8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Si ti luftoj mendimet e këqija që më pushtojnë?

Më të lexuarat

Pyetje:”Një mori pyetjesh dhe mendimesh të këqija më rrethojnë. Ulur apo në këmbë, duke ngrënë apo duke pirë, në çdo gjendje që të jem, më vijnë mendime nga më të ndryshmet rreth islamit, Zotit dhe krijimit. Më duket sikur nuk jam më myslimane siç kam qenë. Madje, do të thosha që më duket vetja si jobesimtare, mohuese e Zotit. Ndjej se jam krejt e vetme, nuk e ndjej dorën e Zotit dhe mbarësinë e tij, nuk ndjej qetësinë shpirtërore siç e ndjeja më parë. Më parë e ndjeja se Zoti më do, ndërkohë që tani nuk e ndjej më. Dua të di çfarë gjynahu kam bërë që të privohem nga një kënaqësi e tillë?
Nga mendimet e shumta, më duket sikur më copëtohen nervat. Ndjej se jam unë ajo që i sjell ndërmend mendimet, me vullnetin tim. Çfarë duhet të bëj, pasi më duket sikur nuk njoh as veten. A jam myslimane që ta vazhdoj rrugën, apo jo?
I jam kthyer Zotit dhe kam hequr dorë nga shumë gjynahe, megjithatë nuk po e ndjej praninë e Zotit si më parë. Nuk e ndjej se Ai më afrohet ashtu siç i afrohem unë, siç ceket dhe në hadith.
Kur vjen Ramazani, më duket se nuk e shfrytëzoj siç duhet dhe nuk përfitoj prej tij. Ndjej një lëmsh në fyt. Deri kur do të vazhdojë kjo? Edhe ndonjë çast kur e ndjej ëmbëlsinë e besimit, kjo ndodh për pak çaste dhe fashitet sërish.
Dua ti kthehem besimit të fortë, dua qetësinë që kam pasur. Më duket sikur më është paralizuar truri, nuk mund të mendoj për të ardhmen. Si të bëj një jetë si të gjithë njerëzit dhe ashtu siç do Zoti im?”

Përgjigje:”Motër e nderuar. Paqja e Zotit dhe mëshira e Tij qofshin mbi ju!
Fillimisht, unë dua të të them që ti nuk je jobesimtare, apo dhe hipokrite, Zoti na ruajt. Ajo që po të ndodh, janë vesvese nga shejtani i cili synon të të largojë nga Zoti, duke të hedhur dyshime në çështjet e besimit. Që të të largohen këto vesvese dhe dyshime, thjesht të duhet ta informohesh më shumë rreth luftës që bën shejtani për ta larguar njeriun nga Zoti dhe besimi.
Shkaqet që e çojnë besimtarin në një gjendje të tillë, siç e thamë, në radhë të parë është shejtani dhe së dyti, janë gjëra që kanë të bëjnë me vetë njeriun, nefsin e tij.
Nëse janë mendime dhe vesvese nga vetja jote, të çfarëdo lloji qofshin, si mendime që përgënjeshtrojnë Zotin, profetin Muhamed a.s, ligjet e sheriatit etj… janë mendime për të cilat nuk ke asnjë përgjegjësi. Të çfarëdo lloji të jenë këto mendime, nuk të nxjerrin nga kuadri i besimit, nuk të bëjnë jobesimtare apo mynafike.
Nëse i ke nga nefsi yt, gjë e cila është normale dhe kujtdo i ndodh, ajo që të ka ndodhur ty, është se ke ndjekur linjën e këtyre mendimeve dhe nuk je orvatur ti ndërpresësh.
Disa nga shokët e profetit Muhamed a.s, vajtën dhe iu ankuan lidhur me këto mendime dhe vesvese, të cilat u dukeshin shumë të rënda. Profeti Muhamed a.s i pyeti:”A i keni përjetuar këto?” “Po” i thanë. Profeti a.s u përgjigj:”Ky është besimi i qartë.” (Muslim)
Shohim që këto mendime dhe vesvese nuk e cenuan besimin e tyre. Shohim që profeti Muhamed a.s u gëzua dhe i përgëzoi shokët e tij të cilët përjetonin mendime dhe vesvese që i bënin të dyshojnë në besimin e tyre tek Zoti.
Nga Ebu Daudi, transmetohet se disa nga shokët e Profetit a.s vajtën dhe iu ankuan edhe ata për dyshimet dhe vesveset. Profeti a.s u tha:”Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi. E falënderoj Zotin që intrigën më të madhe të shejtanit, e ka reduktuar në vesvese.”
Shohim që Profeti a.s i sqaroi se këto vesvese dhe mendime nuk e dëmtojnë dhe cenojnë besimin e këtyre shokëve të Profetit a.s. Për rrjedhojë, besimtari nuk duhet tu kushtojë vëmendje këtyre mendimeve dhe vesveseve, pasi nuk kanë asnjë pasojë. Kjo është diçka që u ndodh dhe e përjetojnë njerëzit e mirë, prandaj dhe nuk ke përse mërzitesh, por trajtoji duke ndjekur këshillat e mëposhtme:

1 – Kërko mbrojtjen e Zotit (Eudhu bil-lahi minesh shejtani radhim). Thotë Zoti në Kuran:” Nëse djalli fillon të të ngacmojë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” (Fussilet, 36)
2 – Fryrja sikur pështyn në krah të majtë, tre herë.
3 – Ndërprit të menduarit. Kjo, duke mos lejuar që të zhytesh thellë e më thellë në këto ide dhe mendime. S’ke përse përhumbesh në këto mendime dhe vesvese. Mënyra më e mirë për ti luftuar ato, është duke e ndërprerë rrjedhën e mendimit dhe duke e zëvendësuar atë me përmendje të Zotit dhe punë të mira, çfarëdo lloj punësh për të cilat shpërblehesh. Sa herë që besimtari përmend Zotin dhe e përkujton shpesh atë, aq më shumë ia dobëson fuqinë dhe ia harxhon energjitë shejtanit. Një nga cilësitë e shejtanit, që përmendet dhe në suren Nas, është “khannas” që do të thotë që fshihet dhe largohet nga ai njeri dhe vend ku përmendet emri i Zotit.
Motër e nderuar!
Qetësohu dhe mos u hidhëro! Mos e shih dhe mos e akuzo veten si jobesimtare, apo mynafike. Tani që u ndërgjegjësove mbi burimin kryesor të këtyre mendimeve dhe faktin që nuk të cenohet besimi, fokusohu pak më shumë mbi shkaktarët personalë të kësaj ndjesie.

Një shkak tjetër, përveç shejtanit, që e çon besimtarin të mendojë gjëra të tillë, janë dhe gjynahet, të cilat ne zakonisht i fshehim dhe para njerëzve dalim dhe hiqemi si besimtarë dhe njerëz të mirë. Ky lloj dualizmi është i lodhshëm dhe çon në mendime të tilla.
Por, edhe nëse besimtari dhe besimtarja rrëshqasin në gjynahe, ata duhet të rendin dhe ta trajtojnë gjynahun me pendim. Thotë Zoti në Kuran:”Thuaj o robërit e Mi që e keni ngarkuar veten me gjynahe, mos e humbisni shpresën tek Zoti, Ai i fal të gjitha gjynahet, Ai është Falës dhe i Mëshirshëm.”
“Unë jam falës për ata që pendohen, besojnë, bëjnë vepra të mira dhe udhëzohen”
Vetë profeti Muhamed a.s na thotë:”Ai që pendohet nga një gjynah, është njëlloj sikur të mos e kishte vepruar atë gjynah”.
Në një hadith tjetër, ai e përshkruan gjendjen e besimtarit me fjalët:”Pasha Zotin, nëse ju nuk do të bënit gjynahe, Zoti do u hiqte nga kjo botë, do të sillte një popull tjetër që bënin gjynahe, pendoheshin dhe Zoti i falte.”(Muslim)
Pendimi të fal ndjesinë e të qenit pranë Zotit, se po i drejtohesh dhe i përgjërohesh Atij që është falës, i dashur dhe i dhembshur, Atij që thotë:”Rahmeti Im ka mbuluar gjithçka”. Ruhu nga demoralizimi dhe humbja e shpresës tek Zoti o motër, as mos e ço nëpër mend se je e privuar nga të qenit pranë Zotit. Sa herë që të rrëshqasësh në një gabim dhe gjynah, thuaj:”Gabova dhe më mundi shejtani dhe nefsi im këtë herë. Do e rregulloj me pendim të sinqertë.” Mënyra më e mirë për ta trajtuar gjynahun,është të shpejtosh të pendohesh, saqë në raste të tilla, Zoti thotë:”Robi im, bëj ç’të duash se të kam falur.” Këtu nuk është qëllimi që njeriut i hapet porta e gjynaheve, por qëllimi është që ti thuhet se kurdo që të trokasë në portën e rahmetit të Zotit, do e gjejë atë të hapur.
Prandaj, motër e nderuar, kij shpresë tek Zoti dhe bëj durim ndaj sfidave të kësaj bote, sidomos nëse nuk je e martuar dhe ambienti përreth nuk të ndihmon shumë për të ruajtur emrin, nderin dhe dinjitetin tënd.
E lusim Zotin tu ndihmojë ju dhe të gjitha vajzave besimtare si ju!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit