5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

SI LEXOHEN LIBRAT

Më të lexuarat

Kjo temë është shumë e rëndësishme për ata që lexojnë, në mënyrë që të mos na kalojë jeta e më në fund të kuptojmë se shumë pak ose aspak s’kemi përfituar.

Këshilla e parë: duhet të jemi të vetëdijshëm për vlerën e kohës.

Ditët që na kalojnë janë pjesë e jetës sonë. Nuk mund të paramendohet një nxënës dije, i cili nuk kujdeset për kohën e vet. Shumë njerëz, gjënë më të lirë kanë kohën e tyre, prandaj ndejat, pushimet dhe piknikët i bëjnë pa plane dhe të gjata. Nëse je koprrac për kohën tënde, për shkak të leximit, dije se je në rrugë të vërtetë.

Kush e vështron me kujdes gjendjen e dijetarëve të vjetër vëren se arritjet e tyre ishin për shkak të koprracisë që kishin për kohën e tyre. Ibën Xheuzi në librin e tij, që tani e kemi edhe në gjuhën shqipe “Gjuetia e meditimeve” thotë: “Nëse ju them se gjatë kërkimit të diturisë kam lexuar njëzet mijë vëllime ndoshta do të ishte pak”.

E gjithë kjo literaturë nuk mund të lexohet nga njerëz që janë shumë bujar për kohën e tyre. Ibën Xherir Taberiu kur deshi të shkruajë “Historinë Islame” dhe “Tefsirin” kërkoi prej nxënësve të tij t’i sjellin tridhjetë mijë fletë. Ata i thanë: O imam, këtë s’mund ta mbajnë as devetë! Allahut i kërkojmë ndihmë, qenkan shuar ambiciet- u tha ai.

Kishte edhe prej tyre që ndonjëherë i linin adhurimet vullnetare, duke u marrë me lexim siç është rasti i Ibën Dekik Idit, i cili kur dëgjoi se shitet libri “Sherh el Kebir” e bleu atë tre mijë dërhem dhe u mbyll që ta lexojë dhe kryente vetëm farzet.

Tani njerëzit kanë shumë kohë. Gjeneratat e para edhe në shtratin e vdekjes e shfrytëzonin kohën për të mësuar. Është tejet interesant rasti i Ibën Xheririt, i cili duke qenë në shtratin e vdekjes dëgjoi njërin pranë tij duke u lutur: “O Allah që s’ke fillim, që dëgjon çdo zë, që eshtrat i vesh me mish pas vdekjes…” Ibën Xheriri e pyeti: Kush e ka thënë këtë lutje? Transmetohet nga Xhafer ibën Muhamedi, i tha ai. E thirri birin e tij dhe i kërkoi një fletë dhe e shkroi këtë lutje. Të pranishmit i thanë: O imam, nuk je në gjendje tani të shkruash! Ua ktheu: Kam frikë të takoj Allahun pa e ditur këtë lutje. Kemi edhe shembullin e Ibën bazit dhe Uthejminit, të cilët gjatë rrugëtimeve të tyre për në xhami ose ndokund më larg e kalonin të tërë kohën në lexim ose përsëritje.

Këshilla e dytë: Mos kalo te librat për të cilët ende nuk je i aftë për t’i lexuar, ngase hyrja në atë literaturë mund të të bezdisi dhe si pasojë të braktisësh leximin.

Do të sjellim një shembull për këtë: një nxënës fillon të lexojë fetva. S’ka dyshim se leximi i fetvave është tërheqës. Unë njoh shumë nxënës dije, të cilët patën filluar leximin e fetvave të Ibën Tejmijes dhe duke lexuar kalojnë një kapitull dhe e kuptojnë, vjen një tjetër nuk e kupton, një tjetër e kupton gabimisht. Pastaj kalon në ndonjë libër tjetër duke menduar se problemi është tek libri. E vërteta është se problemi qëndron tek ai, sepse nuk e ka respektuar shkallëzimin në studim. Është një rast shumë domethënës që ka ndodhur me imam Ahmedin. Vjen një njeri tek ai dhe e pyet: A mund të pastrohemi me ujë, i cili ka aromë trëndafili? Imam Ahmedi i tha: Nuk e preferoj një gjë të tillë. Ai i bëri edhe disa pyetje të ngjashme dhe imami i dha të njëjtën përgjigje. Kur përfundoi pyetësi dhe deshi të ngrihet e të shkojë, imam Ahmedi iu afrua dhe i tha: A e di se ç’duhet thënë kur të hysh në xhami? Jo, u përgjigj ai. Po kur të dalësh prej xhamisë, e pyeti sërish imami? Tha: Jo.- Atëherë shko dhe mësoi këto gjëra,- e këshilloi imam Ahmedi.

Ka disa parapërgatitje që nuk duhet t’i anashkalojmë gjatë kërkimit të diturisë. Nuk duhet që të kalojmë në çështje të mëdha para se t’i mësojmë ato të voglat.

Këshilla e tretë: Mos kalo prej leximit të një libri të rëndë në një libër tjetër, i cili po ashtu është i rëndë për ta kuptuar dhe ka nevojë për sqarime, ngase kjo gjë të lodh trurin dhe të bezdis. Nëse lexon një shkrim ose libër, që ka nevojë për përqendrim të madh dhe për sqarime, për leximin e radhës zgjidh diçka më të lehtë, që të jetë një lloj pushimi për trurin tënd. Shumë njerëz duke mos respektuar këtë rregull marrin një libër të rëndë për të lexuar, pastaj një tjetër, më pas edhe një tjetër dhe kështu mendojnë, se nuk janë për të nxënë dituri dhe si pasojë e braktisin leximin.

Këshilla e katërt: Kujdes nga leximi i shpejtë.

Është përhapur në këto kohë metoda e leximit të shpejtë dhe për këtë gjë organizohen seminare. Ky lloj leximi nuk është i dobishëm për nxënien e diturive fetare, të cilat kërkojnë një përqendrim të madh gjatë leximit të librave bazë. Shumë njerëz bëjnë gabime, kur u përshkruajnë disa dijetarëve fetva, të cilat ata nuk i kanë dhënë. Shkaku është leximi i shpejtë. Pa u thelluar dhe pa përsëritur leximin e këtyre librave nuk mundet që të formosh një pasqyrë reale për çështjen që po studion. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e kishte zakon që fjalët t’i përsëriste nga tre herë, në mënyrë që dëgjuesit ta kuptojnë. Ejub Sihtijani kur pyetej për ndonjë çështje i thoshte pyetësit: Ma përsërit pyetjen! Nëse pyetësi e përsëriste pyetjen njësoj si herën e parë, ai i përgjigjej, e nëse e ndryshonte pyetjen, ai nuk i përgjigjej, sepse siç thoshte ai: Kush nuk e mban mend pyetjen, si mundet që të mbajë mend përgjigjen?!

Këshilla e pestë: Përsëritja e librit.

Prej gabimeve që bëhen në këtë kohë është se nëse e lexojnë një libër nuk i kthehen më për së dyti për ta lexuar. Metodologjia e dijetarëve të vjetër ishte përsëritja e leximit të librave. Muzeniu, nxënësi i imam Shafiut pesëdhjetë vjet ka lexuar librin “Risale”. Disa dijetarë e kanë lexuar “Sahih Buharin” gjashtëdhjetë herë. Gjatë leximit të një libri për së dyti do të kuptosh më shumë dhe më mirë se nga hera e parë.

Këshilla e gjashtë: Kujdes nga lakmia për t’u njohur se lexon.

Abdullah ibën Mubareku thotë: Nuk ka devotshmëri tek ai që kërkon emër e famë. Po, duhet të flasim dhe t’ju bëjmë dobi njerëzve në bazë të asaj që kemi lexuar, mirëpo nuk duhet që t’i mashtrojmë të tjerët, se gjoja kemi arritur një shkallë diturie, që në fakt nuk e kemi arritur. Kjo është e dëmshme për të. Imam Ahmedi thoshte: Do të doja të jem në një prej kodrave të Mekës dhe të mos njihesha.

Ata njerëz nuk e donin famën, sepse e dinin se është e dëmshme. Omeri, radiajllahu anhu, kur pa se pas Ubejit shkonin njerëzit, e qortoi atë.

Këshilla e shtatë: Nënvizimi i dobive dhe i njoftimeve të rralla që do të mësosh gjatë leximit të një libri.

Kjo metodologji është shumë e dobishme, sepse njoftimet harrohen, kurse nëse nënvizohen apo mbahen shënim veçan është më e lehtë për t’u përsëritur. Gati çdo dijetar e bën një punë të tillë. Kemi rastin e Ibën Kajimit, që ka shkruar librin “Fevaid” (Dobitë), pastaj shejh Uthejminin me librin “Feraidul Fevaid” (Dobitë e rralla).

Këshilla e tetë: Leximi kolektiv.

Preferohet që bashkë me moshatarët e tu të lexosh dhe të diskutosh. Zgjidhet një libër, i cili është paksa i vështirë, në mënyrë që të zhvillohen debate dhe të bëhen shtjellime, dhe të arrihet deri te një kuptim i shëndoshë. Nëse haset në ndonjë çështje që ju s’mund ta kuptoni, atëherë kthehuni te dijetari.

Këshilla e nëntë: Leximi të mos bëhet në llogari të prezencës nëpër ligjërata.

S’ka dyshim se leximi është i dobishëm, mirëpo mos mendo se dobia është më e madhe edhe në krahasim me prezantimin në ligjërata. Gjatë ligjëratave angazhohen shumë mendje, kurse gjatë leximit tënd je vetëm ti, prandaj parafytyrimi më i saktë i çështjeve është nëpër ligjërata, sepse aty bëhen pyetje, debate, diskutime e të tjera.

SHKRUAN: AGIM BEKIRI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit