1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Si iket nga Kosova për Hungari?

Më të lexuarat

Si iket nga Kosova për Hungari? Lexoni rrëfimin e një kosovari 23 vjeçar që është nisur për ta kërkuar jetën më të mirë, larg Kosovës e drejt Gjermanisë.

Po dalin me mijëra, Kosova po zbrazet. Përpos protestave anti Jablanovic, migrimi ilegal ka qenë tema kryesore e janarit, çështje kjo që u diskutua edhe në Parlamentin e Kosovës. Arsyet u tha se janë të shumta: prej mjerimit ekonomik e varfërisë, e deri te dëshpërimi i qytetarëve me klasën politike, ky i shprehur sidomos pas koalicionit PDK-LDK. Por, pakkush ka konsideruar një argument, që edhe po s’qe arsyeja kryesore, gjithsesi është i rëndësishëm: Lehtësia e daljes.

 

Të shkosh sot në Hungari është aq e lehtë sa të shkosh në Durrës a Vlorë.

 

Politiko.net ka biseduar me një emigrant ilegal që momentalisht gjendet në një strehimore azili në Munchen, për të kuptuar lidhur me rrugën që këta emigrantë ndjekin dhe koston që paguajnë.

 

Sipas emigrantit që nuk dëshiron të identifikohet, nga Prishtina në Suboticë, një udhëtim krejtësisht i kollajshëm dhe pa probleme, bileta kushton 30 € për person.

 

Në Suboticë presin sekserët (ose trafikantët) dhe kontakti me ta është i lehtë. Ata janë shqiptarë nga Kosova që kanë mësuar vrimat e kufirit serbo-hungarez.

 

Çmimet varirojnë prej 60€ deri 200 € për person, varësisht nga sekseri.

 

Kontakti ynë, 23 vjeçar, kishte fat. Së bashku me dy shokë të tij, kishin takuar një sekser, shqiptar nga Podujeva, i cili i ka dërguar në kufi për 60 € për person. Shërbimi që ofron trafikanti është bazik. Ai i dërgon deri në kufi dhe tregon rrugën që duhet marrë. I gjithë rreziku u takon emigrantëve.

 

Por, në të vërtetë, i vetmi rrezik, sipas tij, është nëse të kapin policia serbe. Edhe në atë rast, më e keqja që mund t’ju ndodhë është plaçkitja, por në asnjë rast kthimi.

 

Pas 20 minutash ecje, fillimisht nëpër një fushë, dhe më pastaj, duke menduar se mund t’i iknin syrit të policisë, nëpër një pyll të dendur, tre kosovarët emigrantë janë ndeshur me një polic hungarez, me qen.

Këtu merr fund aventura e tyre e kalimit ilegal të kufirit. Shuma që kishin paguar gjithsej nga Prishtina deri në kampin e azilit hungarez ishte 90 €.

 

Pas kapjes nga policët, ata përfundojnë në një stacion policor afër kufirit. Prej aty, i dërgojnë në një kamp azilantësh ku i mbajnë 24 orë. Sipas rrëfimit të këtij 23 vjeçari, hungarezët i kanë trajtuar kosovarët si kafshë.

 

“Nuk na kanë rrahur, jo. Por, na kanë trajtuar si qenin. Vetëm një herë na kanë dhënë ushqim për 24 orë. Më mirë është në ahur të lopëve se aty ku na kanë futur”, thotë ai.

 

Te nësermën, autoritetet e kampit ua kishin dhënë biletat e trenit për t’u transferuar në një kamp tjetër hungarez, në kufi me Austrinë. Por, emigrantët, përpos biletës, nuk kishin pasur përcjellje policore.

 

Duke shfrytëzuar lirinë e rifituar, emigrantët kosovarë kishin zbritur nga treni në Budapest, kishin gjetur një hotel të lirë për t’u pastruar dhe fjetur atë natë dhe të nesërmen me tren ishin nisur për Munich. Për gjithë këtë rrugë, shkojnë edhe 170 euro, ku përfshihet fjetja, ushqimi gjatë ditës dhe bileta 75 euro me tren nga Budapesti.

 

Në Munich, ky 23 vjeçar, bashkë me shokët e tij, lajmërohen azil. Aty, atij do t’i duhet të presë edhe dy muaj për t’u intervistuar lidhur me kërkesën e tij për azil. Ai shpreson se do t’i marrë “letrat”.

 

Flenë gjashtë veta me një dhomë, por kushtet higjienik janë të mira. Të gjithë marrin 3 shujta në ditë, plus nga 80 € në javë për shpenzime të vogla.

 

Duket si ekskursion, por nuk është.

 

“Nuk kam ikur për qejf. Kam ikur nga gjendja e vështirë ekonomike dhe papunësia”, thotë ai për Politiko.net.

 

“Sivjet do të përfundoja studimet, por punë nuk ka. Deri para disa kohësh kishte konkurse, e kishim shpresë për punësim, edhe pse të punësohesh s’ka gjasa. Tash, s’po ka as konkurse”.

 

Shënime zyrtare nga institucionet shtetërore për numrin e të larguarve nga Kosova, nuk ka. Por, njohës të rrethanave thonë se të gjitha përllogaritjet duhet të merren me rezerva. Megjithatë, sipas tyre, trendi është shqetësues. Një shifër orientuese e kosovarëve të larguar në këtë periudhë është 12.600 veta në muaj. / Politiko.net/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit