Një sulmues, që kishte për objektiv forcat pro-qeveritare në Siri, pas shpërthimit të eksplozivit ka vrarë disa njerëz në provincën qendrore të Hama-s, ka bërë të ditur agjencia “Sana”.
Aktivistët thonë se janë vrarë mbi 30 persona, ku cak ishin militantë pro-regjimit, në shpërthimin e ndodhur në qytetin Salmiyeh. “Sana” dhe aktivistët kanë raportuar gjithashtu për luftime të përgjakshme edhe në Damask, të hënën.
Dhuna e vazhdueshme ka detyruar Rusinë të dërgojë dy aeroplanë në Beirut, për të kthyer në shtëpi rusët, të cilët janë përfshirë në konflikt. Ministri i situatave emergjente në Rusi, bëri të ditur se më shumë se 100 persona priten të rikthehen gjatë së martës.
Kjo është “arratisja” e parë ruse, që prej shpërthimit të protestave ndaj presidentit Bashar al-Assad në mars 2011. Moska ka qenë një aleate e patundur e Assad-it. OKB ka thënë së fundi se më shumë se 60 mijë njerëz janë vrarë, që nga marsi 2011.
Në aktin e fundit vetvrasës, “Sana” bëri të ditur se një “kamikaz” u hodh në erë me makinën e tij në qendër të Salmiyeh.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup aktivistësh me bazë në Britani, tha se shpërthimi ndodhi pranë selisë së një milicie pro-qeveritare, dhe se mes të vdekurve ishin 30 militantë.
Observatori, raportet e të cilëve janë të paanshme, njoftoi gjithashtu për vdekjen e 7 personave të tjerë në luftimet mes qeverisë dhe forcave rebele në Damask./tch