4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Sistemi i drejtësisë i komprometuar nga politika

Më të lexuarat

Ribotimi i përgjimeve të komunikimit të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në pushtet ka rinxjerrë sërish problemin e ndikimit politik mbi sistemin e drejtësisë.

Analistët në vend thonë se politika ka vënë “duart mbi drejtësinë” duke e drejtuar atë.

Në raportet ndërkombëtare sistemi i drejtësisë në Kosovë është kritikuar për funksionimin problematik të tij, dhe është cilësuar si një sistem i “zhytur në korrupsion”.

Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se drejtësia në vend është e politizuar dhe rrjedhimisht drejtësia ndahet varësisht se si apo sa u konvenon atyre.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në Kosovës vazhdon të je të i kapur nga politika dhe se, sipas tij, besimi i qytetarëve është duke u zbehur edhe më shumë karshi këtij sistemi.

“Pa dyshim se besimi i vogël i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është bazuar në këtë që ka ndodhur vazhdimisht, ndërsa këto zhvillime [përgjimet e publikuara], që kanë ndodhur në ditët e fundit, vetëm sa do ta rrënojnë gjithë besimin e qytetarëve në ndarjen e drejtësisë që bëhet nga sistemi i drejtësisë”, tha Musliu.

Bisedat e përgjuara të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, u publikuan pak ditë më parë nga gazeta në internet, Insajderi.com, dhe në bazë të tyre zyrtarë të lartë të partisë, sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Sipas Betim Musliut, punësimi i anëtarëve partiakë në gjykata dhe prokurori tregon për mungesën e legjitimitetit të drejtësisë që ndahet në vend.

“Këto skandale të përgjimeve që kanë dal dhe që dëshmojnë lidhje e ndikim të drejtpërdrejtë të politikës me bartësit e funksioneve të sistemit të drejtësisë dëshmojnë që qytetarët me të vërtetë nuk kanë pasur besim në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Musliu.

Lidhur me përgjimet, kyeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marr vendim për krijimin e ekipës së prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e transkripteve të telekomunikimeve të përgjuara në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit (MTPT).

Vendimi për formimin e këtij ekipi u mor pasi Kryeprokuroi Lumezi pranoi raportin e kërkuar nga prokurori ndërkombëtar i EULEX-it, i cili është i ngarkuar me rastin e MTPT-së.

Më parë, prokuroria e shtetit të Kosovës kishte bërë të ditur se nuk do të fillojë hetime lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, dhe kryetarin aktual, Kadri Veseli. Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se nuk ka një bazë të fortë ligjore për fillimin e hetimeve.

Ariana Qosaj-Mustafa, drejtoreshë e programit dhe hulumtuese e lartë në Instituti Kosovar për Zhvillim të Politikave [KIPRED], tha për Radion Evropa e Lirë se ishte e pa kuptueshme se pse prokuroria e shtetit nuk merr veprime për nisjen e hetimeve, në kohën kur sistemi i drejtësisë po rrënohet.

“[Përgjimet] natyrisht që do të ndikojnë në uljen e besueshmërisë edhe më tutje. Edhe ashtu gjykatat qëndrojnë në një rang të ulët në krahasim me institucionet e tjera. Dhe këto zhvillime të fundit ia kanë vënë kapakun gjithë asaj që është thënë”, tha Qosaj – Mustafa.

Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet fundit që lidhen me sektorin e sigurisë e rrisin skepticizmin e qytetarëve dhe besimin e publikut e zvogëlojnë deri në masën e përjashtimit të tërësishëm të sistemit të drejtësisë, pasi ai nuk prodhon drejtësi efektive.

“Kemi sigurisht gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyeshëm, të cilët do të mund të bënin punë të mira për këtë vend, por mbi të gjitha ata nuk po e bëjnë këtë punë për shkak se nuk po lejohen nga disa njerëz të cilët nuk janë të interesuar që këtu drejtësia të vijë në vend”, tha Qorolli.

Ai thotë se qytetarët në Kosovës kanë shumë procese të hapura në gjykata të cilat nuk kanë përfunduar për vitet me radhë.

Ai thotë se mosmbyllja e proceseve gjyqësore dhe përgjimet e fundit krijojnë pasigurinë e qytetarëve në gjykata e prokurori.

“Publikut duhet t’i kthehet besimi në drejtësi vetëm kur kemi një siguri më të madhe nga anë e gjykatave dhe prokurorive, kur prodhohet drejtësi e besueshme dhe kur drejtësia nuk komprometohet as nga politika, as nga biznesi, e as nga ndonjë organizatë tjetër”, tha Qorolli.

Afera e përgjimeve, që u rikthye pas 5 vjetësh, nxjerr sërish problemin e funksionimit të drejtësisë dhe nivelin e ndikimit mbi të. Marrë parasysh edhe qindra mijëra lëndë të pazgjidhura për vite të tëra, opinioni publik vështirë se do të mund të bindet se ligji funksionon për të gjithë njëlloj. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit