Muajt e fundit, raportime të përsëritura nga qytetarët flasin për rritje të rasteve të vjedhjes së veturave, ndërsa policia ende nuk ka njoftuar për gjetjen e ndonjë prej tyre e as për shifrat e rasteve.
Edhe metoda e vjedhjes paraqet risi. Kanë shkuar kohët kur për të vjedhur një makinë, thyhej xhami, çahej mbulesa plastike nën timon dhe disa tela elektrikë thjesht lidheshin bashkë për ta ndezur.
Mjete më të sofistikuara janë në përdorim nga vjedhësit e makinave bashkëkohore, përfshi kompjuter, antena speciale, turjela shpuese pa zhurmë dhe instrumente të tjera moderne të nevojshme për të marrë kontrollin e automjeteve të prodhuara në dekadën e fundit.
Sabri Azemi dhe Jetnor Gashi raportuan në Kallxo.com se veturat e tyre janë vjedhur në Prishtinë, në parkingjet e banesave ku ata jetojnë. Të dyja makinat janë prodhuar brenda 10 viteve të fundit – një Audi A4 e vitit 2010 dhe një Seat Altea e vitit 2005.
Sa hap e mbyll sytë
Azemi tregoi se më 14 prill ka parkuar veturën e tij Audi A4 në parking, rreth orës 10:30 në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku edhe jeton. Ai tha se vetura është vjedhur më 15 prill rreth orës 12:05 në mesnatë, sipas një incizimi në kamerat e sigurisë.
“Kur jam qu në mëngjes pasi që e kam parë që nuk është makina aty e kam lajmëru policinë. Kërkova me ma dërgu një patrullë thanë që nuk munden se duhet me shku me lajmëru rastin në stacionin policor në qendër. Prej aty kanë marrë deklaratat; kam dhënë informatat e nevojshme lidhur me makinën”, tha ai.
Azemi tregoi se nga disa kamera, policia ka gjetur pamjet e vjedhjes së veturës.
“Më kanë thirr me vërtetu se a ka qenë ajo makinë apo jo. Pasi e konstatuam se ajo ishte makina ata thanë se do të vazhdojmë me video incizimet e tjera prej komunës dhe disa lokacioneve tjera me këqyr se ka shku prej aty”, u shpreh Azemi.
Ndërsa rasti i Jetnor Gashit ka ndodhur në muajin mars, kur mes datës 23 dhe 24 te Banesat e Tregtisë në “Mati 1”, i është vjedhur makina e markës Seat në parking të lagjes.
Ai tha se vjedhja e makinës ndodhi tri javë pasi e kishte blerë dhe se policia ishte vonuar për të ardhur në vendngjarje.
“Dyshimi kryesor ka qenë të ata njerëz që kanë pas kontakt me çelësin tim. Në mëngjes kur e kam raportu policinë në ora 7:10 në mëngjes kanë thanë se është t’u ardh patrulla. Mbas 20 min i kam thirr prapë dhe diku rreth orës 8:10 kanë thënë me u lajmëru në stacionin në qendër se s’kanë patrullë me dërgu tash”, u shpreh Gashi.
Sipas tij pas dy dite ka marrë telefonatë prej hetuesit në qendër dhe ka shkuar që të japë deklaratën.
“Kanë thënë me shku me këqyr vendin e ngjarjes. Kur kanë ardh e kanë pa pjesën kanë thënë se nuk është përgjegjësi e qendrës por e stacionit ne Dardani. Edhe një herë m’u ka dashtë prej fillimit me bo këtë muhabet. Aty e kam vërejt se nuk kam shpresë me gjet atë kerr”, pohoi Gashi.
“1:00 deri 7:00 mëngjes kamerat nuk kanë punuar e mu kerri m’u ka vjedh në 2 të natës prej kur është qel kerri dej o dhez kanë shku 40 sekonda maksimum. Kjo është shumë e dyshimtë se është qel shumë shpejtë”, tha Gashi.
Policia ngre supet
Lidhur me këto dy raste, Kallxo.com, kontaktoi Policinë e Kosovës për t’i konfirmuar si raste dhe për të ditur se çfarë ka bërë Policia e Kosovës, a ka të dyshuar apo të arrestuar dhe a ka gjasa të gjenden këto makina.
Mirëpo Zyra për Informim e Policisë, përmes postës elektronike, tha se detajet nuk mund të publikohen, pasi mund të ndikojnë negativisht në procesin e hetimeve.
“Përveç informatave qe ju keni për te dyja rastet, te cilat i kemi përcjellur me raporte ditore, detaje te tjera nuk mund te publikohen (momentalisht) pasi që mund të ndikojnë negativisht në procesin e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Gjithashtu Kallxo.com ka kërkuar edhe statistikat e fundit se sa makina janë vjedhur e sa janë gjetur deri më tani, mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje.
Hajnia në epokën dixhitale
Por si vidhen makinat pa lënë gjurmë dhe aq shpejt sa pretendohet nga pronarët e tyre?
Amir Kadriu, mekanik me përvojë që njeh edhe pikat e dobëta të makinave sa i takon sigurisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, shpjegoi për Kallxo.com procedurën e vjedhjes.
“Shumë raste që kemi hasur ndodhin kur ata i vjedhin sinjalin prej çelësit në distancë. Kanë antena të vogla të cilët montohen me një lap top dhe e vjedhin sinjalin prej çelësit nga personi që e mbyll kerrin dhe hyn në banesë”, tregoi Kadriu.
Ai shpjegoi se me atë sinjal të lidhur, hajni afrohet te kerri dhe shtin çelësin e vet që është multifunksional, çel makinën, hyn brenda dhe bën kombinimin. “Pastaj e ndez dhe e vjedh maksimumi për një minutë”.
Kadriu tha se mënyra të tjera përdoren për vetura siç janë disa Audi A4, modeli 2006 e më të reja. “Ata e marrin dhe e shpojnë derën përfundi bravës me turjelë, e çelin kerrin, bëjnë kombinimin e telave për me i dhënë kontakt dhe pastaj e kombinojnë me diagnozë [proces kodifikimi elektronik], sepse poshtë e ka konektorin për kontrollimin e kerrit ‘on board diagnostic’”, shpjegon ai.
Për Seat Altea është proces i njëjtë, duke e shpuar derën për ta hapur, duke i dhënë kontakt dhe pastaj duke bërë kodimin e çelësit, tregoi mekaniku.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë dhe informacionet nga policia janë shumë të kufizuara, shumica e pikëpyetjeve mbi rastet e vjedhjes së makinave në Kosovë mbeten pa përgjigje. Të paktën për momentin.kohaislame