4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Sistemi i Mbrojtjes nga Raketat, ende burim fërkimesh mes SHBA dhe Rusisë

Më të lexuarat

Ekspertët thonë se kundërshtimi i Rusisë ndaj sistemit bazohet në prioritete të brendshme buxhetore.

Afganistani ishte tema kryesore që u diskutua në takimin e fundit të NATO-s. Por siç njofton korrespondenti Andre de Nesnera, udhëheqësit botërorë ritheksuan gjithashtu angazhimin për një sistem të mbrojtjes nga raketat, një program që kritikohet me forcë nga Rusia.
Të 28 udhëheqësit e NATO-s mbështetën një plan të përbashkët për një eliminim gradual të luftës në Afganistan. Ky plan parashikon se forcat afgane të sigurimit do të marrin në dorë udhëheqjen në operacionet luftarake nga mesi i vitit të ardhshëm dhe të gjitha forcat e NATO-s do të jenë larguar nga ky vend brenda vitit 2014.
Ndërsa Afganistani ishte tema kryesore, udhëheqësit e NATO-s riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për një sistem të mbrojtjes nga raketat.
Në vitin 2009, Presidenti Barak Obama e pezulloi propozimin e Presidentit Bush për të vendosur 10 interceptorë raketash në Poloni dhe një radar në Republikën Çeke. Ekspertët thonë se plani i ri është më elastik. Ai parashikon vendosjen e një sistemi me interceptorë raketash në sisteme lundruese dhe kryqëzorë në det si dhe versione të avancuara, të dislokuara në tokë, disa prej të cilave në vende të ish-Paktit të Varshavës. Pas takimit të NATO-s, Presidenti Obama falenderoi aleatët që po kontribuojnë në këtë sistem mbrojtjeje:
“Radari ynë në Turqi do të vendoset nën kontrollin e NATO-s. Spanja, Rumania dhe Polonia kanë rënë dakord të pranojnë elementë të rëndësishëm të sistemit. Holanda do të modernizojë radarët dhe mirëpresim kontribute nga aleatë të tjerë”.
Rusia e ka kundërshtuar vazhdimisht planin amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Moska nuk beson se synimi i sistemit është mbrojtja nga sulme me raketa nga vende si Irani. Zyrtarët rusë e konsiderojnë këtë sistem si kërcënim ndaj Moskës, një akuzë që Presidenti Obama e kundërshton:
“Sistemi as nuk ka në objektiv Rusinë, as nuk minon sistemin e saj mbrojtës, prandaj i përmbahem bindjes se mund të gjejmë mundësi bashkëpunimi me Rusinë”.
Presidenti i sapo-zgjedhur rus Vladimir Putin nuk pranoi ftesën për të marrë pjesë në takimin e NATO-s. Ai tha se i duhej të qëndronte në Moskë për të formuar qeverinë e re. Në takim mori pjesë kryeministri Dmitri Medvedev. Profesor Stephen Cohen i Universitetit Princeton dhe Universitetit të Nju Jorkut e analizon ndryshe vendimin e zotit Putin:
“Ai nuk dëshiron të bëjë gjeste me vlerë simbolike në këtë moment vendimtar, pra nuk do që të shihet sikur po pranon në mënyrë të heshtur qëndrimin e prerë amerikan për sistemin e mbrojtjes nga raketat. Sistemi i mbrojtjes nga raketat është tashmë një program zyrtar i NATO-s dhe u ngrit për diskutim në takimin e Çikagos. Presidenti Putin do të dilte keq po të shihej duke u përqafuar me zotin Obama tamam në momentin kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO po përgëzojnë njëra tjetrën për përparimin në drejtim të sistemit mbrojtës nga raketat”.
Eksperti për Rusinë pranë Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare John Parker thotë se është në interesin e udhëheqjes ruse të kritikojë planet për mbrojtje nga raketat:
“Zoti Putin and Zoti Medvedev kanë caktuar një buxhet goxha më të madh për mbrojtjen për periudhën 2012-2020. Ka gjithashtu shumë grupe lobiste që duan të përfitojnë nga ky buxhet. Prandaj është në interesin e tyre ta propagandojnë me të madhe këtë kërcënim në mënyrë që të zmadhojnë fondet për blerje armësh, që ata do e prezantojnë si domosdoshmëri për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi”.
Ekspertët nuk parashikojnë se Uashingtoni dhe Moska do të zgjidhin brenda një periudhe të shkurtës mospajtimet mes tyre lidhur me mbrojtjen nga raketat. Ata parashikojnë se mund të ketë një farë suksesi vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara./BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit