2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Si të zgjedhim vajin më të përshtatshëm për nevojat tona

Më të lexuarat

Vaji, gatimi dhe shëndeti ynë
Vaji është ndër ushqimet që konsumojmë çdo ditë e pothuaj çdo vakt. Ndoshta nuk e mendojmë, por është ndër ushqimet thelbësore të menusë sonë me rol tepër të rëndësishëm në shëndetin tonë. Tashmë në treg ka shumë lloje vajrash dhe nuk është e lehtë të zgjedhësh. Madje qëndron një konfuzion i madh përsa i përket zgjedhjes së vajit për gatim. Cili është më i përshtatshëm për gatim dhe cili nuk është.

Cili vaj është më i përshtatshëm për gatim?
Vaji është një lëndë e përbërë nga zinxhirë karboni dhe hidrogjeni. Ky zinxhir është më delikat në disa lloje vajrash dhe oksidohet shumë lehtë. Këta vajra nuk bëjnë për gatim sepse më pas ata oksidojnë qelizat tona. Vajrat që kanë zinxhir solid janë vajra të përshtatshëm për gatim. Le t’i shohim një nga një:

Vaji i kokosit – 10 pikë në gatim
i mirë për:
kolesterolin
metabolizmin
imunitetin
shijen

Gjalpi i lopës – 9 pikë në gatim
-i mirë për:
Shikimin
Lëkurën
Kockat
Imunitetin

Vaji i ullirit – 10* në gatim
-mbron nga:
infarkti kardiak
hemoragjia cerebrale
ulcera
kanceri i gjirit
depresioni
Alzheimer-i

Këta janë kryesisht vajrat që duhet të përdoren në gatim. Vaji i kikirikut, deri diku i afrohet në cilësi vajit të ullirit për sa i përket gatimit pasi ka një përbërje të ngjashme në llojin e acideve lyrore që përmban.

A mund të përdoret dy herë i njëjti vaj për gatim?
Jo, nxehtësia e dëmton strukturën e zinxhirëve të karbonit. Vaji krijon substanca tepër toksike nga nxehtësia të cilat përbëjnë rrezik për arteriet dhe shkak për arterosklerozë.

Dilema e gjalpit, bën mirë apo jo?
Tashmë shkenca ka zbuluar se jo çdo lloj yndyre e ngopur eshte e dëmshme. Pas shumë vitesh nën akuzë, yndyra shtazore po merr pafajësinë. Jo çdo lloj yndyre që vjen nga burim i kafsheve është e dëmshme. Psh yndyra e mishit të qingjit të rritur në gjelbërim, në terren malor ka shumë ndryshim nga ajo e një viçi në regjim stallor. Ajo përmban shumë më tepër acide lyrore omega 3, ndërsa dhjami i viçit të rritur në regjim stallor është me përmbajtje të lartë acidesh lyrore të ngopura të cilat mund të ndikojnë në rritjen e yndyrnave në gjak. Gjithashtu edhe gjalpi që vjen nga qumështi i një lope të ushqyer në kullota të gjelbra është shumë më i shëndetshëm sesa gjalpi i qumështit të një lope të rritur me koncentrat drithrash.

Margarina vegjetale – cilësia më e keqe e yndyrnave
Margarina është yndyrë vegjetale e ngurtësuar me hidrogjenizim. Kjo procedurë është krejtësisht artificiale dhe zinxhirët e vajit pësojnë një transformim në vendosjen e atomeve të hidrogjenit rreth atomeve të karbonit duke krijuar acidet lyrore “trans”. Këto lloj acidesh lyrore janë ato më të dëmshmit, të cilët trupi nuk i njeh si lëndë ushqyese dhe prej tyre mund të pësojë një sërë çrregullimesh metabolike, duke filluar nga rritja e kolesterolit dhe ndërtimi i pllakave arteriale me finale ngushtimin e enëve të gjakut.

Po vajrat bimore? A nuk janë të shëndetshëm përderisa vijnë nga farat që na bëjnë mirë?
Vajrat bimore janë shumë të shëndetshëm vetëm dhe vetëm nëse përpunohen në të ftohtë dhe gëzojnë emërtimin – ekstra i virgjër. Vajrat për gatim që vijnë nga farat si luledielli apo drithërat si misri janë vajra të rafinuar dhe të nxjerrë me temperatura të larta ku gjithë vlerat e tyre ushqyese shpërbëhen dhe humbasin. Në fund ato “zbukurohen” me ngjyrosës artificialë dhe serviren si të përshtatshëm për gatim meqënëse kanë pikë të lartë të tymosjes. Por e vërteta e këtyre vajrave është se ato janë një problem shumë serioz për shëndetin nëse përdoren gjerësisht në dietë.

Problemet shëndetësore që shkaktohen nga përdorimi i vazhdueshëm i vajrave bimore të rafinuar
Problemi kryesor i këtyre vajrave është përmbajtja e tyre e lartë në acide lyrore omega 6. Njeriu ka mbijetuar me ushqim ku raporti omega 6 – omega 3 ka qenë pothuaj 1:1. Tashmë, konsumi masiv i këtyre vajrave nëpër gatime, në çdo produkt të përpunuar dhe në pothuaj gjithë ushqimet e gatshme, ka bërë që ky raport të shkojë 20:1. Kjo është tragjike për shëndetin tonë.

Përpunimi i tyre është kimik, i lë ata të zhveshur nga vitaminat dhe antioksidantët. Konsumi i tyre është i ekzagjeruar në ushqimin modern sepse është kudo. Kjo ka rezultuar në ndryshim të strukturës së qelizave tona të cilat po formojnë membranë me përqindje të lartë të acideve lyrore omega 6 ndërkohë që njeriu është mësuar të ndërtojë qelizat e tij me përqindje më të barabartë midis acideve lyrore omega 3 & 6.

Përmbajtja e lartë e acideve omega 6 i bën të rrisin inflamacionin dhe gjithë të këqijat që ai sjell si artriti, lodhja kronike dhe imuniteti i dobët. Ka dyshime se konsumi i këtyre vajrave ka lidhje me rritjen e dhunës duke qenë se raporti i lartë omega 6 – omega 3 ka ndikuar në ndryshim të strukturës izoluese së neuroneve. Këto vajra janë tepër të prirur ndaj oksidimit. Impakti i tyre në shëndetin e zemrës është i dëmshëm. Janë gjetur lidhje midis konsumit të vajrave vegjetal dhe nxitjes së aktivitetit kancerogjen në organizmin e njeriut. E gjithë kjo për një arsye: sepse konsumohen më shumë seç duhet.

Kur vajrat gëzojnë veti kurative
Këto janë vajra që përmbajnë sasi të kënaqshme omega 3, vitamina dhe antioksidantë me shumicë, POR të papërshtatshëm për gatim. Këta duhet të konsumohen vetëm të freskët, në sallata apo në fund të një gatimi.

Vaji i peshkut – Aspak i përshtatshëm për gatim
-i pagatuar bën mirë për:
Trurin
Zemrën
Memorien
Imunitetin

Vaji i linit – Aspak i përshtatshëm në gatim
-mbron nga:
kanceri
Inflamacioni
Depresioni

Vaji i farave të kërpit – Aspak i përshtatshëm për gatim
-bën mirë për:
Zemrën
Lëkurën, flokët, thonjtë
Trurin
Imunitetin
Detoksikimin

Vaji i farës së rrushit – Aspak i përshtatshëm për gatim
-mbron kundër:
Aknes, dermatitit
Artritit
Variçeve, hemoroideve
Kancerit
Plakjes
Vajra të papërshtatshëm për gatim
Misri
Soje
Luledielli
Përmbledhje:
Zgjidhni të gatuani vetëm me vaj ulliri. Kurseni sasinë në favor të cilësisë. Vendosni një burim vaji kurativ në ushqimin tuaj në sallatë apo në fund të gatimeve, rreth 2 lugë të vogla në ditë. Evitoni sa të mundeni vajrat e rafinuar dhe të ngurtësuar. Preferoni në gatime vajin e ullirit. Mbani mend, vajrat duhet të ruhen në freski, errësirë dhe të mbyllur. Nxehtësia e gatimit i shpërbën ato prandaj mos i lini deri sa të nxjerrin tym dhe qëndroni larg avujve të vajit që gatuhet pasi ju dëmton mushkëritë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit