Pyetje:
Dikujt mund t’i ndodhë që të mos ketë interes dhe të jetë i plogësht në kërkim të dijes. Cilat janë mënyrat për ta nxitur interesimin për kërkimin e dijes?
***
Përgjigje:
Mosinteresimi për dijen islamike është një fatkeqësi e madhe. Ka një mori gjërash, të cilat duhet t’i kryejmë, përfshirë edhe këto në vijim:
1- Sinqeriteti i nijetit ndaj Allahut në kërkimin e dijes. Nëse personi është i sinqertë
ndaj Allahut në kërkimin e dijes dhe e di se do të shpërblehet për mundin e vet, dhe se do të jetë në shkallën e tretë të umetit, interesi i tij do të shtohet. “Kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, do të jetë në shoqërinë e atyre, të cilët i ka mëshiruar Allahu, si: pejgamberët, sidikuun [pasuesit e pejgamberit, të cilët qenë më të shquarit në besim, si Ebu Bekr es-Siddiik], dëshmorët e të drejtët. Sa shoqërues të shkëlqyeshëm janë këta!” [en-Nisa, 69].
2. Shoqërimi me shokë të mirë, të cilët do të të nxisin të kërkosh dije dhe do të të
ndihmojnë në shqyrtim dhe në hulumtim, dhe s’do të mërzitesh në shoqërimin e
tyre, për sa kohë që të ndihmojnë në kërkimin e dijes.
3. Të jesh i duruar, duke e disiplinuar veten tënde, kur ke dëshirë ta lësh atë.
Allahu i ka thënë pejgamberit të vet: “Mbahu me durim [o Muhamed] me ata që thërrasin për te Zoti i tyre [dmth shoqëruesit tu, të cilët kujtojnë Zotin e tyre me lavdërim, duke e falënderuar në namaz dhe të tjera vepra të mira], mëngjes e mbrëmje, në kërkim të Fytyrës së Tij, e mos i shmang sytë prej tyre duke lakmuar salltanetin dhe shkëlqimin e jetës së dynjasë”.[el-Kehf, 28]
Kështu, jini të duruar, se, nëse tregoheni të duruar dhe mësoheni me kërkimin e dijes,
kjo do të bëhet cilësi juaja. Madje, dita kur s’do të kesh mundësi të kërkosh dije, do të të
duket ditë e gjatë [e mërzitshme]. Por, nëse u dorëzohesh tekave dhe dëshirave tua, do
të jetë gabim i madh, sepse shpirti anon nga e keqja dhe shejtani i inkurajon njerëzit të
jenë përtacë dhe të mos mësojnë.
Fetawa el-Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin, Kita bel-Ilm, f.105