1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Si t’i bëjmë veprat e mira të pranuara

Më të lexuarat

Faktorët më të rëndësishëm që shkaktojnë veprën e mirë të besimtarit dhe që e bëjnë të jetë e pranueshme tek Allahu, janë sinqeriteti,  metoda sipas të vepruarit të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), padyshim edhe ushqimi i mirë i fituar nga hallalli. Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e konfirmoi këtë kur tha: “Vërtet, Allahu i Madhëruar është i mirë dhe nuk pranon asgjë, përveç të mirës.” Dhe ka thënë se “Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar pejgamberët.” I Madhëruari ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjëra të mira dhe veproni vepra të mira.” Gjithashtu, Allahu ka thënë: “O ju besimtarë, hani gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar!”

Kjo do të thotë se pejgamberët si dhe popujt e tyre janë urdhëruar të hanë prej gjërave të mira që janë hallall dhe të veprojnë vepra të mira. Nëse ushqimi është hallall edhe veprat do të jenë të mira, por nëse ushqimi nuk është halall, atëherë si do të jetë e mundur të pranohen veprat?

Transmeton Taberaniu nga Ibn Abasi i cili ka thënë se lexova këtë ajet në praninë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “O ju njerëz, hani prej gjërave që gjenden në tokë, hallall, të mira!” në këtë rast Sead ibn Ebi Vekas u ngrit në këmbë dhe tha: “O i dërguari i Allahut, lute Allahun që lutjet e mia të jenë të pranuara.” Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “O Sead,  ushqehu me ushqim hallall dhe lutjet e tua do të jenë të pranuara. Pasha Atë që shpirti i Muhamedit është në Dorën e tij, ai njeri  i cili e mbush barkun  e tij me një kafshatë harram, Allahu nuk do t’i pranojë veprat nga ai për dyzet ditë. Ai njeri që trupi i tij rritet me harram , do të digjet në zjarr.”

Transmeton Ebu Jahja el Katat, e ky nga Muxhahidi, ky nga Ibn Abasi se ka thënë: “Allahu nuk pranon namazin e një njeriu në barkun e të cilit ka harram.”

Mospranimi i veprave , sipas disa haditheve, mund të kuptohet se ai veprim nuk është në rregull, pasi nuk i plotëson kushtet. Shembull për këtë është hadithi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Allahu nuk pranon namazin e një njeriu që ka prishur abdesin, derisa të marrë abdes.”

Nga ky hadith nënkuptojmë se ai njeri i cili nuk ka abdes, nuk mund të pranohet namazi i tij. Pranimi në këtë rast është i lidhur ngusht me një element, i cili është i kushtëzuar që të plotësohet e që është pastërtia, nga fakti që mosplotësimi i kushtit të abdesit shkakton mospranimin e obligimit.

Sipas disa haditheve të tjera, mospranimi i veprave do të thotë humbja e shpërblimit, edhe pse ajo vepër për nga plotësimi i kushteve  është në rregull. Shembull për këtë kemi hadithin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i cili thotë: “Allahu nuk e pranon dyzet ditë namazin e asaj gruaje që burri i saj është i hidhëruar me të. As namazin e atij që i beson fallxhorit, as namazin e atij që ka pirë alkool. Gjithashtu kemi hadithet: “Nuk pranon, përveç asaj që është e mirë.” Si dhe: “Kush falet me një rrobë që ka vlerën dhjetë dirhem harram, atij nuk i pranohet namazi.”

Në këto hadithe, qëllimi është se  mungon plotësimi  i këtyre veprave që sjellin shpërblim, edhe pse ato nga spekti i plotësimit të kushteve janë në rregull.

 

Shkëputur nga “Dyzet hadithe” të imam Neueuiut

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit