4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Si të largohem nga mëkatet që më kanë rrethuar?

Më të lexuarat

Pyetja:

Si të largohem nga mëkatet që më kanë rrethuar?

Si mund të shërohet ai që sëmundja e ka pushtuar? Cila është zgjidhja për atë që marrëzia e ka kapluar? Çfarë të bëjë ai që përtacia e ka mposhtur? Cila është rruga drejt suksesit? Çfarë të veprojë ai që hutia e ka rrethuar? Sa herë që vendos t’i kthehet Allahut, epshi e pengon; sa herë që mundohet ta kujtojë Allahun, mendimet e hutojnë; dhe, sa herë që ia mësyn të punojë, dështimi e shoqëron. Tërë kohën, nga epshet i pushtuar, e sheh syhapur të hutuar, i dehur jetën duke jetuar. Ia mësyn më t’Dashnit për t’iu afruar, por punët lëmsh i janë ngatërruar, ndaj më shumë prej Tij është larguar. Të afërtit e dashur i ka larguar, që më shumë për t’u forcuar, e për fuqi është duke lënguar. Hutia e humbja vazhdon duke iu shtuar, atë që ndihmë ka kërkuar, kështu vallë duhet poshtëruar?!

***

Përgjigja:

Ilaçi i kësaj është strehimi tek Allahu i Madhërishëm, përulja e vazhdueshme ndaj Allahut të Lartësuar, lutja me duatë që Profeti ﷺ na i ka mësuar, në kohët kur lutja është e pranueshme, si: në fundin e natës, koha mes ezanit dhe ikametit, në sexhde dhe pas namazeve. Kësaj ia bashkëngjet istigfarin, sepse atij që i kërkon falje Allahut dhe pendohet, Allahu ia jep një jetë të kënaqshme deri në afatin e caktuar. Pastaj le t’ia caktojë vetes një vird – tufë të dhikrit me të cilën e përkujton Allahun mëngjes e mbrëmje dhe para gjumit. Le të jetë i durueshëm përballë pengesave dhe shpërqendimeve përgjatë rrugës, sepse nuk shkon gjatë dhe Allahu e përkrah me një ndihmës dhe ia mbush zemrën iman. Le t’i kushtojë kujdes pesë namazeve të detyrueshme me zemër dhe trup, sepse namazi është boshti i fesë. Le ta njomë gojën e tij me “la haule ve la kuvvete il-la bil-lah”, sepse me të barten gjërat e rënda, tejkalohen tmerret dhe arrihen gradat e larta. Dhe mos të mërzitet nga lutja dhe kërkesa, sepse robi përgjigjen e ka të garantuar përderisa nuk ngutet e të thotë: ‘U luta, por nuk ka përgjigje!’. Le ta dijë se triumfi vjen pas durimit, çlirimi pas vuajtjes dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi; dhe se askush, – qoftë profet apo tjetër, – nuk ka fituar ndonjë të mirë të madhe, veçse me durim.

Ibn Tejmije

Përktheu: hoxhë Kushtrim Manxhuka

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit