1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Sindromat e administratës

Më të lexuarat

Jo rrallë herë veprimtaria administrative ngec në punët e veta duke u justifikuar nëpunësit me lloj-lloj malversimesh të kota në neglizhimin e tyre në punë, apo kryerjen e ndonjë pune e cila nuk është në kompetencë të tyre, që reflekton negativisht në administratë.

Ekzistojnë disa vese që unë do t’i quaja sindroma të administratorëve apo nëpunësve shtetërorë në përgjithësi, e që nuk e lënë rehat në punë administratorin, që e marrin nën ndikim atë.
Sindromat nuk e kanë kuptimin patologjik-klinik, por vetëm si anomali që rezultojnë kryesisht nga ambiciet përtej potencialit real-si frustrim -ose si bindje e sjellje me të cilat disa njerëz çmojnë se veprojnë në funksion të prokopisë më të dendur ndërsa kësisoj gjenden në raportet e efekteve të kundërta.

Burokracia

“Çdo sundues apo udhëheqës i cili e mbyll derën e tij para atyre që janë nevojtarë, para të varfërve dhe para të mjerëve, Allahu i Madhëruar do t`ia mbyllë dyert e qiellit kur ai ka nevojë, kur do të jetë i varfër dhe i mjerë”
(Muhamedi alejhi selam)

Burokracia si fenomen ka ekzistuar që në kohërat e lashta, dhe sot atë e hasim nëpër organet e administratës, të fshehur brenda petkut të transformimeve, politike, qeverisëse. Vetë burokracia nënkupton sundim prej zyrës apo byrosë, ku burokrati qëndron ulur pa e parë gjendjen reale të funksionimit të administratës, qëndrimin e administratorëve ndaj administratës dhe administratorëve ndaj qytetarëve. Kurse në anën tjetër burokracia është përkufizuar si administrim i përkufizimit në shkallë të gjerë përmes departamentesh dhe agjencive të tyre dhe janë menaxhuar nga një grup njerëzish të caktuar, duke ndjekur një formë të të menaxhuarit e cila është kthyer në rutinë të përhershme, si pasojë e së cilës zvogëlohet efiçenca e të menaxhuarit në administratën publike.

Edhe pse koha e transformimit të burokracisë me demokracinë nuk është e re, ende nuhatet sjellje prej burokrati në organet e administratës sot, ku nëpunësit e ndryshëm shtetërorë dhe administratorët ende luten nga qytetarët për kryerjen e ndonjë shërbimi.

Një autor është shprehur bukur kur thotë se burokratët i “këshillojnë” qytetarët që “duhet të dëgjojnë dhe të jenë të shurdhër” dhe që “duhet të shikojnë dhe të jenë të verbër”. Kurse, Saint-Just, thotë se: “Përderisa mund të shihni dikë, ku pret në paradhomat e zyrave dhe të gjykatave, administrata shtetërore nuk vlen asgjë”. E kundërta e vlerës së administratës, nëpunësve të tij, e kundërta e etikës me rastin e shërbimeve publike është burokracia e cila vazhdimisht e ndjek administratën. Ajo i injoron rregullat dhe kodekset etike duke instaluar dembelizmin dhe tiraninë në proceset administrative dhe të organeve tjera shtetërore.

Mendjemadhësia

“Nuk do të hyjë në Xhenet asnjëri që do të ketë në zemrën e tij edhe sa një grimcë mendjemadhësie” (Muhamedi alejhi selam)

Mendjemadhësia është një sindromë e ngulitur fort në karakterin e njeriut, gjegjësisht në atë të administratorit mendjelehtë. Jo rrallëherë pozita e bën njeriun injorues ndaj krijesave të tjera, apo qytetarëve nevojtarë për të, duke mbajtur kokën poshtë para urdhrave të eprorit dhe duke qenë mospërfillës ndaj kërkesave të tyre, madje duke u kënaqur me lutjet e qytetarëve për kryerjen e ndonjë pune për të cilën ata kanë të drejtë.

Vetë puna e administratorit, kërkon thjeshtësi, syçeltësi, shpejtësi, korrektësi, drejtësi e kurrsesi mendjemadhësi, cilësi kjo e administratorëve narcisoid. Doemos administratori duhet të jetë i thjeshtë gjatë kryerjes së shërbimeve me qëllim të përhapjes së besimit të administratës tek qytetarët.
Mendjemadhësia është një ndër vetitë më të prishura, më të shëmtuara që mund t’i ketë individi . Duke pasur parasysh këto veti të këqija, nëpunësi i administratës duhet të jetë i zhveshur nga një petk i tillë ngase nuk është prej të mirave njerëzore e aq më pak të nëpunësit si i zgjedhur i shoqërisë. Kur njeriu krijon bindjen së është i gjithëdijshëm dhe i vetmi që mbështet ndërgjegjen, i tërë talenti shndërrohet në sindromë të të pazëvendësueshmit.

Nëpunësit e tillë janë të bezdisshëm duke e treguar veten para të tjerëve me atë dhunti që e ka, duke dashur të dominojë mbi të tjerët. Të tillët janë egoistë që kërkojnë ndryshim progresiv, janë këmbëngulës në besimin në vete duke ecur „sipër“ të tjerëve. Një gjë të tillë e ilustron verbëria e tij para fakteve. Ai e ka të vështirë të pajtohet me rolin e nëpunësit të thjeshtë ngase s’i pëlqen të marrë urdhra e t’i zbatojë ato sepse dëshiron që vazhdimisht të jetë në qendër të vëmendjes duke dhënë urdhra e duke ëndërruar sukses. Për çdo sukses të vockël .tenton të bëjë tollovi, të festojë, me qëllim që të tjerët ta lavdërojnë për të arriturat e tij.
Ky është administratori nga i cili pak pritet.

Zemërimi (nervozizmi)

“Buzëqeshja me vëllanë tënd kur të takohesh sy më sy është lëmoshë.”

(Muhamedi alejhi selam)

Shumë shpesh ndodh që administratorin gjatë punës së tij ta kaplojë nervozizmi me palën ose edhe me kolegun e punës. Vetë natyra e punës është e tillë që ka presion qoftë të kohës apo edhe të palës. E mira është që administratori ta mbajë veten në raste të tilla e të mos bie të gëlltitet nga ky ves jo i mirë.

Natyra e administratorit duhet të jetë i qetë, i durueshëm, tolerant dhe falës ngase puna në administratë është e lodhshme dhe duhet të përballohen tensionet që vijnë prej anash. Shpesh ndodh që, suksesi i dështuar të jetë shkak i nervozizmit. Të mendojmë se para vetes kemi një tavolinë me një grumbull dokumentacionesh të pakontrolluara, ndërsa në anën tjetër vazhdimisht jemi nën presion të të tjerëve, koha nuk na premton që me afat t’i kryejmë punët. Nervozizmi arrin kulmin dhe mund të pasojë edhe ndonjë ofendim.

Shtrohet pyetja se ku është problemi këtu? Ne duhet të pajtohemi me atë se mungon strategjia e punës, planifikimi i nevojshëm dhe joefikasiteti është evident. Por, para së gjithash duhet qetësim shpirtëror, ta ndalim veten e të shohim se ku kemi gabuar.

Profesor Bejtullahu, na flet për dy lloj nervozizmi: shfaqja e nervozizmit të hapët, edhe pse është më dekurajuese, si momentale kryesisht bëhet kaluese. Ashtu, sikurse të gjitha gjërat që shihen dhe duke i analizuar që objektivizohen, në drejtim që të tejkalohen me koshiencë, ashtu ndodh edhe me nervozizmin spontan e të hapët. Tejkalimin e ndihmon dhe e lehtëson mirëkuptimi dhe toleranca në relacionet personi-personi-grupi, ekipi, kolektivi.
Nervozizëm i fshehtë, rëndom është gjendje afatgjate për të cilën akumulohen përsëritje, të cilat rëndojnë dhe në këtë mënyrë duke “eksploduar” shkaktojnë pasoja të rënda. Ky nervozizëm ndërlikon marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe prish harmoninë e ritmit të veprimtarisë.

Lidhur me zemërimin Ahmed Muadh Hakki thotë: “Dije se zemërimi i shpejtë është prej veseve të mendjelehtëve, ashtu siç është moszemërimi virtyt i të mençurve. Zemërimi mbledh keqardhjen dhe njeriu është më i fortë që të përmirësojë gabimin para se të zemërohet pas tij”.
Zemërimi i administratorit ndërlidhet me joprofesionalizmin e tij në punë me mendjemadhësinë.

Kredencializmi

“…pozita është amanet dhe përgjegjësi (në këtë botë), ndërsa në botën tjetër nënçmim dhe pendim, përveçse nëse ndonjëri e kryen me përgjegjësi, me sinqeritet dhe drejtësi.” (Muhamedi alejhi selam)

Një sindromë i llojit të njëjtë është përhapur dhe vazhdon të përhapet me të madhe sot. Në botën moderne po ta kryesh një seminar apo kurs qoftë dy ditësh apo edhe më pak ndoshta, të jepet një certifikatë apo diplomë si dëshmi për kryerjen e atij kursi gjë që ka vlerën e vet, por çka nëse administratori vepron vazhdimisht duke i përcjellë me kujdes të veçantë seminaret mos t’i ikin, duke i lënë anash punët e tij administrative. Shumë personave kjo u është bërë kompleks në kokë dhe dëshira e tyre është që të sigurojnë sa më shumë mirënjohje e t’i varin në muret e tyre e në sirtarë.

Vesi i letrave mirënjohëse sipas Bejtullahut mund të shpjegohet përmes konceptit të “gjahtarëve të diplomave” dhe atë të “diplomat si kështjellë”.

Versioni i parë ka të bëjë me njerëzit të cilët vuajnë që të sigurojnë sa më shumë diploma. Mund t’ju shtojnë vetes edhe pranimet, mirënjohjet e edhe ndonjë dokument publik si lëvdatë, falënderim. Nëse bën edhe ndonjë dekoratë, këto ju vlejnë që të stolisen duke imponuar autoritetin vlerave të shkruara: me bindjen se janë të zgjedhurit. Ata pyesin “a ka diçka më të rëndësishme se imazhi i shkruar dhe vërtetuar si dokumenti zyrtar”? Qoftë edhe nga Rengalizia (vend që nuk ekziston).

Versioni i dytë shpreh ekspozimin e “të madhërishmes diplomë”, duke mos i shtuar kësaj veprimet me të cilat zotimet do ta arsyetonin. Edhe një letër e thjeshtë me shënimet e tija, të ketë vlerën e madhe tek njeriu me këtë ves ngase diploma është qëllimi i tij final duke bërë çmos që ta arrijnë atë, por sa vlen kjo? Aspak! Ne njohim njerëz që kanë lënë ndikim të madh në historinë e njerëzimit: në udhëheqje, shkencë, art, kulturë, politikë fizikë, por kurrë nuk kanë pasur diploma e dekorata në formë materiale, dhe ata kanë qenë të kënaqur me atë çka e kanë bërë, kurse sot kënaqësia gjendet në diploma e certifikata të fituara me dy ditë kurs, trajnim. Qëllimi ynë është të pikturojmë një nëpunës të administratës që i ka shpëtuar kompleksit të “gjahut pas diplomave”.

Gjahtari i diplomave është i barabartë me atë i cili dhomën e ka të mbushur me diploma, mirënjohje e dekorata, por në fakt është i pa suksesshëm.
A hahen diplomat!? Mbështetja në diplomë do të thotë sukses i vdekur që në fillim.

Monotonia dhe depresioni

“Dy dhunti, shumica e njerëzve i kanë të humbura; nuk ia dinë vlerën: shëndetit dhe kohës së lirë.” (Muhamedi alejhi selam)

Janë dy dukuri që nëpunësin administrativ e shoqërojnë vazhdimisht, : monotonia dhe depresioni. Zakonisht monotonia vjen në shprehje në ato raste kur punën që e bën administratori është e njëjtë dhe afatgjate. Puna e tij është e konceptuar brenda shablloneve funksionuese, nga i cili vështirë, dilet.

Monotonia si dukuri stresuese manifestohet në forma të ndryshme. Në vendin e punës te administratori zakonisht shfaqet plogështia fizike. S’ka dyshim se plogështia shkakton rënien e efikasitetit të punës, prandaj në mënyra të ndryshme duhet kërkuar freskinë në punë përmes dinamizmit dhe produktivitetit. Punëtorin, inovacionet duhet ta shoqërojnë vazhdimisht.

E rëndësishme është që punën të cilën e bën administratori ta bëjë me vullnet dhe të jetë fleksibil në të njëjtën, duke mos lejuar që asnjëherë ta mundë monotonia. Monotonia si dukuri vërehet në administratë me rastin e paraqitjes së devijimeve dhe neglizhimeve që bëhen në punë. Ndër shenjat që vërehen te monotonia janë gabimet e përsëritura të ritmit të njëjtë, rrënja e frymëzimit dhe përqendrimit në punë, zvogëlimi i cilësisë së veprimtarisë së ushtruar, dobësimi i reflekseve deri te lëndimet e lehta ose edhe të rënda8 që manifestohen më pas me dështimin e tij.

Depresioni është shkaktar i madh i mosinteresimit të nëpunësve gjatë shërbimeve publike në veçanti, dhe i injorimit të palëve, që përcillet me justifikime të kota. Do të thotë se depresioni dhe monotonia, si njëra ashtu edhe tjetra, kanë cilësitë e veta me të cilat ndikon mbi nëpunësin, me çka edhe bie ndesh veprimi dhe gjendja e administratorëve me rregullat e organizatës dhe kodekset etike të saj. Monotonia të largon nga efektshmëria në detyrë duke të plogështuar me rastin e vlerësimit të gjendjes reale dhe respektimin e rregullave në punë.

Korrupsioni

“E ka mallkuar Allahu atë i cili jep mito (ryshfet) dhe atë i cili merr (pranon miton-ryshfetin).” (Muhamedi alejhi selam)

Korrupsioni, si dukuri mjaft e përhapur, duhet të trajtohet nga këndi politik, juridik, ekonomik e social. Përgjithësisht me korrupsion nënkuptojmë, prishje, shkelje të normave ligjore e rregullave shoqërore, shpërdorimin e detyrave zyrtare etj. Për nga kuptimi juridik, korrupsioni (nga lat. corruptio-prishje, ryshfet, mitosje ose nga fjala corrumpere që do të thotë: shkelje, thyerje, si aludim se diç po thyhet si normë administrative juridike, norma shoqërore apo morale) quhen sjelljet e ndaluara lidhur me miton në kryerjen e funksioneve publike…Ky nocion përmban një kuptim edhe më të gjerë, kuptimin politikologjik që nënkupton shfrytëzimin e funksionit dhe të pozitës politike për qëllime jomorale dhe të kundërligjshme, për realizimin e ndonjë dobie personale. Një definim për korrupsionin e marrim edhe në Fjalorin e Oksford-it (concise dictionary of POLITICS): prishje ose shkatërrim i integritetit në kryerjen e detyrave publike nëpërmjet përfitimit të ryshfetit ose favorit. Përdorimi ose ekzistenca e korrupsionit ndeshet më tepër në organizimin shtetëror dhe në korporatat publike…

Një përkufizim i Bayley-t për korrupsionin në librin e tij The Effect of Corruption ina Developing Nation (1997) është ky: “Korrupsioni, i cili lidhet më tepër me veprimin e marrjes së ryshfetit, është një term i përgjithshëm që bazohet në mospërdorimin në mënyrën e duhur të autoritetit dhe kjo si rezultat i marrjes në konsideratë të përfitimit personal i cili jo gjithmonë është vetëm monetar”. Me korrupsion pretendohet dhe arrihet që përmes tij të plotësohen kënaqësitë vetjake dhe të ardhura suplementare, veç atyre të parapara me kontratën e punës. E tërë kjo bëhet larg syve të kontrollit. Një gjë të tillë zakonisht e bëjnë personat zyrtarë të një ndërmarrje, apo të administratës, dhe kryesisht bëhet nga personat me influencë dhe kredibilitet të rremë.

Dihet se administrata si institucion shtetëror e publik është fushë e frekuentimeve më të mëdha të qytetarëve dhe të nevojave të tyre. Qytetari i pafajshëm bie pre e korrupsionit sepse një gjë të tillë ia imponon vetë shërbyesi publik. E dimë se nevoja është ajo që qytetarët i shtyn të trokasin në dyert e administratës kurse e drejta e tyre gjendet te ata të administratës. Dhe arsyeja kryesore e prezencës së korrupsionit në suaza të administratës publike qëndron në faktin se është në duart e administratorëve publik që caktojnë ose shpërndajnë diçka për të cilën populli ka nevojë.

Michael Jonhston në veprën Political Corruption and Public Policy in America thotë: “Kërkesat e shpërblimeve qeveritare i tejkalojnë kufijtë e së mundshmes dhe për këtë arsye proceset e zakonshme të vendosjes zgjaten, rritet kostoja dhe rezultatet e tyre bëhen gjithnjë e më të pasigurta. Për këtë shkak proceset e vendosjes ligjërisht të sanksionuara, përbëjnë një grykë shisheje mes asaj që njerëzit dëshirojnë dhe asaj që mund ta kapin. Joshja për të kapërcyer këtë grykë, gjegjësisht për t’i shpejtuar punët dhe për të arritur vendime më të favorshme bazohet në relacionin ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë. Për ta kapërcyer grykën duhet përdorur ndikim politik dhe korrupsionin si formë më efektive të ndikimit që nënkupton sjelljen mbi proceset normale ligjore”.

Korruptoi do të thotë ta prishësh dikë nga ana morale për qëllime të caktuara12, duke i ofruar sasi të caktuara të hollash apo të mirash materiale duke mos lënë anash edhe pozitën me qëllim të sabotimit të aftësive morale të tij. Në këtë kontekst kundër korruptuesit dhe të korruptuarit vijnë në shprehje edhe ndëshkimet e parapara me ligj.

Korrupsioni si fenomen negativ në shoqëri, ka marrë përmasa të mëdha duke u bërë koncept shqyrtimi në shumë aspekte shoqërore si: në aspektin juridiko administrativ, politik, ekonomik etj.

Shqyrtimi i korrupsionit në aspektin juridiko-administrativ nënkupton, keqpërdorimin e pozitës zyrtare për interesa personale, abuzimin e normave ligjore për përfitime suplementare dhe favorizim, përshtatjen e tyre interesave personale, gjegjësisht interpretimin e tyre në favor individual. Administratori si person me influencë në shoqëri, manipulon me qytetarin ashtu siç i vjen atij për shtati dhe atë përmes paraqitjes së procedurave për realizimin e ndonjë të drejte, imponimin e dhuratave materiale dhe monetare për kryerjen e ndonjë shërbimi gjë që këto raste nuk janë të rralla.

Aspekti politik i korrupsionit zakonisht vërehet nëpër fushatat parazgjedhore, me rastin e agjitimeve politike kur liderët partiak para simpatizantëve të tyre premtojnë gjëra të kota të cilat nuk mund t’i realizojnë. Fatkeqësisht ky lloj mashtrimi nuk ka sanksion të normuar edhe pse qytetarëve u kushton shumë.
Korrupsioni politik zakonisht bashkëvepron dhe është i ngjashëm me atë ekonomik dhe juridiko-administrativ, ngase qëllimi është i njëjtë. Korrupsioni politik kërkon qasje të thuktë dhe zotësi politike me rastin e korruptimit. Ka raste kur lideri partiak kërkon nga elektorati votën dhe thotë “ma besoni mua votën, unë do të bëj kështu e ashtu”, në gjendje hipnoze. Për këtë arsye qytetari duhet të jetë syhapur, të mos bëhet pre e gënjeshtrave dhe e manipulimeve partiake.

Pra, në raste të tilla kemi të bëjmë me manipulimin e votës së lirë të qytetarit. Me këtë nënkuptojmë korrupsion të tipit gënjeshtër e manipulues, çka do të thotë se vota është e vjedhur para nesh. Hakmarrja ndaj këtyre partive është vetëm me shkarkimin e saj nga pozita që eventualisht ka fituar dhe apatia politike me rastin e mandatit të ardhshëm, definitivisht, bojkoti.
Korrupsioni në aspektin ekonomik paraqet dukurinë më të rëndë nga e cila nuk pëson vetëm individi por pasojat janë më të mëdha, shoqërore.

Me korrupsion ekonomik kuptojmë keqpërdorimin e procedurave doganore dhe anashkalimin e tyre. Me rastin e kalimit të mallit doganor administrata doganore injorohet kurse të dhënat e mallit doganorë jepen jo të sakta. Rëndom Ministria e Ekonomisë së një shteti ka kompetenca të mëdha të fushëveprimit dhe ingirenca kapitale, me çka donacionet dhe investimet e ndryshme shpeshherë bien pre e vetëm një strukture të ngushtë zyrtarësh që keqpërdorin ose vjedhin këto të mira materiale.

Ka raste kur elita e përbërë në baza familjare i përpin mjetet e mëdha kapitale dhe mundohet të anashkalojë informimin publik. Me fjalë të tjera korrupsioni ekonomik është më i gjerë, ngase ne e paraqitëm në koncepte elementare. Dhe përveç këtyre tri qasjeve të përmendura, korrupsioni është i përhapur edhe në ente dhe organe të tjera shtetërore si: në rendin publik (polici), në sistemin shëndetësor, arsimor etj.
Sipas një ankete të bërë në vitin 2000 nga “Transparency International”, Shqipëria në mesin e 99 shteteve renditet e 84.
Diçka më tepër se 50 % e kompanive pranojnë se u paguajnë bakshish nëpunësve publik;
Kostoja e korrupsionit për këto kompani private llogaritet rreth 70% e fondit të tyre;
Pagesa e ryshfetit është më e shpeshtë për kompanitë e ndërtimit dhe ato tregtare. Rreth 75 % e tyre pranojnë se paguajnë bakshishe ;
Gjysma e privatistëve pranojnë se paguajnë bakshish që nga viti 1991;
Përhapjen e gjerë të korrupsionit e konfirmojnë edhe nëpunësit publik. Më shumë se 2/3 e tyre mendojnë se fenomeni i ryshfetit është tepër i theksuar;
Sipas nëpunësve publik më shumë se 50 % e inspektorëve doganor paguajnë për të fituar këtë vend pune.
Rreth 25 % e qytetarëve shqiptarë që kanë pasur anëtarë të familjes së tyre të shtruar në spitale, pranojnë se punonjësve të shëndetësisë u paguajnë bakshish.

E kemi të njohur përkufizimin e korrupsionit dhe faktorët të cilët ndikojnë në zhvillimin e tij, gjithsesi dëmin që u shkakton organizatave respektivisht organizatave administrative publike. Ne më poshtë paraqesim disa nga faktorët të cilët ndikojnë në zbutjen e korrupsionit në administratë si:

– Arsimimi i duhur (i bazuar edhe në konceptin fetar dhe moral);
– Niveli i lartë i kulturës (ngritja kulturore);
– Mëditjet e mjaftueshme të nëpunësve publik (rrogë solide për të me qëllim që të jetë i kënaqur me të, në të kundërtën do t’i rreket korrupsionit);
– Kontrolli i rreptë, permanent mbi punonjësit publik (nga ana e shtetit).

Pjesë e shkëputur nga libri Qasje mbi parimet e administratës publike
te autorit Ibrahim Ceka
19.7.2009/klubikulturor/kohaislame

Shënim: Kjo temë është publikuar në një rubrikë të lirë dhe materialet që publikohen në të nuk do të thotë se përputhen kurdoherë me ato që redaksia e Klubit Kulturor i di për të vërteta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit