0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Siria dhe gabimi në Bosnjë

Më të lexuarat

“The National Interest” 

Shkruan: Nikolas K. Gvosdev, profesor për studime të sigurisë kombëtare në Kolegjin Amerikan për Luftëra Detare.

Luftimet e ashpra në Allepo vetëm se e nënvizojnë qëndrimin se as regjimi i presidentit, Bashar Al Asad, e as opozita që po lufton për dëbimin e tij nga pushteti, nuk do të arrijnë së shpejti ndonjë fitore vendimtare. Megjithatë, një gjë është e qartë: nuk mund të ketë kthim prapa në status quo-në që ekzistonte para vitit 2011. Është derdhur tashmë shumë gjak për të mundësuar çfarëdo marrëveshje për ndarjen e pushtetit ndërmjet regjimit dhe opozitës. Në të njëjtën kohë, Asadi nuk ka fuqi të mjaftueshme për ta shpërbërë revoltën me një sulm të sigurt. Andaj, luftimet sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojnë në një luftë të përgjakshme derisa të ndodhë diçka për ta ndryshuar balansin e fuqisë në fushëbetejë.

Një mundësi është që Asadi dhe gjeneralët e tij të vriten-qoftë nga forcat opozitare ose elementët përbrenda regjimit, që mund të shpresojnë që me servimin e kokës së Asadit t’u ndihmojnë negociatave personale për ta siguruar jetën dhe pronën e tyre.

Mundësia e dytë është që bashkësia ndërkombëtare të montojë një ndërhyrje të drejtpërdrejt me mision kryesor krijimin e paqes-ndarjen e luftëtarëve dhe krijimin e zonave të sigurta sikurse për opozitën ashtu dhe për grupet e ndryshme minoritare që kanë vazhduar ta mbështesin regjimin.

Mirepo, asnjëra nga këto mundësi nuk pritet të realizohet në këtë moment.
Gjasat ekzistuese për tejzgjatjen e ngërrçit, sidoqoftë, nuk nënkuptojnë se duhet të ndalemi të mendojmë për rezultate pozitive në një Siri post-Asadiane. Është e rëndësishme për politikbërësit në Uashington dhe në kryeqytete të tjera ta zhveshin vetën nga ajo që mund të quhet “gabimi në Bosnjë”.

Në kohën kur po shembej Jugosllavia, gabimi në Bosnjë qëndronte në besimin se grupet e ndryshme etnike dhe sektare do të vazhdonin t’u mbesin besnik idesë amorfe të “Bosnjës” dhe se do të besonin që institucionet “kombëtare” do të përfaqësonin dhe mbronin interesat e tyre.

Edhe kur zgjedhjet më 1990 treguan se shumica e qytetarëve të “Bosnjës” votuan për partitë etnike si përfaqësuese të interesave të tyre të përbashkëta, me ato forca që flisnin pro ekzistimit të margjinalizimit të platformave ndër-etnike, besimi se një identitet i përbashkët boshnjak do të ishte më i rëndësishëm për boshnjakët se sa të qenit mysliman, serb apo kroat, vazhdonte të ishte pjesë qendrore e imagjinatës së burrështetasve perëndimorë.

Për ta shmangur luftën, e cila po kanosej, tri partitë politike që po udhëhiqnin në Bosnjë-Partia Myslimane për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Serbe dhe Bashkimi Demokratik Kroat, kuptuan se duhet t’i linin anash agjendat e tyre maksimaliste për të gjetur një lloj kompromisi.

Alija Izetbegoviq, Radovan Karaxhiq dhe Mate Boban-liderët e të tria partive që arritën një kompromis mbi qeverisjen e republikës, u pajtuan të gjithë më 1992 në Lisbonë për krijimin e Bosnjës si një federatë e decentralizuar të bazuar në kantone etnike.

Plani, i zhvilluar nga Lordi Piter Kerringtën, ish-sekretar i jashtëm britanik dhe nga ish-sekretari gjeneral i NATO-s, ambasadori Hose Kutilero, kërkonte që qeveria qendrore e dominuar nga myslimanët t’ia jepte një pjesë të madhe të të drejtave vendimmarrëse zonave kroate dhe serbe, në mënyrë që ato të kundërshtojnë ndarjen dhe bashkimin me Kroacinë apo Serbinë.

Izetbegoviq pranoi këtë marrëveshje, sepse ajo nënkuptonte zvogëlimin e ndikimit tradicional të shtruar nga komuniteti boshnjak mbi Bosnjën gjatë periudhës së parë të komunizmit, edhe pse boshnjakët përbënin vetëm një shumicë dhe jo shumicën totale të popullatës.

Ngjashëm, serbët dhe kroatët duhej të hiqnin dorë nga ëndrrat për “Serbinë e Madhe” dhe “Kroacinë e Madhe” duke pranuar gjithashtu kompromise territoriale. Asnjëra palë nuk ishte aq e mahnitur nga marrëveshja, por të gjithë e vlerësonin atë si të vetmen mundësi për t’i shpëtuar të gjithë nga lufta në kohën kur veç kishin nisur përleshjet.

As perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, nuk ishte i entuziazmuar për marrëveshjen. Disa politikanëve evropianë, të përfshirë nga entuziazmi që shoqëroj lansimin e një “Bashkimi të ri Evropian” me qëllim thellimin e integrimit, u pengonte zbatimi i kritereve të përbashkëta dhe etnike në një kohë kur mbizotëruese kjo gjendje në kontinent e që Evropianët i kishin tejkaluar gjëra të tilla.

Edhe Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara nga zbatimi i parimit etnik, veçanërisht nga transferimi i përgjegjësive tek qarqet e definuara etnikisht. Përveç kësaj, politikbërësve amerikanë nuk u pëlqente ideja se njerëzit mund të ishin më besnikë ndaj identiteteve etnike, fetare apo fisnore se sa ndaj atyre kombëtare. Kishte shqetësime se marrëveshja e Lisbonës do të inkurajonte spastrimin etnik në shkallë të ulëta.

Meqë Bosnja pritej të ndahej në kantone, shqetësimi ishte që sapo të ishte cilësuar ndonjë kanton si mysliman, serb apo kroat, shumica mbizotëruese do të dëbonte minoritetet.

Kur u bë e qartë se fuqitë e huaja nuk do të detyronin pajtimin mbi marrëveshjen dhe me premtimet e Shteteve të Bashkuara se do ta mbështesnin qeverinë qendrore të udhëhequr nga myslimanët edhe nëse ajo do të hiqte dorë nga marrëveshja e Lisbonës, marrëveshja u shpërbë në muajin prill, ndërsa nisi lufta civile.

Pasi kishin trashëguar armatimin e ish-ushtrisë jugosllave, serbët e Bosnjës së shpejti arritën sukses në fushëbetejë- gjë që u ndalohej me marrëveshjen e Lisbonës, ndërsa refuzuan marrëveshje të tjera më 1993 e 1994, me të cilat synohej të ringjallej marrëveshja në fjalë.

Lufta në Bosnjë pat përfunduar pas vrasjes së mijëra njerëzve, pas Marrëveshjes së Dejtonit, në të cilën Shtetet e Bashkuara përfshinë parimin e njësive të bazuar në etni-një marrëveshje, e cila ironikisht i la boshnjakët me më pak territor se sa që do të kishin fituar bazuar në marrëveshjen e Lisbonës.

Gabimi i Bosnjës u pat përsëritur më 2003, kur ekzilët irakianë i treguan presidentit, Xhorxh Bush, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë se nuk kishte ndonjë spikatje të vërtetë për identitetet si kurdët, sunitët apo shiitët, e të cilat që të gjitha përbënin një identitet të përbashkët të Irakut. Kjo mënyrë e të menduarit ekzistonte përbrenda administratës e , sipas të cilës, në Irakun e çliruar nga tirani i tij, irakianët do të mblidheshin pas një identiteti të përbashkët.

Vite të luftërave të përgjakshme në këtë vend që nga viti 2003 treguan se sa të gabuara ishin ato presupozime. Ngjashëm me këtë, pavarësisht retorikës mbi Sheshin Tahrir të Kajros se nuk kishte as myslimane e as egjiptianë të krishterë, por vetëm egjiptianë, realiteti në Egjiptin post-Mubarakian është se mbetet mjaft domethënës identiteti i përbashkët.

Për më tepër, siç argumenton Amitai Etzioni në librin e tij Hot Spots, në shumë shtete të Lindjes së Mesme, popujt u qëndrojnë besnik kryesisht grupit të tyre fetar apo etnik. Institucionet “kombëtare” shihen kryesisht si mënyrë për ta ndarë “fitimin” dhe për ta shpërndarë atë tek grupet e ndryshme.

Andaj, çdo ndryshim në regjimin e Sirisë ndryshon “marrëveshjen” që ka fuqi të shpërndara, pronë dhe ndikim ndaj komuniteteve të ndryshme që e përbëjnë shtetin. Kjo është dhe një arsye se përse regjimi i Asadit ende mbijeton, për shkak të frikës së zëvendësimi i tij do të sillte me vete një regjim suni në shtet. Siria do të mund ta përjetonte një skenar të ngjashëm me fqiun Irakun, ku hegjemonia sunite nën Sadamin është zëvendësuar me shiitët dominues nën administratën e Malikit.

Disa besojnë se në rast të vdekjes së Asadit (ose dobësimit të dukshëm të fuqisë së tij), grupe të ndryshme në Siri do të kërkonin që me opozitën ta diskutojnë çështjen e ndarjes së pushtetit. Në këtë drejtim, mund të paramendohet një takim i ardhshëm në Staboll me të cilin do të vendosej themeli për zëvendësimin e Republikës së tanishme Siriane me një Bashkim Sirian, të bazuar në ringjalljen e disa entiteteve që ekzistonin gjatë pjesës së parë të mandatit francez (1920-1936) përfshirë shtetet e ndara alavite dhe druze, sikurse kantonët rajonalë të bazuar në Allepo dhe Damask.

Arabia Saudite ndërmjetësoi në dhënien fund të një lufte civile në Liban me Marrëveshjen Taif më 1989-në fakt, një marrëveshje e ngjashme e cila do të njihte epërsinë sunite në Siri, por që do të institucionalizonte një sërë masash mbrojtëse për grupet e tjera- do të mund të ishte e zbatueshme dhe në linjë me interesat dhe shqetësimet e sauditëve.

Një marrëveshje e stilit të Lisbonës, siç ishte plani fillestar për Bosnjën, ka gjasa të mos e kënaqë shumicën sunite, ndërsa minoritetet do të duhej të pranonin kantone më të vogla me më pak ndikim në Sirinë post-Asadiane.

Por, duke marrë parasysh se rezultate të ngjashme ka pasur edhe në vendet si Bosnja dhe Iraku tek pas disa vitesh të luftërave, a nuk do të duhej që sirianët të pranonin kompromise të tilla sa më parë që të jetë e mundur?

Suksesi i çfarëdo marrëveshje të tillë do t’u kërkonte fuqive të jashtme-përfshirë Perëndimin, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Shteteve të Gjirit, që ta mbështesin këtë proces. Nëse një marrëveshje mund të lehtësohet përgjatë këtyre vijave-sado të papërkryera që të jenë, atëherë mund të ketë gjasa që të zvogëlohen problemet që do të shfaqen patjetër në Sirinë post-Asadiane./REL

 

Shkrimi i paraqitur paraqet mendime dhe komente personale te autorëve dhe nuk korespondojnë domosdoshmërisht me qendrimet e redaksise.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit