Pyetje: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë, siç e ka transmetuar imam Muslimi në “Koleksionin e haditheve autentike”: “Mos i bëni (ktheni) shtëpitë tuaja varreza. Me të vërtetë shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet sure ‘El-Bekare’.”
Pyetja ime është: A mjafton që njeriu të ndezë magnetofonin me leximin e sures “El-Bekare” derisa të përfundojë ajo? Apo duhet patjetër që ai ta lexojë vetë apo dikë tjetër që ta lexojë për të suren?
Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!): Falënderimet i përkasin vetëm Allahut! Ajo që bëhet e qartë -Allahu e di më së miri- është se me leximin e të gjithë sures “El-Bekare” nga radio (apo magnetofoni) apo nga vetë i zoti i shtëpisë arrihet ajo që ka përmendur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem prej: largimit të shejtanit nga ajo shtëpi (që lexohet surja El-Bekare).
Por kjo nuk do të thotë që ai (shejtani) nuk kthehet përsëri pas përfundimit të leximit. Ashtu siç ai largohet kur dëgjon ezanin dhe ikametin e pastaj kthehet derisa të ndërhyjë mes robit dhe zemrës së tij duke i thënë atij: “Përkujto këtë dhe atë gjë…” Siç saktësohet në lidhje me të njoftimi nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Legjitime (e lejuar) për besimtarin është që të kërkojë gjithmonë mbrojtjen e Allahut prej shejtanit dhe të bëj kujdes nga kurthet e cytjet tij dhe nga gjërat që fton për në mëkat. Allahu është dhuruesi i suksesit!
“Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 24
Përktheu: Unejs Sheme