Kërkohet krijimi i një grupi punues për të gjetur format e tërheqjes së ndërmarrësve nga diaspora. Ministria e Diasporës thotë se është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë të cilët mund të japin kontributin e tyre në tërheqjen e investimeve.
Nga mërgata në Kosovë hynë shumë mjete financiare, por pjesa më e madhe e tyre del jashtë vendit, pasi produktet në treg janë kryesisht të importit. Prandaj, kërkohet të gjenden format që afro 600 milionë euro në vit të mbeten në Kosovë dhe në këtë mënyrë të krijohet vlera e shtuar e atyre mjeteve.
Bardhyl Meta nga Oda Ekonomike Gjermane propozon të krijohet një grup punës për këtë qëllim.
“Është mirë të krijohet një grup i cili do të na përgjigjej brenda tre muajsh, si mund t’i tërheqim 10 mijë ndërmarrës nga diaspora, çka duhet të bëjmë, cila është pjesa e infrastrukturës ligjore që duhet ta ndërrojmë që ta arrijmë këtë stimulans dhe cilat janë efektet që na i sjell ajo”, tha Meta për Radio Kosovën.
Meta thekson se nuk është vështirë të sillen 10 mijë ndërmarrës në Kosovë, sepse sipas tij, janë 100 mijë që presin të vijnë.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli thotë se është i hapur të bashkëpunojë me të gjithë të cilët mund të kontribuojnë në shfrytëzimin më të mirë të remitancave. Në këtë aspekt Makollit i pëlqen ideja e Metës.
“Pse jo, jo vetëm që e përkrahu, por e mbështes krijimin e një grupi të tillë, i cili do të ishte në gjendje që brenda një periudhë të shkurtë kohore, të identifikojë edhe në rrafshin lokal, edhe në rrafshin qendror të hulumtojë infrastrukturën ligjore që ne e kemi në vend në të gjitha fushat për t’i dhënë institucioneve tjera rekomandime”, theksoi Makolli. /Telegrafi/