Eksodi masiv i qytetarëve nga Kosova me synim në vende siç është Gjermania, sipas Sindikatës së Bashkuar të Policisë Federale të Gjermanisë, nuk mund të ndalet me kontrollin e kufirit.
Në vetëm një muaj e gjysmë të fundit rreth 35,000 kosovarë kanë kaluar nga atdheu i tyre në shtete të BE-së dhe atë kryesisht në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
“Në Kosovë, njerëzit edhe 15 vite pas luftës duhet të jetojnë me një normë papunësie prej afro 60 për qind në varfëri të madha dhe një strukturë të fortë mafias. Nëse njerëzit atje po jetojnë me më pak se dy euro në ditë dhe nuk kanë perspektivë ekonomike për jetën, atëherë është e kuptueshme që kërkojnë rrugën për një botë më të mirë”, ka thënë Jörg Radek, kryetar i Sindikatës së Policisë Federale të Gjermanisë transmeton Gazeta Blic.
Sipas shefit të sindikalistëve të policisë gjermane këtë eksod masiv po e ndihmon edhe Serbia e cila vazhdon që kosovarët t’i sheh si qytetarë të “saj” dhe me këtë edhe u lëshon dokumente udhëtimi.
Në të njëjtën kohë Kosova edhe pse nga viti 2008 me pavarësinë formale nga Beogradi ky i fundit vazhdon ta ndihmojë këtë proces duke u lëshuar pasaporta qytetarëve të Kosovës dhe me këtë duke u dhënë atyre mundësi të kalojnë në perëndim dhe atje sërish të deklarohen si shqiptarë të Kosovës duke kërkuar më pas azil në vende të BE-së dhe sidomos Gjermani.
Sipas sindikatës së policisë gjermane, strategjia filtër e policisë kufitare në Hungari, Austri dhe Gjermani kundër një ikjeje dhe rrëmuje të tillë, pavarësisht numrit të lartë të konfiskimit është e paefektshme.
Sipas sindikalistëve të policisë gjermane, Gjermania ka marrë obligime të ndihmojë në formim të shtetit të së drejtës në Kosovë, zhvillimit ekonomik dhe luftimit të mafias në këtë shtet.
E të gjitha këto janë parakushte që Kosova të ketë një perspektivë më të mirë për qytetarët e saj./Gazeta Blic/