar. I dhanë paralajmërim dhe mori 45 ditë pushimi.

Marrero është ende efektiv sot, duke u paguar thuajse 120 mijë dollarë për vitin e kaluar. Vazhdon të patrullojë rrugët dhe ka bërë dhjetra arrestime që nga koha kur u shpall fajtor nga departamenti.

BuzzFeed News e pyeti Marreron për historinë e tij disiplinore. Duke folur në telefon, ai tha se e vlerësonte mundësinë që i jepej, por shtoi: “Vërtet që nuk dua të flas për këtë”.

Komisioni për Luftën kundër Korrupsionit në Polici, një organizatë e ngritur më 1995 për të shërbyer si kontroll i jashtëm mbi procesin disiplinor të departamentit, e ka parë rastin e Marreros si pjesë e shqyrtimit të të gjitha çështjeve disiplinore të atij viti. (Raportet e komisionit janë anonime, kështu që nuk e përmendte emrin e Marreros. BuzzFeed News ishte në gjendje ta identifikonte duke përputhur detajet e një arrestimi në janar 2009 me materialet e pushimit me kusht dhe dokumentet e gjyqit nga padia civile e Delucas).

Komisioni kishte përcaktuar se veprimet e Marreros sugjeronin që “atij i mungonte temperamenti i nevojshëm për të qenë oficer policie”. Në vend të pushimit me kusht, thoshte komisioni, ai duhej të ishte pushuar nga puna. Por, komisioni nuk ka autoritet të ndryshojë vendimet e NYPD.

I informuar nga BuzzFeed News se oficeri që e goditi me shkop gome ishte ende efektiv i policisë, Deluca, që nuk është më vullnetar për departamentin, u shokua. “Po talleni më duket. Isha një mijë përqind i sigurt që do ta humbiste vendin e punës”.

Deluca tundi kokën dhe shtoi: “Nuk arrij ta imagjinoj se sa njerëzve të tjerë ua ka bërë këtë gjë që atëherë”./Syri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit