1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Sipas HASAN KALESHIT ardhja e Perandorisë Osmane e shqiptarizoi Kosovën?

Më të lexuarat

MERXHAN ADEMI
 
Këtyre ditëve më ra në dorë një shkrim shkencor me titull “Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e Islamit, shkaqe themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve”, i autorit Hasan Kaleshi. Sipas informacione që kam, shkrimi pritet të botohet në numrin e ardhshëm të revistës “Përpjekja” në Tiranë dhe në revistën “Edukata Islame” në Prishtinë. Edhe pse kisha dëgjuar më herët për Kaleshin, por gjatë hulumtimeve të mia të këtyre ditëve, mësova se ‘shkencëtarët’ e ‘kulturologët’ folkloristë shqiptarë nuk e paskëshin pasur për qefi atë dhe e paskëshin linçuar me lloj-lloj akuza e shpifje. Po ja që gjeneratat tona, të cilët pak a shumë kemi nuhatur metodologjinë moderne shkencore dhe kemi arritur të shporrim nga mendjet subjektivizmin dhe argumentet ‘shkencore’ me zana malesh, po e ndajmë shapin prej sheqerit dhe po shohim se vërtetë kush qe shkencëtar e kush sharlatanë që na është ekspozuar si shkencëtar. Dëshmitarët e asaj kohe na tregojnë sesi Hasan Kaleshi paska qenë themelues i disa organeve studiuese në Prishtinë dhe si shkencëtar i kalibrit ndërkombëtar, nuk paska pranuar ‘shkencëtarët’ mediokër të Tiranës dhe Prishtinës. Sesa shkencëtar serioz ishte Kaleshi, na flasin edhe citimet që ia bëjnë studiuesit e huaj dhe sidomos erudicioni i tij në dijet e gjuhëve dhe kulturave të Lindjes e Perëndimit. T’i kthehemi shkrimit në fjalë, pasi këtyre ditëve është plasuar debati rreth rolit të turqëve në Ballkan dhe islamizimit të shqiptarëve në përgjithësi.
 
Kaleshi shkrimin e tij e fillon me një kritikë të thukt për historiografinë shqiptare të cilën e akuzon si jo serioze që ka futur shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, siç janë ‘turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”, “aziatikët turq”, “barbarët”. Më tutje ai vë në pahë se si albanologjia shqiptare i promovon veprat ‘atdhetare’ të disa aktivistëve të dyshimtë të Periudhës së Rilindjes Kombëtare e në anën tjetër me qëllim i heshtë shumë personalitete të dobishme të kombit shqiptar që krijuan në gjuhën shqipe me alfabet arab ose në gjuhët orientale. Në hyrje në këtij shkrimi shkencor, prof. Kaleshi shkruan: “Padyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por nuk mund të flitet njëjtë edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm. Deri në periudhën kur erdhën turqit, shqiptarët ishin nën sundimin e të huajve dhe nën influencën e kulturës së tyre, dhe pandërprerë asimiloheshin etnikisht dhe kulturalisht. Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri”.
 
Meqë Hasan Kaleshi njihte mirë mendësinë e shkencëtarëve folkloristë të asaj kohe, thekson se shkrimi i tij për dikë do të jetë herezi, por ashtu siç i  ka hije një studiuesi serioz, nuk hezitoi të ecë jashtë binarëve të historiografinë të vendosur Aleks Buda. Ai më të drejtë pohon se “nga gjysma e shek. II (p.e.r.s.) deri në ardhjen e turqve, tokat e banuara me shqiptarë qenë pushtuar nga romakët, bizantinët, venedikasit, bullgarët dhe serbët. Deri në vendosjen e serbëve këtu kah fundi i shek. VI, gjuhë zyrtare në një pjesë ishte gjuha latine, ndërsa në pjesën tjetër gjuha greke. Nga kjo periudhë nuk posedojmë asnjë dëshmi rreth shtetbërjes, kulturës, shkrimit, organizimit kishtar dhe krijimtarisë së shqiptarëve”. Në kuadër të këtyre argumenteve, Kaleshi thotë se edhe vet Skenderbeu i cili njihet si heroi kombëtar i shqiptarëve, nuk ka shkruar asnjë fjalë në gjuhën shqipe, por të gjitha shkresat e tij shkruheshin në gjuhët greke, latine dhe sllave.
 
Kur shtron argumentet e tezës së tij themelore se turqit ishin ata që parandaluan asimilimin e shqiptarëve nga grekët, bizantinët dhe sllavët, Kaleshi shkruan: “nga ky kolonizim sllav kishin shpëtuar vetëm disa vende në jug, viset malore të Shqipërisë së mesme dhe veriore dhe pjesa kufitare në drejtim të Malit të Zi. Ky kolonizim sllav i pas shek. VIII rezultoi në një bashkëjetesë disa shekullore midis shqiptarëve dhe sllavëve. Në shek. VIII greqishtja imponohet si gjuhë zyrtare e shkrimit. E gjithë administrata është e grekëve. Madje edhe pushtimi i shkurtër i Shqipërisë nga bullgarët në shek. IX nuk pati sukses të eliminonte ndikimin bizantin. Përveç kësaj, në qytetet shqiptare nuk hasim ndonjë gjurmë as për shumicën shqiptare e as për kulturën dhe civilizimin shqiptar”. Në një vend tjetër të këtij punimi shkencor, Kaleshi pohon se sipas këtyre informacioneve që dihen shumë mirë, nga shek. I (p.e.s.) e deri në shek. e VIII, Shqipëria ka qenë nën sundimin e të huajve. Në këtë vend shohim përleshjen e gjuhëve dhe  kulturave të grekëve, romakëve dhe sllavëve, si dhe gjatë kësaj periudhe nuk ekziston madje as një gjurmë që e karakterizon kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare.
 
Sipas tij, asimilimi realizohej nga kishat ortodokse, katolike dhe pravosllave. Ai ofron argumente se “kishat ortodokse dhe pravosllave i shërbenin shteteve të tyre, ndërsa shtetet atyre u jepnin ndihma. Edhe gjuhët si latinishtja, greqishtja dhe sllavishtja që fliteshin nëpër kisha ishin të panjohura për shqiptarët. Siç kuptohet prej shumë burimeve, ndoshta këtu duhet kërkuar njërin prej shkaqeve që shqiptarët ashtu kaq lehtë pranuan ortodoksizmin dhe katolicizmin”.  Duke i pasur parasysh të gjithë këto fakte, shton Kaleshi, “është më se e vërtetë që shqiptarët e mbërthyer në rajonet malore nga Ulqini, Shkodra deri në Mat, Ohër dhe Vlorë, përballeshin me një proces të frikshëm asimilimi nga sllavët, grekët dhe romakët varësisht rajonit ku jetonin”. Kështu dhe duke u bazuar në këto të dhëna empirike, me të drejtë shtron pyetjen: sikur të mos vinin turqit në Ballkan e të mos i jepnin fund pushteteve bizantine dhe serbe, athua shqiptarët do t’i bënin ballë këtij procesi asimilues? Dhe më pas duke iu përgjigjur me Jo kësaj pyetjeje, shton: “Shtrirja e turqve në Ballkan dhe shpërbërja e pushteteve bizantine dhe serbe në shek. XV, përveç ndërprerjes së këtij asimilimi etnik të shqiptarëve, dalëngadalë vërejmë fillimin e ndryshimit të pamjeve të tokave të banuara në njërën anë me shqiptarë – sllavë dhe në anën tjetër vetëm me sllavë. Madje mund të thuhet se bashkë me sulmet turke në drejtim të Veriut, ekziston mundësia të ketë pasur edhe një sulm të shqiptarëve drejt brendësisë së tokave të Serbisë”.
 
Studiuesi Kaleshi i cili ishte edhe një orientalist me famë ndërkombëtare – këtë e vë në dukje edhe albanologu Peter Bartl (shih: Historia e Shqiptarëve – Gjendja dhe perspektivat e studimit. bot. Përpjekja, Tiranë, 2012) – njihte thellë edhe regjistrat shumë të hershëm të e Perandorisë Osmane e cila kur kishte pushtuar Ballkanin, kishte regjistruar çdo gjë që kishte parë syri i njeriut. Prandaj dhe Kaleshi duke u mbështetur në këta defterë të Perandorisë, fakton se në periudhën kur turqit kishin ardhur në Ballkan, Kosova nuk qe e populluar më shumë se 4-5 % me shqiptarë. Sipas tij, edhe këta pak shqiptarë që kishin mbetur në Kosovë, qenë objekt i asimilimit nga kisha pravo-sllave. “Aspak nuk duhet të çuditemi nga fakti që shumica e këtyre shqiptarëve kishin marrë emra sllavë, ngase jetonin në detin sllavë, pra nën shtetin serb dhe administrimin e kishës serbe. Në çdo fshat të regjistruar kishte një e më shumë priftërinj pravosllavë”, pohon Hasan Kaleshi. Pastaj ai sjellë edhe procesin e ndryshimit të emrave të shqiptarëve të cilët kishin filluar të sllavizoheshin dhe të merrnin emra sllav si: Radovan, Dimitrije, Radosllave, etj..
 
Më pas në këtë shkrim shkencor gjithashtu hasim edhe argumente që flasin për forcimin dhe zgjerimin e shqiptarëve në viset ballkanike, ndoshta në tokat e tyre të mëhershme por që i kishin humbur nga pushtimet romake, bizantine e sllave. Për atë dhe prof. Kaleshi pohon se vetëm njëqind vjet pas vendosjes së sundimit turk, kur absolutisht kishte marrë fund organizimi i shtetit serb dhe roli i madh i kishës, ashtu siç kishte përfunduar sllavizimi i popullit shqiptar, gradualisht kishte filluar të ndryshonte edhe gjendja e mëhershme etnike dhe fetare. Ai sjellë argumente nga defterët e P. Osmane, nga shkrimet e misionarëve katolikë dhe nga vet historiani shqiptar Selami Pulaha, i cili sipas P. Bartl, nuk kishte pranuar të fliste për tezat e Kaleshit.
 
Një tezë tjetër mjaft interesante e prof. Hasan Kaleshit është edhe integrimi i fiseve shqiptare në Perandorinë Osmane, të cilët nëpërmjet institucionit Bajraktar, luftonin përkrahë turqëve dhe në anën tjetër i paguanin shumë pak taksa P. Osmane. Kaleshi potencon se sistemi i administratës turke kishte traditë të lashtë në integrimin e fiseve nomade, siç ishin pak a shumë edhe shqiptarët e asaj kohe. Për atë dhe sipas tij, organizimi fisnor që kishte rrënuar shtetin serb dhe atë bizantin, duke u ringjallur sërish në kohën e turqve, luajti një rol të pamohueshëm në shtrirjen etnike të shqiptarëve.
 
Kaleshi në këtë punim në disa vende potencon faktin se deri në ardhjen e turqëve në Ballkan, shqiptarët nuk shquheshin si popull me ndonjë qytetrim apo kulturë origjinale shqiptare, ngase nga ilirët nuk kemi të trashëguar asnjë dorëshkrim a mbishkrim, poezi apo rrëfenj në gjuhën shqipe. Ai pohon se vetëm pas pushtimit turk, saktësisht “në shek. XVIII, qytetet bregdetare Ulqini, Shkodra, Vlora e Durrësi shndërrohen në qendra të kulturës orientale. Në këto vise lind një letërsi shqipe e shkruar me alfabet arab , gjithashtu në shumë raste shqiptarët veprat e tyre i shkruanin në gjuhët orientale”. Pra siç shihet, shqiptarët në kohën e P. Osmane fillojnë të krijojnë kulturë masive në gjuhën shqipe, ku vet Kaleshi në shkrime të ndryshme paska identifikuar rreth njëqind poet shqiptarë që kanë krijuar letërsi shqipe me alfabet arab dhe letërsi në gjuhët turke, arabe dhe perse. Duhet potencuar fakti se kjo letërsi qëllimshëm është heshtur nga ‘albanologët’ imituesë të romantizmit evropian. Të rinjtë shqiptarë jo vetëm që nuk dinë asgjë për këtë kulturë shqiptare orientale, por nën ndikimin e propagandës të albanologëve folkloristë, kanë qëndrime negative karshi asaj.
 
Më tej në shkrim lexojmë një tezë tjetër mjaft të kapshme për studiuesit e rinj objektiv e ajo është integrimi i feudalëve shqiptarë në sistemin feudalë të Perandorisë Osmane, të cilët më pas u ngjitën në poste dhe grada të larta të Perandorisë. Kaleshi shkruan “…nga gjithsej 335 timare, sipahijtë vendorë të krishterë kishin 56 timare, ndërsa të ardhurat e feudalëve myslimanë ishin dhjetë herë më të mëdha se të atyre të krishterë. Këtu shohim edhe një shpronësim/shuarje të hovshëm të klasës feudale vendore. Ata që dëshironin të ruanin pozitat dhe koncesionet materiale qenë të detyruar të pranonin fenë islame, dhe kështu hynë në klasën sunduese të shoqërisë. Feudalët shqiptarë në një masë të madhe duke shfrytëzuar këto mundësi, kaluan në fenë islame”. Sipas Kaleshit, më pas këta administratorë të lartë shqiptarë i kushtuan rëndësi të veçantë zgjerimit të influencëns shqiptare në rajon. “Në shumë dokumente historike lexojmë reagime ndaj avancimit dhe përkrahjes shumë të madhe të bashkëkombësve të tyre nga shqiptarët që kishin zënë pozita të larta në Perandori. Për shembull, Koxha Sinan Pasha i cili qe zgjedhur pesë herë në postin e kryeministrit, ishte akuzuar se po i avanconte bashkëkombësit e tij shqiptarë në poste të larta në administratën turke. Kjo politikë islamizuese e turqve jo vetëm që ishte në interes të turqve, por ishte edhe në interes të vet shqiptarëve. Sepse shqiptarët që kishin arritur pozita të larta shtetërore nxitën shtrirjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve në rajon”.
 
Në vazhdim Kaleshi flet edhe për politikat islamizuese të turqëve në Ballkan dhe vë theksin se bashkëpunimi i jomyslimanëve ballkanas me forcat armike kundër Perandorisë rezultoi në intensifikimin e këtyre politikave islamizuese, të cilat qëllim të vetëm kishin ruajtjen e paqes dhe qetësisë në rajon. “Në këtë periudhë shohim islamizimin masiv të popullit shqiptar dhe të një pjese të popullit serb. Që nga ajo kohë, turqit i vendosën shqiptarëve kushtin e pranimit të islamit nëse donin të zbritnin në rrafshina. Në të njëjtën kohë, administrata turke e bënë të mundshme që myslimanët shqiptarë të shtrihen deri në thellësitë e Serbisë”, vë në pahë Kaleshi. Ai pohon gjithashtu se islamizimi i shqiptarëve i dha fund një bashkëjetese të ngushtë me sllavët si pasoj e së cilës shqiptarët sllavizoheshin. Ai thotë se myslimanët nuk martoheshin me sllavë dhe kjo jo vetëm që ndihmoi në ruajtjen etnike të shqiptarëve, por ndikoi edhe në shqiptarizimin e pjesëtarëve të etnive tjera ballkanase që ishin islamizuar. Sipas Kaleshit, meqë shqiptarët qenë bërë shumicë myslimane në rajon, të islamizuarit nga etnitë tjera nuk mund t’i shpëtonin dot shqiptarizimit. Në shkrim, Kaleshi vë në pahë edhe shqiptarizimin e shumë turqëve, çerkezëve dhe vllahëve të cilët jo vetëm që jetonin në mesin e shumicës shqiptare, por edhe për shkak të fesë islame nuk e kishin problem të martoheshin me shqiptarë.
 
Hasan Kaleshi në këtë shkrim nuk mëton të arsyetojë pushtimin e tokave shqiptare nga turqit e as islamizimin e shqiptarëve, por argumenton se si ardhja e turqëve në Ballkan ndaloi procesin e sllavizimit, latinizimit dhe greqizimit të shqiptarëve dhe sesi shqiptarët në Perandorinë Osmane u forcuan, u zgjeruan dhe i sunduan popujt tjerë të Ballkanit.
 
Duhet theksuar se shkrimi në fjalë është përkthyer nga gjuha turke dhe një shkrim me të njëjtat teza ekziston edhe në gjuhën gjermane, i cili është cituar shumë herë nga O. J. Schmit, N. Clayer, N. Malcolm, P. Bartl e shumë studiues të tjerë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit