3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Si të arrihet suksesi në jetë

Më të lexuarat

S’ka dyshim se çdo njeri dëshiron që të jetë i suksesshëm në jetë por, disa e vështirësojnë arritjen tek suksesi.
Kjo ndodh sepse ata mendojnë se suksesi është një dëshirë e parealizueshme dhe është vështirë që të arrihet ky synim.

E vërteta është se ne ndoshta jemi prej atyre që i kemi braktisur shkaqet të cilat të çojnë deri te suksesi, i kemi groposur në tokë dhe na kanë kapluar humbje mbi humbje.

Arritja e suksesit është ambicie nga e mira në më të mirë, përsosshmëria është vetëm për Allahun i cili është Një.
Nëse ndonjë njeri të thotë: “Ke arritur maksimumin në jetë”, dije se ai të ka rrënuar.
Njeriu, vazhdimisht, duhet që të vrapojë drejt suksesit. Allahu nuk e humb shpërblimin e atyre që punojnë.

Nuk ka vlerë suksesi i njeriut në këtë dynja nëse ai është i humbur në ahiret!
Ja disa këshilla për ata të cilët dëshirojnë që t’i vjelin frytet e suksesit prej kopshtit të jetës, dhe këto nuk janë tjetër vetëm se një thirrje për arritjen e shpëtimit në të dy botët:

– Frikësoju Allahut të Lartësuar dhe përmbaju dispozitave të Tij sepse kjo është puna dhe këshilla më e mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “… E kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon prej nga nuk e kujton fare…” (Et Talakë: 2-3) Dhe thotë: “… E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën.” (Et Talakë: 4)

– Zemrën tënde mbushe me dashuri ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftshin mbi të, më pas, vjen dashuria ndaj prindërve të tu dhe atyre që janë përreth teje.
Dashuria e ripërtërin rininë, e zgjat jetën, e shton qetësinë dhe sigurinë ndërsa urrejtja e mbush zemrën me plogështi dhe hidhërim. Bëje të mundur që në shtëpinë tënde të mjaftojë dashuria e familjes tënde sepse dashuria e mjekon plagën si dhe mbjell në zemër ngrohtësi dhe miqësi.

– Bëje të mundur që dashuria ndaj vetvetes të zvogëlohet para dashurisë ndaj të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë: “… Ata u jepnin përparësi atyre para vetes…” (El Hasher: 9).
Të lumturit e ndajnë të mirën me njerëzit, e kjo ua shton edhe më shumë lumturinë, ndërsa të këqijtë e monopolizojnë të mirën vetëm për vete. Mbushe zemrën tënde me dashuri, tolerancë dhe mirëkuptim. Fatkëqij janë ata zemrat e të cilëve janë të mbushura me zili, urrejtje dhe hakmarrje.

– Mos lejo të rrjedhin lotët për atë që ka kaluar, sepse, ata që derdhin lot për fatin e tyre të keq nuk iu qesh dynjaja dhe ata të cilët qeshin për fatkeqësitë e të tjerëve, nuk i mëshirojnë ditët. Mos qaj për qumështin e derdhur, përkundrazi, duhet dhënë mund shtesë për ta kompensuar këtë qumësht të derdhur. Kije parasysh thënien e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të: “Nëse të kaplon diçka mos thuaj sikur të kisha bërë kështu do të ishte kështu e kështu, por thuaj: ky është përcaktimi i Allahut dhe Ai vepron çfarë dëshiron sepse fjala ‘sikur’ hap derën e shejtanit.” (Muslimi)

– Bëje veten sa më shumë të disponuar, sepse i disponuari kur shikon natën në qiell sheh ngrohtësinë e hënës, ndërsa ai i cili i ka humbur shpresat kur shikon në qiell nuk shikon diçka tjetër përveçse errësirën e ashpër. Bëhu i disponuar më shumë se që je sepse disponimi sjell dashurinë e të tjerëve, ndërsa i keqi e përzen nga vetvetja atë. El Hulejmi ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut i pëlqente shpresa e mirë, sepse pesimizmi është të menduarit keq në Allahun e Lartësuar ndërsa disponimi është të menduarit mirë në Allahun e Lartësuar. Besimtari është i urdhëruar të mendoj mirë për Allahun në çdo situatë.”

