1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Siguria në fjalë

Më të lexuarat

Siguria në fjalë

Abdul Bari Thubejti

Imam dhe ligjërues në xhaminë e Profetit salallahu alejhi ue selem

Vërtet falënderimet i takojnë Allahut. Atë falënderojmë dhe vetëm nga Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. I kërkojmë Allahut mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe punëve tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu nuk mund të humbë dhe atë që e lë në humbje nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është dhe i Dërguar i Tij.

Më pas:

Vërtet gjuha është nga gjymtyrët më të rrezikshme që ka krijuar Allahu në trupin e njeriut. Për këtë thotë i Lartësuari, duke i kujtuar besimtarët: “Thoni robërve të mi: ‘Le të thonë atë që është më e mira, sepse shejtani ndërsen mes tyre dhe vërtet shejtani është armik i hapur për njeriun”. Isra, 53.

Pyeti sahabi i nderuar Muadh ibën Xhebel Profetin salallahu alejhi ue selem se cila është vepra që më së shumti i fut njerëzit në xhenet dhe i largon ata nga zjarri. E lajmëroi atë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem për kreun, shtyllën dhe piedestalin e saj, pastaj tha: “A dëshiron të të lajmëroj për atë që është më e mirë se të gjitha këto?” I thashë: “Sigurisht, o i dërguar i Allahut”. Atëherë ai kapi me dorë gjuhën e tij dhe tha: “Mbaje këtë!”. I thashë: “O i dërguar i Allahut, vallë do të merren në konsideratë ato që nxjerrin gjuhët tona?” Profeti salallahu alejhi ue selem ia ktheu: “Të pastë nëna, o Muadh! Po mos vallë i hedh njerëzit me fytyra për në zjarr veç asaj që kanë korrur gjuhët e tyre”? Tirmidhiu.

Vërtet pastrimi i gjuhës nga mangësitë, maturia përpara se të flasësh dhe peshimi i fjalës përpara se ta nxjerrësh është çështje e madhe, sepse me të siguron xhenetin, ashtu sikur ka thënë dhe i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “Kush më siguron mua atë që është midis dy buzëve dhe atë që është midis dy kofshëve, i siguroj atij xhenetin”. Buhariu.

Thotë Allahu: “Padyshim se ata të cilët trilluan përgojim (kundra Aishes, bashkëshortes së Profetit salallahu alejhi ue selem) janë një grup nga mesi juaj. Mos e quani gjë të keqe për ju, përkundrazi, kjo është gjë e mirë për ju. Për çdo njeri prej tyre do të paguhet aq sa ka fituar nga gjynahu i bërë..”. Nur, 11.

Vërtet nxori në pah trillimi dhe shpifja rrezikshmëri të madhe dhe pasiguri në fjalë, si dhe përhapjen e tyre në bashkësinë islame. Vërtet trilloi dhe shpifi Abdullah ibën Ubej (i pari i hipokritëve në Medine) në nderin e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe hodhi shpifje mbi gruan e tij më të dashur dhe mbi vajzën e më të dashurit njeri tek ai. Sikurse akuzuan dhe një sahib të nderuar me këtë akuzë të shpifur. Kështu vloi Medina një muaj të tërë nga kjo sprovë. U përcoll kjo ndodhi gjuhë pas gjuhe dhe shtëpi më shtëpi, derisa arriti tek i Dërguari salallahu alejhi ue selem, më vonë u njoh me të edhe Ebu Bekri dhe më pas edhe nëna e besimtarëve Aishja.

Ka thënë Ibën Kajim: Çfarë mund të thuash për Profetin salallahu alejhi ue selem i cili qëndroi në çështjen e saj, pyeti për të dhe u konsultua me të tjerët në lidhje me çështjen e saj dhe ai është që më së miri e njeh Allahun, pozitën e vetes tek Ai dhe çfarë merite ka. Por, mos vallë ai tha: I lartësuar është Allahu vërtet kjo është një shpifje e madhe, ashtu si thanë shokët e tij më të nderuar? Përgjigja është se kjo është nga urtësia e lartë dhe e shquar të cilën e vendosi Allahu këtë ndodhi dhe e bëri atë shkak të saj dhe provim për të. Me të provoi Allahu Profetin salallahu alejhi ue selem dhe të gjithë besimtarët deri në Ditën e Gjykimit, në mënyrë që të ngrejë Allahu me të popuj dhe të poshtërojë me të disa të tjerë. I shton Allahu me këtë ndodhi atyre që janë udhëzuar, udhëzimin dhe besimin dhe nuk u shtohet me të të padrejtëve vetëm se shkatërrim dhe humje. Për shkak që të ishte sa më i plotë ky provim iu vonua Profetit salallahu alejhi ue selem shpallja një muaj në lidhje me çështjen e saj dhe nuk shpalli Allahu për të asgjë. Kjo për shkak që të plotësohej urtësia të cilën e dëshiroi dhe e caktoi Allahu dhe që të shfaqej në pamjen më të plotë. Kështu që u forcohet me të besimtarëve besnikë besimi, maturia në fjalë dhe mendimi i mirë për Allahun, të dërguarin e Tij, pjesëtarët e familjes së Profetit salallahu alejhi ue selem dhe besnikëve prej robërve të Tij.

Dhe me këtë i shtohet hipokritëve hipokrizia dhe trillimi dhe të shfaqen për të Dërguarin salallahu alejhi ue selem dhe besimtarët të fshehtat e tyre dhe po ashtu të përkryej adhurimi nga ana e besnikes (Aishes) dhe prindërit e saj. Po kështu të plotësohej mirësia e Allahut për ta dhe të shtohej edhe më tepër nga ana e tyre dëshira dhe nevoja për Allahun dhe atë që gjendet tek Ai. Sikurse dhe të shtohej me të edhe më shumë nënshtrimi dhe madhërimi për Të. Të shtohej shpresa prej Tij dhe të shkëputej shpresa e saj (Aishes) prej krijesave. Ndaj për këtë e vuri në vend kjo ndodhi drejtësinë (pafajësinë) e saj, aq sa që kur i thanë prindërit: Çohu dhe shko te Profeti salallahu alejhi ue selem se vërtet Allahu ka zbritur shpallje që flet për pafajësinë tënde, ajo tha: “Pasha Allahun, nuk shkoj tek ai dhe nuk falënderoj vetëm se Allahun. Vërtet Ai është që zbriti pafajësinë time”. Këtu mbaron fjala e Ibën Kajimit.

Më pas qortoi Kurani ata të cilët u përzien me shpifjen me një qortim të hidhur e të dhimbshëm: “Kur ju po e përçmonit atë me gjuhët tuaja dhe po e flisnit me gjuhët tuaja atë gjë për të cilën ju nuk kishit asnjë dije. Ju e quajtët atë si të vogël, ndërsa tek Allahu ajo është shumë e madhe”. Nur, 15.

Ndodhi të cilën e përcjellin gjuhët sikur të ishte ndonjë vegël e cila nuk ka logjikë e as mendim. Si mund të jetë kaq e lehtë një fjalë që thuhet dhe me të shkaktohet përhapje të së keqes, trillime të ndërtuara në kotësi dhe shkatërrim për familjet!

E nxjerrin një fjalë të tillë nga gjuhët duke mos qenë të vetëdijshëm, as duke e logjikuar dhe peshuar atë. Por, ato janë fjalë të cilat i belbëzojnë buzët përpara se t’i logjikojnë ato mendjet. Të siguruarit në të gjitha çështjet është argument për arsyen e lartë dhe logjikën e shëndoshë. Kështu që kush i vërteton gjërat, njihet mirë me to, mëson se si të dëgjojë, të logjikojë dhe të veprojë, atëherë do të jetë i saktë në ato që thotë, e në të kundërtën përfundimi i tij është pendim dhe fatkeqësi. Vërtetimi i gjërave është argument për sinqeritetin dhe qëllimin e mirë, sepse ai i cili përqendrohet në shprehjet apo që ka sëmundje në zemër gëzohet për ato që dëgjon, kështu që e përhap dhe e shpërndan atë duke mos kërkuar saktësinë e saj apo të vërtetohet për thënien e saj. Por besniku në veprat e tij është ashtu si kanë thënë: “Besimtari kërkon justifikimet ndaj vëllezërve të tij, ndërsa hipokriti kërkon gabimet e vëllezërve të tij”.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe mos ndiq atë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet”. Isra, 36.

Ka thënë Katade: “Mos thuaj pashë dhe ti nuk ke parë, dëgjova dhe ti nuk ke dëgjuar, apo e di këtë kur ti nuk e di, sepse Allahu do të pyesë për të gjitha këto”.

Shprehjet “mendoj” e “thonë” janë rrugë të cilat bien në kundërshtim me qenien i sigurt në fjalë dhe në hadith thuhet: “Sa mjet i keq është ajo që përdor dikush me thënien “mendoj”. Ebu Daudi.

Sepse “mendoj” në realitet nuk është vetëm se mjet mashtrues. Çdo person që i ka vendosur vetes synime apo ka hamendje nuk mund të lirohet (të marrë frymë lirisht) nga ato që ka në kraharorin e tij vetëm se duke fabrikuar sajesa e mashtrime dhe duke përcjellë ndodhi apo lajme të qëllimta nën petkun e “mendojnë” apo “thonë”. Por sa e largët do të ishte që të shpëtonin nga kjo e keqe fallto, si dhe përhapja e asaj që gjendej në të prej thashethemeve dhe dëmit që i bëhet ymetit?

Vërtet te njeriu ka sjellje fëminore ndaj disa individëve në bashkësi, në mënyrë që të prishin atë që ai ka ndërtuar, që ta bëjnë të papranuar fjalën e tij dhe të hedhë xhelozi në zemra. Kështu që ndodh armiqësim dhe urrejtje, cilësi këto që nuk i ka muslimani.

Nga bazat e sigurisë në fjalë është që të mos përcjellë muslimani çdo gjë që e dëgjon.

Ka thënë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Mjafton për dikë të jetë gënjeshtar nëse fletë me çdo gjë që dëgjon”. Muslimi. Sepse çdo gjë që dëgjon njeriu është e përzier në të e vërteta me të kotën, kështu që shkakton thënia e tij çrregullime, mos përqendrim të mendimeve dhe mos qetësi dhe qëndrueshmëri. Thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Në qoftë se një njeri i ligë dhe i poshtër ju vjen me ndonjë lajm, sqarojeni dhe bëjeni të qartë,…”. Huxhurat, 6.

Pra, shqyrtojeni këtë fjalë që ai ua thotë dhe mos e besoni menjëherë, sepse ai i cili ka ardhur me këtë lajm mund ta ketë bërë atë rrugë për të arritur në ndonjë qëllim të prishur të tijin, apo që të përfitojë me të diçka.

“O ju që keni besuar! Në qoftë se një njeri i ligë dhe i poshtër ju vjen me ndonjë lajm, sqarojeni dhe bëjeni të qartë, që të mos dëmtoni njerëzit nga padija e pastaj të ndjeni keqardhje për atë që bëtë”. Huxhurat, 6.

Në mënyrë që të mos dëmtoni të pafajshmit duke mos e ditur në realitet gjendjen e tyre, e më pas të ndjeni keqardhje për atë që bëtë.

Mendimi i keq për të tjerët është nga shkaqet e mos sigurisë në fjalë.

Thotë Ibën Kudame: “Nuk lejohet për ty të mendosh për muslimanin keq, vetëm nëse zbulohet për të diçka e cila nuk pranon komentim. Nëse të lajmëron për të një i besueshëm dhe të anon zemra nga kjo, atëherë je i justifikuar” Por më pas ky dijetar ka dhënë shenjë në një kusht të rëndësishëm ku thotë: “Por për ty kërkohet që të hulumtosh se mos ndërmjet këtyre dy personave ka armiqësi dhe smirë”. Kush nuk edukohet me sigurimin në fjalë atëherë sprovohet me gjykimin mbi qëllimet dhe zemrat e njerëzve. Ka thënë imam Shafiu: “Gjykimi ndërmjet njerëzve që janë në zënkë duhet të ndërtohet në atë që dëgjohet nga çdonjëri prej tyre, mbi atë që kanë shprehur edhe nëse në zemrat e tyre kanë patur diçka të kundërt me thëniet e tyre”.

Nga siguria në fjalë është mos pasimi i sajesave për sa kohë njeriu është që i urren dhe nuk i pranon ato. Nëse për dikë është trilluar ndonjë shpifje dhe ai nuk e pranon atë, apo justifikohet në lidhje me të, nuk është prej sigurimin në fjalë vazhdueshmëria në bisedat ndaj tij. Hatib ibën Belta kur ndodhi prej tij që shfaqi fshehtësinë e Profetit salallahu alejhi ue selem kërkoi Umeri që t’i priste kokën, porse Profeti salallahu alejhi ue selem e dëgjoi justifikimin e tij deri në fund. Atëherë tha: “Ka thënë të vërtetën dhe mos thoni për të vetëm se të mira”. Buhariu.

Thashethemexhiu nuk njeh sigurim në fjalë dhe mos dëgjimi i tij është largim nga e keqja e tij. Ka trasmetuar Tirmidhiu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Të mos më thotë askush diçka për shokët e mi, sepse kam dëshirë që kur të dalë tek ata të jem me gjoks të hapur”.

Mos i ktheni sekretet tuaja në thashetheme. Thotë Ibën Kudame: “Mos i beso atij që nuk di gjë tjetër veç përcjelljes së ndodhive, sepse thashethemexhiu është i prishur dhe të prishurit i refuzohet dëshmia”.

Nëse bazoheni tek thashethemexhinjtë dhe i dëmtoni vëllezërit tuaj me injorancë, patjetër që do të pendoheni për atë që keni bërë. Dhe nga gabimet e rënda është që të pranoj dikush fjalët e njerëzve për njëri–tjetrin, më pas në saj të kësaj do dhe urren, lavdëron dhe përçmon. Sa e sa çështje kanë hapur njerëzit që nuk kanë asnjë të vërtetë, porse janë ndërtuar në gënjeshtra dhe sajime?! Ndodh që njeriu të jetë i drejtë, porse ai nuk e di se si t’i dëgjojë dhe as se si ti përcjellë ato që dëgjon, kështu që bie në fatkeqësinë e gënjeshtrës. Shumica e njerëzve besojnë çdo gjë që u thuhet duke mos e kuptuar. Disa që janë të rrahur me gënjeshtra përdorin hile aq sa që edhe ata që njihen për maturi në fjalë bien në kurthet e tyre, sidomos në kohët e sotme ku armët e pretendimit dhe gënjeshtrës janë rezultateve aq sa që po luftohemi me to. Po ashtu sot për gënjeshtrën ka punishte dhe fabrika të cilat e përgatisin e zbukurojnë dhe e lustrojnë atë, më pas e fusin helmin e saj në yndyrë dhe jepet si ushqim për të pavëmendshmit e pafajshëm, e kështu që kjo i hedh ata nëpër rrjetet e gënjeshtrës duke mos e kuptuar ata një gjë të tillë. Nëse burrat e së djeshmes kërkonin saktësimin e diçkaje një herë, ne duhet ta bëjmë atë me mijëra herë, sepse është përhapur tek ne dezinformimi e edhe marrëdhëniet janë prishur shumë. Kështu që jemi përçarë për shkak të mashtrimeve dhe thashethemexhinjve, ndërsa njerëzit vërtet që kanë nevojë që të punojnë me këtë ajet që të drejtohen fjalët e tyre dhe të qetësohen gjokset e tyre: “O ju që keni besuar! Në qoftë se një njeri i ligë dhe i poshtër ju vjen me ndonjë lajm, sqarojeni dhe bëjeni të qartë, që të mos dëmtoni njerëzit nga padija e pastaj të ndjeni keqardhje për atë që bëtë”. Huxhurat, 6.

Transmetohet se Umer ibën Abdulazizi ka thënë: “Vërtet nëse më vjen dikush që është grindur dhe në dorën e tij ka syrin e tij të hequr, nuk gjykoj se atij i është bërë padrejtësi derisa të dëgjoj personin tjetër me të cilin është grindur, se ndodh që ky t’ia ketë hequr të dy sytë atij.” Vërtet mos kërkimi i realitetit dhe nxitimi të çojnë në dëme dhe të këqija të shumta.

Ndodh që dikush dëgjon një lajm dhe menjëherë e beson atë e si pasojë të saj, miqëson dhe armiqëson, por kur më vonë del në pah se ajo që dëgjoi kishte qenë trillim, i devijuar apo falsifikuar. Ndodh që të jetë stërmadhuar apo nuk ka patur për qëllim atë që është kuptuar. Kështu që digjet i nxituari nga flakët e pendimit dhe rënkon në shtratin e fatkeqësive. Nga Usame ibën Zejd transmetohet se ka thënë: “Na dërgoi Profeti salallahu alejhi ue selem tek El-Hurka[1], kur agoi e sulmuam atë popull. Arrita unë dhe një ensar[2] një burrë prej tyre, kur iu vërsulëm ai tha: La ilahe il Allah, sapo dëgjoi këtë fjalë ensari u largua prej tij, ndërsa unë e qëllova me heshtën time derisa e vrava. Kur arritëm në Medine i arriti lajmi të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe ai më tha: “O Usame, vërtet e vrave atë pasi tha: La ilahe il Allah?” Thashë: “O i dërguar i Allahut, por ai e tha nga frika këtë fjalë!” Profeti përsëri tha: “Vërtet e vrave atë pasi tha: La ilahe il Allah?” Kështu vazhdoi ta përsëriste këtë shprehje aq sa thashë me vete: “Ah sikur të mos isha musliman para se të ndodhte kjo ndodhi”. Buhariu.

Në një transmetim tjetër ka ardhur se Usame i tha Profetit salallahu alejhi ue selem: “Ai e tha këtë fjalë nga frika e shpatës!” Profeti iu drejtua duke i thënë: “Mos vallë ia hape zemrën që të mësoje se e tha nga frika apo jo?” Kështu vazhdoi ta përsëriste këtë shprehje aq sa thashë me vete: “Ah sikur të mos isha musliman para se të ndodhte kjo ndodhi”. Muslimi.

Në një transmetim tjetër ka ardhur se Profeti salallahu alejhi ue selem i thoshte atij: “Çfarë do të bësh ti me La ilahe il Allah Ditën e Gjykimit?” I thashë: “O i dërguar i Allahut, më fal mua, por ai përsëriste të njëjtat fjalë.” Muslimi.

Vërtet kur mungon kërkimi ndaj të vërtetës përhapen shkëndijat e shpifjes të cilat u vishen atyre që janë modest. Sa shkëndija të tilla janë hedhur nga qëllimkëqijtë dhe i kanë dëgjuar ata që janë të nxituar dhe si pasojë kanë lënë një plagë që nuk mbyllet, sy që nuk pushojnë së lotuari dhe grupacione që më nuk mund të bashkohen?! Përhapja e ndodhive është nga armët më efikase dhe shkatërruese për individët dhe shoqëritë. Kjo është luftë aq e fshehtë sa që në të janë mbështetur armiqtë dhe e kanë marrë si mënyrë për shkatërrimin e bashkësisë islame, prishje të moraleve dhe tronditje të mentaliteteve. Aq sa depërtojnë armiqtë me anë të dezinformimeve në frontet e brendshme dhe i rrethon ato, apo i godet kaosi, përçarja dhe dobësia.

Është detyrë për muslimanin që nëse i vjen në vesh diçka nga thashethemexhiu, apo dëgjon për vëllanë e tij diçka të papëlqyeshme ta mbrojë nderin e tij. Kur shkoi Profeti salallahu alejhi ue selem në luftën e Tebukut nuk mori pjesë në të Kab ibën Malik. Kur arritën në Tebuk pyeti për të Profeti salallahu alejhi ue selem. Tha dikush: “E ka penguar shikimi në kopshtin e tij dhe e kanë mahnitur frutat që ai ka! Sa fjalë e keqe ishte ajo që the ia ktheu Muadhi, pastaj u drejtua nga Profeti salallahu alejhi ue selem dhe i tha: “Pasha Allahun, o i dërguar, nuk dimë për të vetëm se të mira.” Buhari dhe Muslimi.

Ky burrë e mbrojti nderin e vëllait të tij dhe profeti ia miratoi diçka të tillë. Vërtet kërkohet që muslimani ta mbrojë nderin e vëllait të tij dhe t’i largojë prej tij akuzat që bëhen dhe nëse ne veprojmë një gjë të tillë, atëherë do t’i parandalonim thashethemexhinjtë.

Një ditë Profeti salallahu alejhi ue selem doli të vizitonte disa nga shokët e tij, kur arriti atje pyeti: “Ku është Malik ibën Duhejshin?” Ai është munafik. Nuk e do Allahun as të dërguarin e Tij. Në këtë moment Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Mos e thoni një gjë të tillë! A nuk e dini se ai thotë La ilahe il Allah dhe shpreson me të kënaqësinë e Allahut?….Vërtet Allahu ia ka bërë të ndaluar zjarrit atë që thotë La ilahe il Allah dhe shpreson me të kënaqësinë e Allahut.” Buhariu dhe Muslimi.

Vërtet muslimani edhe nëse është gjynahqar apo bie në një gjynah të madh përsëri atij i mbetet nderi dhe nuk i lejohet askujt të marrë diçka prej tij.

Vërtet robi do të merret në llogari për fjalët të cilat i nxjerr nga goja e tij. Sigurisht që Allahu ka thënë të vërtetën: “Ndaj jush janë përcjellësit”. Infitar, 15.

Thotë i Lartësuari: “Vërtet njeriu nuk nxjerr ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”. Kaf, 18.

Thotë Allahu: “Dhe dijeni se Allahu di shumë gjëra që ju i fshihni në vetvete, ndaj frikësohuni Atij”. Bekare, 235.

Thotë Allahu: “Ai është i njohur për shikimin me cep të syrit dhe din dhe atë që e fshihni në zemra”. Gafir, 19.

Thotë Allahu: “Madje kur u vjen atyre (hipokritëve) ndonjë lajm qetësues apo shqetësues, ata e përcjellin atë dhe sikur t’ia linin atë të dërguarit apo përgjegjësve të tyre, do të dinin të nxirrnin përfitime. Por po të mos ishte dhuntia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, atëherë ju, përveç një pakice, do të ndiqnit rrugën e shejtanit”. Nisa, 83.

Kjo në formë edukimi nga ana e Allahut për besimtarët, për atë vepër që nuk meritojnë ta kryejnë. Kjo vepër është shpejtimi për në përhapjen e një lajmi nga çështjet e rëndësishme dhe dobitë e përgjithshme, të cilat lidhen me qetësinë dhe gëzimin e besimtarëve apo në të cilin ka frikë për ta apo udhëzim. Në këto raste kërkohet që të sigurohen në lajmet dhe t’i çojnë ato tek i Dërguari salallahu alejhi ue selem apo të parët e tyre të cilët i njohin çështjet dhe e dinë se ku është dobia. Kjo në mënyrë që nëse shohin në përhapjen e këtij lajmi dobi, shtim të zellshmërisë nga ana e bashkësisë apo gëzim për ta dhe hidhërim për armiqtë e tyre e përhapin këtë lajm. Por nëse me përhapjen e tij shohin që këto që përmendëm nuk qëndrojnë, atëherë nuk e përhapin atë në bashkësi.

Dhe sa nevojë që kemi ne për një maturi të tillë në lajmet e shumta që na përcillen!

Sa nevojë kemi ne për një llogari precize për shumë vepra që i kryejnë gjymtyrët tona!

Por, a po e kuptojmë një gjë të tillë?! Vallë a po i llogarisim vetvetet përpara se të meremi në llogari?!

Kjo dhe Allahu është më i Dituri dhe paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed salallahu alejhi ue selem.

Përktheu: Bledar Haxhiu

burimijetes.com

11.08.2008

[1] Xhuhejsh ibn Amir Eth-Thalebij: Është përmendur me këtë emër sepse ky person në luftën e tij me një fis i ka djegur, kështu që dhe iu rrit fama me këtë emër aq sa dhe fisi filloi të emërtohej me të.

[2] Me këtë emër janë emërtuar muslimanët e Medines që do të thotë: Ndihmuesit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit