Ambasadori i Sirisë në Irak deklaroi se ka kaluar në anën opozitës.
Navaf Fares është i pari diplomat i lartë sirian që braktis qeverinë e Presidentit Bashar Al-Asad.
Ky veprim vjen vetëm një javë pasi një gjeneral sirian, nga një familje e fuqishme afër Presidentit Asad, dezertoi.
Ndërkohë vendet perëndimore po i kërkojnë OKB-së të kërcënojë me sanksione të ashpra Sirinë, pasi Këshilli i Sigurimit hapi bisedimet mbi të ardhmen e misionit të tij vëzhgues në vend.
Këshilli i Sigurimit duhet të miratojë një rezolutë të re përpara se mandati i misionit të përfundojë të premten e ardhshme.
Fares konfirmoi dezertimin e tij në një deklaratë të transmetuar në televizionin Al-Jazeera.
Me flamujt revolucionarë sirianë prapa tij, ai lexoi deklaratën duke thënë: “Unë shpall dorëheqjen nga posti im si ambasador i Republikës Arabe të Sirisë, në Republikën vëllazërore të Irakut”.
Ai gjithashtu njoftoi se po largohej edhe nga partia që përfaqësonte, Baath, e cila është edhe partia në pushtet./tch/kohaislame