Dështuan përpjekjet e bëra për arritjen e një armëpushimi gjatë ditëve të Bajramit në Siri.
Armëpushimi i pranuar me parakushte nga udhëheqja e Damaskut dhe opozitarët u shkel që në ditën e parë të Kurban Bajramit.
Në kryeqytetin Damask dhe qytetin e dytë më të madh të vendit, Halep, vazhdojnë përleshje të ashpra.
Administrata e Esadit bëri një deklaratë në lidhje me shpalljen e armëpushimit për ditët e bajramit në Siri.
Në komunikatën në fjalë u shpreh se gjatë ditëve të bajramit nuk do të ketë operacione ushtarake, duke nënvizuar se rezervohet e drejta për kundërpërgjigje në rast se opozitarët do të vazhdojnë sulmet vetëvrasëse.
Ushtria për Sirinë e Lirë kishte bërë të ditur se armëpushimin do ta pranonin me kusht lirimin e opozitarëve që mbahen në burgjet e regjimit.
Kurse opozitarët nuk e vlerësuan si shumë të sinqertë qëndrimin e regjimit të Esadit lidhur me armëpushimin.
Pa kaluar shumë orë nga thirrjet e bëra për një armëpushim të bazuar në këto kushte nisën të dëgjohen sërish të shtënat e armëve dhe Siria u përgjak përsëri që në ditën e parë të Kurban Bajramit.
Pranë një baze ushtarake të ushtrisë së rregullt të Sirisë, afër qytetit Halep, i cili është kthyer në një vatër të luftimeve në Siri, nisën përleshjet ndërmjet opozitarëve dhe forcave të Esadit.
Bëhet e ditur se në këto përleshje përdoren armë të rënda dhe luftimet vazhdojnë ende.
Mësohet se forcat opozitare mundohen të marrin kontrollin e bazës ushtarake në fjalë, që ndodhet 1 kilometër larg rrugës nacionale Damask-Halep. Ndërsa forcat e varura nga Esadi u janë kundërpërgjigjur me zjarr opozitarëve.
Observatori sirian i të drejtave të njeriut njoftoi se pas shkeljes së armëpushimit kanë humbur jetën në përleshje 4 persona në Humus dhe 3 në Damask, gjithsej 7 persona./trt/kohaislame
Përleshjet mes forcave të Esadit dhe opozitarëve vazhdojnë edhe përreth qytetit Idlib që ndodhet afër kufirit me Turqinë.