– Bëhu i drejtë me njerëzit. Padrejtësia e shkurton jetën, largon prej syve gjumin, bën që t’i harrojmë të mirat e tyre, kërkojmë që ata të jenë pa asnjë të metë, shfajësojmë veten prej gabimeve tona me argumentin se ne jemi njerëz dhe patjetër gabojmë. Imam Muhammed bin Sirini ka thënë: “Padrejtësia ndaj vëllait tënd është të kujtosh prej tij gjërat më të këqija të cilat i ke parë në të dhe të fshehësh të mirën e tij.”

– Nëse dikush të gjuan me tullë, ti mblidhi ato dhe ndërto me to shtëpinë. Nëse të gjuajnë me lule, ua shpërndaj atyre që të kanë mësuar, atyre të cilët ta kanë shtrirë dorën kur ti ke qenë duke luftuar në fund të kodrës.

– Kij besim në Allahun së pari dhe më pas në vetveten tënde. Njihi të metat e tua, bëje të qartë se nëse i largon këto të meta do të jesh shumë afër ëndrrës tënde. Kujtoj gabimet që t’i largosh të metat e tua. Harroji gabimet e motrave dhe shoqeve tua që të jesh e kujdesshme ndaj tyre. Lumturia e njeriut është në të angazhuarit e tij me të metat e veta e jo me të metat e të tjerëve.

– Nëse arrin sukses në ndonjë çështje, mos lejo që mburrja ta mbizotërojë zemrën tënde. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Më ka shpallur Allahu mua që të jeni të thjeshtë, mos të mburreni para tjetrit dhe mos t’i bëni padrejtësi askujt.” (Muslimi)
Allahu i Lartësuar thotë: “Pra mos e lavdëroni veten, se Ai e di se kush është më i ruajtur.” (En Nexhm: 32)
– Nëse rrëzohesh në tokë mos lejo që injoranca të mbizotërojë në ty dhe të mendosh se të tjerët ta kanë hapur gropën. Mundohu të ngrihesh përsëri, hapi sytë dhe mendjen në mënyrë që të mos biesh në gropat e ditëve dhe fatkeqësisë së netëve.

– Nëse bie, mendo si të dalësh dhe jo si të dëshpërohesh. Nëse ngrihesh mendo për ata të cilët janë të rrëzuar për tokë që t’iu ndihmosh për t’u ngritur.

– Nëse korr sukses kundër njeriut me të cilin grindesh mos u gëzo por fale dhe nëse i kaplon të tjerët ndonjë fatkeqësi bëhu pjesëmarrës në ndihmë të tyre qoftë edhe me dua. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm)” (Esh Shura: 43) I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Mos e shfaq kënaqësinë për fatkeqësisë e vëllait tënd se atë e mëshiron Allahu e ty të sprovon.” (Tirmidhiu)

– Mos lejo që në zemrën tënde të bashkohet bindja dhe ngadalësia, krenaria dhe mburrja dhe as modestia dhe nënçmimi. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kush është modest (i thjeshtë) ndaj Allahut, Allahu do ta ngrejë këtë njeri shumë lart.” (Ibni Maxhe)

– Zgjidh për veten tënde shoqe besimtare dhe bëhu e kujdesshme ndaj tyre se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, të ketë kujdes çdonjëri prej jush se me kë shoqërohet.” (Tirmidhiu)
Mos e qorto shoqen tënde për çdo imtësi se i përsosur është vetëm Allahu i Lartësuar. Kujdesu që mos ta humbësh shoqen e mirë se nëse e humb kush do të jetë pjesmarrës në brengat e jetës tënde dhe kush do të udhëzojë për në të mirë?
Abdullah bin Xhaferi ka thënë: “Shoqërohu me ata njerëz të cilët nëse i shoqëron të zbukurojnë, nëse nuk je i pranishëm të mbrojnë, nëse ke nevojë të ndihmojnë dhe nëse shikojnë në ty ndonjë mangësi ta mbulojnë ose nëse e shikojnë në ty ndonjë të mirë e vlerësojnë.”

– Mos u grind me të tjerët sepse grindja e shkëput litarin e miqësisë dhe krijon pengesë ndërmjet shpirtrave. Për çdo vit që vjen bëhu më shpirtgjerë se që ke qenë në vitin e kaluar, të lumturve nuk u ngushtohet gjoksi, i falin të tjerët, nuk ndalen te të metat e të tjerëve. Nëse dikush është sjellur keq me ty harroje këtë dhe kujtoje të mirën e saj.

– Fali ata të cilët kanë gabuar ndaj teje dhe arsyetoj. Falja ta shton jetën, ta kthen besimin te njerëzit dhe duke falur e fiton respektin e të tjerëve ndaj teje. Largoje urrejtjen nga zemra dhe mendja jote! Mësohu t’i ndëshkosh ata të cilët janë sjellur keq ndaj teje me të harruar dhe jo duke u rrahur me thika. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “A nuk mundet dikush prej jush që të jetë si Ebu Damdami i cili kur dilte nga shtëpia thoshte: “Unë e kam dhuruar ndershmërinë time mbi njerëzit.” (Ebu Davudi)
Imam Neveviu në lidhje me këtë ka thënë: “Nuk e kërkoj padrejtësinë time nga ai i cili më ka bërë padrejtësi as në këtë dynja dhe as në ahiret.” Kjo pasi që ka kërkuar falje, e nëse i bën padrejtësi më pas duhet të kërkojë falje.

– Jepju të tjerëve prej zemrës, mendjes, pasurisë dhe kohës tënde pa ua treguar faturat e llogarisë. Nëse e ndihmon ndonjë njeri mos e kushtëzo që ai të të ndihmojë ty! Puna jote të jetë e sinqertë dhe vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Nëse ia bën një të mirë dikujt, kujdes mos ia përmend dhe nëse dikush ta bën një të mirë, kujdes mos ta harrosh. I Lartësuari thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim.” (El Bekare: 264)

– Çdo dështim që mund të ndodhë konsideroje provë të jetës. Nata sado që të zgjasë patjetër do të agojë agimi. Dikush prej dijetarëve ka thënë: “Suksesi është si shkallët të cilat nuk mund të ngrihen duke i pasur duart në xhepa!”

– Falënderoje Allahun e Lartësuar si kur ke pak ashtu edhe kur ke shumë! Kënaqu me pak dhe mos i lakmo të tjerët nëse kanë më shumë se ti. Mos shpreso që kjo e mirë të largohet prej tyre, por lute Allahun e Lartësuar që të të begatojë me të mirat e Tij. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “O Ebu Hurejre, bëhu fetar, i devotshëm, do të jesh më adhuruesi i njerëzve; bëhu prej atyre që kënaqen me pak, do të jesh më falënderuesi prej njerëzve; duaje për njerëzit atë që e don për veten tënde, do të jesh besimtar; bëji mirë komshiut do të jesh musliman dhe pakësoje të qeshurën sepse të qeshurit e shumtë e vdes zemrën.” (Ibni Maxhe)

– Për çdo ditë kërko nga Allahu faljen dhe shëndetin. Në hadithin të cilin e transmeton Tirmidhiu, i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Kërkoni nga Allahu faljen dhe shëndetin sepse asnjërit prej jush nuk i është dhënë pas të vërtetës gjë më e mirë se shëndeti.” (Tirmidhiu)

– Kërko nga Allahu i Lartësuar dije të dobishme dhe risk të madh. Dija është dollapi të cilin nuk e vjedhin dot hajdutët. Njëmijë dinarë në dorë të injorantit janë si një grusht me dhe ndërsa një grusht me dhe në dorën e të diturit shndërrohet në njëmijë dinarë. Ali bin Ebu Talibi – radijall llahu anhu – i ka thënë njërit prej sahabëve: “O Umejl, dija është më e mirë se pasuria; dija të ruan ty ndërsa ti e ruan pasurinë; dija është si gjykatësi ndërsa pasuria është si i gjykuari; pasurinë e pakëson shpenzimi ndërsa dija shtohet kur e shpërndan atë. Dija e rrënon mburrjen, mburrja është si lëkura e bananes në të cilën rrëshqet. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Kërkoni nga Allahu dijen e dobishme dhe kërkoni mbrojtje nga Allahu nga dija e padobishme.” (Ibni Maxhe)
Njëra prej duave të të Dërguarit të Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të- është: “O Zot kërkoj mbrojtje nga dija e padobishme, nga zemra e cila nuk frikësohet, nga nefsi i cili nuk ngopet dhe nga duaja e papranuar. Kërkoj mbrotje te Ti për këto katër gjëra.” (Ibni Maxhe)

– Mundohu t’i kënaqësh ata të cilët i ke përreth teje në mënyrë që edhe ata të kënaqin ty. Ti nuk mund të qeshësh në të njëjtin moment kur të tjerët derdhin lot, nuk mund të kënaqesh me nurin e agimit kur të tjerët që janë përreth teje jetojnë në errësirë. Lumturia e njeriut shumëfishohet varësisht prej numrit të atyreve te të cilët ka pasur sukses në gëzimin e tyre. Nëse të shtohet risku mundohu që t’i gëzosh njerëzit me pasurinë tënde, nëse risku të ngushtohet atëherë mundohu t’i kënaqësh me një fjalë të mirë. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Ruaju zjarrit qoftë edhe me gjysmë hurme, nëse nuk gjen, me një fjalë të mirë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Dhe ka thënë: “Mos nënçmoni diçka nga e mira edhe nëse ajo është ta takosh vëllain tënd me fytyrë të buzëqeshur.” (Muslimi)

– Kujtoji ata të cilët të kanë ndihmuar në profesionin tënd, ata të cilët t’i kanë zgjatur duart kur ti ke pasur nevojë, kanë qëndruar me ty kur dynjaja ta ka kthyer shpinën, të cilët të kanë nxjerrur nga vetmia ditën kur të kanë lënë disa prej atyre që kanë qenë përreth teje! Mos thuaj se unë i kam falënderuar dhe ua kam kthyer këtë të mirë! Falënderoji përsëri edhe një herë tjetër, ua kthe të mirën sa herë që të mundesh. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Kush nuk i falënderon njerëzit nuk e falënderon as Allahun.” (Tirmidhiu)
Dhe ka thënë: “Kur dikush ta bën një të mirë shpërbleje atë, dhe nëse nuk gjeni se me çfarë ta shpërbleni, bëni dua për të deri sa ta shikoni se e keni shpërblyer.” (Ebu Davudi)

– Mundohu t’i kujtosh emrat e atyre ndaj të cilëve ke gabuar joqëllimisht, lute Allahun që të të falë ty për atë që ke gabuar ndaj tyre dhe bëj dua për ta.
Mos i llogarit të tjerët sepse llogaritja e të tjerëve është humbje kohe.

– Merre për dore të dobëtin deri sa t’i kthehet forca, qëndro afër asaj të cilës i është mërzitur jeta deri sa t’i shndrisë shpresa! Qëndro me të dështuarin deri sa të gjejë rrugën e suksesit. Mundohu t’i kurosh plagët e disa njerëzve. Medito rreth fjalës së të Dërguarit të Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – rreth ndërtimit të lidhjes së vazhdueshme ndërmjet teje dhe të tjerëve: “Besimtari është pasqyra e besimtarit, besimtari është vëlla i besimtarit, …”

– Nëse duke ecur të zë errësira, bëhu prej atyre që bartin qiri, dritë dhe jo prej atyre të cilët e gjuajnë llampën me gurë. Kur të gdhihet mëngjesi bëhu prej atyre që e presin rrezen e ditës dhe jo prej atyre dembelëve të cilët nuk e arrijnë rrezen e lindjes së diellit.

– Mundohu që t’ua falësh borxhin disave, disa prej tyre të kanë dhënë përvojë gjatë viteve të kaluara, disa të kanë dhënë besimin dhe nuk të kanë lënë të qëndrosh vetëm në përballimin e stuhisë së jetës, disa prej tyre ta kanë ndezur qiririn kur ti ke qenë në mes të errësirës dhe ti e ke shikuar rrugën gjatë ditës, disa ta kanë mbushur mendjen e disa të tjerë zemrën. Më e madhja është që ti ta falënderosh Allahun e Lartësuar i cili të ka begatuar me dhunti të shumta.

– Kur të arrish në majë të malit, mos lejo që nga mburrja të mirren mendtë dhe të biesh dhe ata të cilët qëndrojnë në cep të kodrës mos të të duken xhuxha. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.” (Llukman: 18)

Mposhte inatin dhe zgjate dorën tënde për ata të cilët janë në cep të malit që të mund të arrijnë në majë të tij. Nëse të rrëshqet këmba pasi që ke arritur majën e kodrës mos i akuzo të tjerët se ata kanë qenë shkaktar për rrëshqitjen tënde. Njihi gabimet dhe të metat e tua, që edhe nëse arrin në majën e malit herën tjetër të dish se si t’i forcosh këmbët e tua bashkë me ata të cilët qëndrojnë me ty në maje.

– Mos hulumto në të metat e të tjerëve. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Nëse njeriu thotë janë shkatërruar njerëzit, kjo do të thotë se ai është më i shkatërruari.” (Muslimi)
El Hattabi ka thënë: “Njeriu vazhdon t’i shajë të tjerët duke i përmendur të metat e tyre e më pas thotë: janë prishur dhe janë shkatërruar njerëzit. Nëse ky e bën këtë nga dëshpërimi për çështjen e fesë së tyre arsyetohet, por nëse e bën si shkak i pëlqimit të vetvetes për t’i nënçmuar të tjerët kjo është e urryer dhe e ndaluar.

– Mos lejo që dëshpërimi të mbizotërojë në zemrën tënde se dëshpërimi t’i mbyll sytë dhe nuk arrin ta shikosh derën e hapur dhe dorën e shtrirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos humbni shpresat ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet, Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që falë shumë dhe është mëshirues.” (Ez Zumer: 53)

– Ji e sigurtë se nëse e përvetëson dhe e don punën tënde, do të mund të arrish atë çfarë të tjerët nuk kanë mundur, mos e harro thënien e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të: “Allahu don që kur ndonjëri prej jush të bëjë një punë ta përvetësojë atë.” (Ebu Aliu)

– Bëje të ditur se besimtari mund ta durojë urinë dhe humbjen, mund të jetojë në një hapësirë pa shtëpi, por nuk mund të jetojë i nënçmuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Krenaria është për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe për besimtarët.”

Llogarite veten tënde para se të llogaritesh, peshoj veprat tua para se të peshohen. Allahu i Lartësuar thotë: O ju që besuat, kinie parasysh frikën ndaj Allahut, dhe le të shikojë njeriu se çka ka përgatitur për nesër dhe kinie frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni.” (El Hasher: 18)
Umeri – radijall llahu anhu – ka thënë: “Llogariteni veten tuaj para se të llogariteni dhe peshojeni ato (veprat) para se t’ju peshohen. Përgatituni për ditën në të cilën do të paraqiteni ku nuk do të fshehet asnjë sekret.”

Përshtati: Merita Rexha/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit