-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Si largohen dyshimet që hedh shejtani në lidhje me fenë?

Më të lexuarat

Kjo punë që bën shejtani sipas gjuhës së kuranit quhet [vesvese], fjalë kjo që ka hyrë herët në fjalorin e myslimanëve shqiptarë.
Fjala [vesvese] referuar gjuhës arabe dmth pëshpëritje e fshehtë dhe më pas me këtë fjalë janë emërtuar mendimet e këqija që hedh shejtani në zemrat e robëve të Allahut.
Allahu i madhëruar e ka quajtur shejtanin armik të egër të njeriut, armiqësi kjo që fillon nga koha e Ademit -alejhi selam- dhe do të vazhdojë deri në orën e fundit të dynjasë. Armiqësia e shejtanit duhet marrë seriozisht dhe kjo është porosia e Allahut kur thotë:

“Shejtani është armik për ju dhe ju merreni armik atë sepse ai i fton ndjekësit e tij që të jenë prej banorëve të zjarrit” suretu Fatir: 6. Allahu porosit në këtë mënyrë sepse ai e njeh realitetit e tij dhe prandaj e ka cilësuar: armik të egër, i padukshëm, di mirë të ndikojë të njerëzit nëpërmjet mashtrimit dhe i pandashëm prej njeriut derisa ta humbë atë siç thotë profeti -alejhi selam- “Shejtani ecën në trupin e njeriut si gjaku” mutefekun alejhi.

Për tu mbrojtur prej vesveseve të shejtanit profetit -alejhi selam- i ka zbritur një sure e plotë kurani dhe që është suretu En-Nas:
“Kul eudhu bi rabin-nas * melikin-nas * ilahin-nas * min sherril-uasuasil-khannas * eledhij juesuisu fij sudurin-nas * minel-xhinneti uen-nas”.
“Thuaj: kërkoj mbrojtjen e zotit të njerëzve * pronarit të njerëzve * adhuruesit të njerëzve * prej të keqes së atij që hedh vesvese dhe largohet * i cili bën vesvese në shpirtrat e njerëzve * qoftë ai prej xhinëve apo prej njerëzve ”.

Fjala e Allahut [prej të keqes së atij që hedh vesvese dhe largohet] dmth largohet kur ai e përkujton Allahun siç thotë Ibn Abasi e të tjerë: Shejtani ulet në gjunjë mbi zemrën e robit dhe kur shkujdeset nga përkujtimi i Allahut i bën vesvese dhe kur përkujton Allahun largohet.

Pra, shejtani nuk largohet prej njeriut veçse kur ai përkujton Allahun dhe ai që nuk e përkujton Allahun është përherë viktimë e tij.
Prej mirësisë së Allahut është që shejtani nuk ka mundësi të bëjë më shumë se vesvese sepse një armik i tillë nëse do të kishte mundësi më shumë sesa kaq do ti kishte çuar të gjithë njerëzit në humbje dhe ilaçi i vesveseve është përmendja e Allahut. Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon se një burrë erdhi te profeti -alejhi selam- dhe i tha: O i dërguari i Allahut, ndonjëri prej nesh gjen nganjëherë në shpirtin e tij diçka që më mirë për të është të jetë thëngjill i fikur sesa ta tregojë. Profeti -alejhi selam- i thotë: “Lavdia i takon Allahut që kurthet e shejtanit i ka bërë vesvese” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani. Kjo sepse vesveset e kanë ilaçin e tyre dhe që është përkujtimi i Allahut.

Një dua është transmetuar nga profeti -alejhi selam- në lidhje me atë që gjen mendime të këqija në lidhje me besimin e tij siç tregon Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Shejtani vjen te dikush prej jush dhe i thotë: kush e ka krijuar këtë, kush e ka krijuar këtë? Derisa i thotë: kush e ka krijuar zotin tënd? Nëse dikush e ndjen këtë gjë, le ti kërkojë mbrojtje Allahut (Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhijm) dhe të largohet nga ky mendim” mutefekun alejhi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Të thotë: Amentu bil-lahi ue rusulihi (Besoj në Allahun dhe profetin e tij)” e transmeton Ibn Hibbani dhe e saktëson sheikh Albani.
Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Të thoni: Allahu Ehad, Allahus-Samed, lem jelid ue lem juled ue lem jekul-lehu kufuuen ehah (Allahu është një, Allahu është ai që i drejtohen të gjitha krijesat, nuk ka lindur askënd dhe as ka lindur prej kujt dhe askush nuk është i barabartë me të). Pastaj të pështyjë nga e majta tre herë dhe ti kërkojë mbrojtje Allahut (Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhijm)” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shekh Albani.

Gjithashtu një dua është transmetuar edhe nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- i cili kur është pyetur nga një burrë për mendimet e këqija që i ndjen njeriu në zemër, i ka thënë se çfarë janë ato? Pyetësi i ka thënë: pasha Allahun nuk ti them dot. Ai i thotë: Mos janë dyshime?! Pastaj qesh dhe i thotë: nuk ka shpëtuar askush prej kësaj derisa Allahu ka zbritur ajetin “Nëse je në dyshim në lidhje me atë që të kemi zbritur, pyeti ata të cilët kanë lexuar librin para teje” suretu Junus: 94. Pastaj e porositi burrin të thotë: Huel-eulu uel-akhiru uedh-dhahiru uel-batinu ue hue bikul-li shejin alijm (Ai është i pari, është i fundit është mbi çdo gjë, është pranë çdo kujt dhe për çdo gjë është i dijshëm) suretu El-Hadid: 3. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Lusim Allahun të na mbrojë prej shejtanëve dhe vesveseve të tyre! Amin!

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit