0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

”Siria, në rrugën e shkatërrimit të plotë”?

Më të lexuarat

Siria është në rrugën e shkatërrimit të plotë, vlerësoi të hënën një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportit, të cilit i referohet Agjensia Italiane e Lajmeve “ANSA”, “kostoja e luftës në vend është shumë e lartë dhe shkatërrimi aq i madh, sa që do të duhet shumë kohë që Siria të marrë veten pas lufte”.

Raporti mban firmën e Radhouane Noucier, koordinatorit të përgjithshëm për ndihmat humanitare të OKB-së në vendin e Lindjes së Mesme, të përfshirë prej dy vitesh në luftë civile.

”Kriza do të zgjasë shumë më tepër nga sa mendojmë. Jo vetëm që për momentin nuk ka një të dhënë për kohën në të cilën mund të përfundojë lufta, por nuk mund të parashikohet as periudha e nevojshme për rikuperimin ekonomik të pasluftës. Janë civilët ata që fatkeqësisht po paguajnë kostot më të mëdha e të gjithë këtij konflikti”, shtoi Noucier.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, 70 mijë sirianë kanë humbur jetën deri tani, ndërsa dëmet ekonomike, prej miliarda eurosh, nuk mund të vlerësohen ende plotësisht.

Mbetet fakt se pothuajse të gjithë qytetet kryesore të Sirisë janë pjesërisht apo plotësisht të shkatërruara, infrastruktura e dëmtuar rëndë dhe aktiviteti ekonomik praktikisht i paralizuar, për shkak të konfliktit.

Mes kostove njerëzore llogariten edhe pothuajse katër milionë të pastrehë e mbi 700 mijë refugjatë lufte në vendet fqinje.

Popullsia e përgjithshme e Sirisë përpara fillimit të konfliktit ishte prej 22,5 milionë banorësh./tch

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit