Janë të pakta pajisjet moderne teknologjike që janë përhapur aq shumë sa celulari, i cili na mundëson të jemi në kontakt me të tjerët në çdo moment dhe nga kudo. Me të tani mund të bëjmë shumë më tepër sesa thjesht të flasim.
Celularët modernë marrin dhe dërgojnë e-maile, mesazhe me tekst dhe lundrojnë në ueb, luajnë muzikë dhe video gjithashtu. Të zgjedhësh një celular nuk është e lehtë, por ne do t’ju ndihmojmë të mësoni atë që ju duhet për të zgjedhur celularin e duhur për ju.
Nuk ka kohë më të mirë sesa fundviti për të blerë një celular të ri, por para se ta bëni këtë, kërkoni së pari nëpër dyqane dhe lexoni këtë guidë për të ditur se çfarë duhet të kërkoni.
Veçoritë që duhen marrë në konsideratë
Kur doni të blini një celular, mund të bëni teste që në dyqan për të parë nëse ajo pajisje ka gjithçka që ju duhet.
Cilësia e telefonatës: Disa celularë të thjeshtë ofrojnë kualitet më të mirë telefonate, kurse disa smartfonë ju lënë në baltë këtu. Kur jeni duke vlerësuar celularët, bëni një test duke bërë disa telefonata. Vini veshin për interferencë dhe zëra të ulët, madje pyesni edhe telefonuesit nëse dëgjojnë zëra dhe zhurmë në sfond.
Dizajni: Zgjedhja juaj mund të shkojë nga celularë më ekran të madh me prekje, tek ata me tastierë QWERTY. Cilido qoftë modeli juaj i preferuar, siguroni që të jetë i rehatshëm kur ta mbani në vesh, nëse mund t’i dëgjoni telefonuesit pa kërkuar vazhdimisht pozicionin më të mirë. Shikoni gjithashtu a futet në xhepin tuaj dhe nëse mund t’i bëjë ballë një trajtimi jo aq të butë. Një celular i ndërtuar për të duruar duhet t’u bëjë ballë tronditjeve në xhepin tuaj ose në çantë, duke mos pasur problem pak lagështirë ose ndonjë rënie nga një lartësie e vogël. Sigurisht që duhet të mendoni për ndonjë mbrojtës ekrani, nëse jeni prej atyre që u bie shpesh telefoni në tokë.
Sistemi operativ: Nëse celulari ju duhet jo vetëm për telefonata dhe mesazhe, shikoni me kujdes platformën me të cilën punon.
Sistemi operativ që do të zgjidhni do të ketë shumë ndikim në kapacitetet e celularit.
Platformat më popullore janë Android i Google (që gjendet në shumë pajisje), iOS (vetëm tek modelet iPhone), BlackBerry OS (që gjendet në modelet BlackBerry) dhe Windows Phone i Microsoft-it.
Secili prej tyre ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, prandaj duhet t’i njihni nga pak që të gjitha para se të vendosni për njërën prej tyre.
Ekrani: Nëse planifikoni të lundroni shumë në ueb dhe të shikoni video, duhet të siguroheni që ekrani i telefonit tuaj të jetë i madh për të përfituar nga veçoritë e telefonit. Një ekran me tre inç madhësi do të ishte i vogël.
Rezolucioni i ekranit: Sa më i lartë rezolucioni, aq më mirë do të duket ekrani ,një faktor i rëndësishëm nëse keni ndër mend të shihni video ose foto në celularin tuaj. Një ekran me rezolucion të lartë është i rëndësishëm nëse mendoni se do të lexoni shumë me celularin tuaj, pasi teksti do të duket më i mprehtë dhe mund të lexohet më mirë.
Motorola Droid Razr Maxx HD
Kamerat: Nëse mendoni të bëni shumë foto me celularin tuaj, duhet të shikoni mirë kamerën e pajisjes që do të blini.
Për smartfonët mesatarë ose të mirë, kamera 8 megapikselë është standarde.
Megjithatë, më shumë megapikselë nuk do të thotë domosdoshmërisht kamera më e mirë.
Shikoni që celulari juaj të ketë blic (dual-LED ose Xenon janë më të mirët); ndryshe fotot tuaja në ambiente të brendshme ose natën nuk d të jenë të qarta. Bëni disa foto me atë celular që të krijoni një ide tuajën.
Kamera e Apple iPhone 5 është ndër më të mirat në qarkullim.
Shumica e celularëve kanë edhe veçorinë e filmimit të videove me rezolucion 720p ose 1080p. Sigurohuni më parë që sistemi operativ ju lejon të ngarkoni video në Facebook dhe YouTube. Shumë smartfonë sot kanë kamera përpara, të cilat janë kryesisht të mira për telefonata me video, por disa aplikacione i përdorin këto edhe për foto.
Procesori: Procesorët dual-core janë duke u bërë standardë edhe në celularë. Shumica e celularëve megjithatë janë me një procesor dhe punojnë shumë mirë, por në të ardhmen shumica e tyre do të kenë nga dy procesorë sepse përforcon punën e aplikacioneve dhe përditësimeve që merr.
Jeta e baterisë: Nuk mund të thuhet me saktësi se sa gjatë do të jetojë një bateri, pasi në fund të fundit varet nga përdorimi juaj. Nëse e përdorni për të parë ueb dhe video, nuk do të kapë fundin e ditës dhe do t’iu duhet ta karikoni.
Mos bëni celularë si dhurata të papritura: Nëse keni ndër mend t’i bëni dikujt si dhuratë një celular, mos e blini me kokën tuaj, por merreni personin në dyqan me vete.
Edhe pse nuk do të jetë më befasi, është e rëndësishme që personi që do ta përdorë të blejë diçka që i përshtatet dhe të shohë disa celularë para se të vendosë.
Flisni qartë: Kur të jeni në dyqan, kërkojuni shitësve të jenë sa më të qartë e të drejtpërdrejtë. Tregojuni se çfarë jeni duke kërkuar dhe përshkruani celularin që ju pëlqen. Nëse nuk jeni plotësisht i sigurt, pyetni shitësit se çfarë celulari përdorin ose se cilët celularë ishin më të mirë gjatë këtij viti.kohaislame