Foshnja pesëmujore jetime Hani, që u plagos nga një sulm ajror të regjimit të Bashar al Asadit në rajonin e Gutës Lindore në Siri, ka humbur jetën në sfidën e saj për mbijetësë, raporton Anadolu Agency (AA).
Teksa vazhdon rritja e numrit të viktimave në Gutën Lindore të bllokuar nga regjimi, foshnja Hani, që në një sulm të regjimit në këtë rajon të enjten pësoi plagë dhe humbi nënën Gufran dhe motrën trevjeçare Iman Muhamed, mbrëmë ka humbur jetën si pasojë e plagëve.
Hani gjendej në rrugë me të ëmën dhe motrën e saj në kohën e sulmit ajror të regjimit, ndërsa nuk arriti të trajtohet mjaftueshëm për shkak të pamundësisë për të dalë nga bllokada.
Hani u mbajt nën kontroll në një qendër shëndetësore me mungesë barnash dhe pajisjesh, ndërsa arriti t’i përballojë luftës për mbijetesë vetëm pesë ditë.
Foshnja Hani kishte plagë në kokë dhe pjesën e poshtme të shpinës dhe pësoi dëme shkatërruese në organet e brendshme.
Ndryshe, bllokada e regjimit në Gutën Lindore me 400 mijë banorë më së shumti ka goditur foshnjet dhe fëmijët.
Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga një spital në periferi të Damaskut, 527 foshnje kanë humbur jetën që nga viti 2014. Teksa numri i foshnjeve të vdekura nga uria dhe mungesa e barnave si pasojë e rrethimit ishte 15 në vitin 2014, ky numër është rritur në 227 në dhjetë muajt e parë të vitit 2017.
Fondi Emergjent i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) bën të ditur se 137 fëmijë të moshës shtatë deri në 17 vjet duhet të evakuohen urgjentisht nga Guta Lindore për trajtim.
Në Gutën Lindore, rajon që gjendet në kryeqytetin e Sirisë, Damask, rreth 400 mijë civilë janë të rrethuar prej pesë vitesh nga regjimi dhe forcat ushtarake mbështetëse të tij. Në rajon është e ndaluar edhe hyrja e ushqimeve elementare dhe barnave, që deri në muajin prill të vitit 2017 mund të hynin përmes rrugëve të fshehta.
Por, që nga periudha në fjalë, për shkak të shtrëngimit të rrethimit nga regjimi dhe grupeve të huaja terroriste mbështetës të regjimit, është bërë e pamundur futja e barnave dhe ushqimeve në rajon. Kjo gjendje e ka vështirësuar edhe më tej jetën e përditshme të popullit të këtij rajoni.
Guta Lindore, sipas marrëveshjes së arritur mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana, ishte shpallur pjesë e zonës jokonfliktuale. Megjithëse, armëpushimi ishte shpallur më 22 korrik, pjesëtarët e regjimit të Asadit e shkelin shpesh atë.