Agjërimi i ramazanit është një adhurim që bëhet nga rreth një miliard muslimanë në botë. Gjatë muajit të ramazanit ushqimet dhe lëngjet lejohet të konsumohen vetëm pas perëndimit të diellit deri në agim dhe marrja e karbohidrateve zakonisht rritet.
Artikujt shkencorë që trajtojnë çështjen e agjërimit të diabetikëve në ramazan këmbëngulin në nevojën e kontrollimit të pacientëve diabetikë përpara ramazanit për të vlerësuar gjendjen e tyre fizike dhe metabolike si dhe aftësinë e tyre për të agjëruar.Shpesh pacientët e sëmurë me diabet mendojnë se sëmundja e tyre nuk është aq serioze dhe agjërojnë gjatë muajit të ramazanit. Por, mjekët duhet t’i këshillojnë ata se si të agjërojnë pa rrezikuar shëndetin e tyre. Shqetësimi i zakonshëm është se agjërimi mund të përshpejtojë episodet hipoglicemike gjatë kohës që pacienti është në mjekim e sipër.
Hipoglicemia mund të shkaktojë shqetësime sidomos pas çeljes së iftarit për shkak të ngrënies së tepruar. Disa pacientë arbitrarisht ulin dozat e ilaçeve ose e ndalin plotësisht mjekimin.
Si pjesë e edukimit të përgjithshëm, një pacient diabetik musliman duhet të edukohet për problemet speciale që mund të ndodhin gjatë agjërimit si dhe për çdo përmirësim të nevojshëm terapeutik.
Gjatë agjërimit duhen forcuar principet e dietës. Për shumë komunitete islame është bërë zakon konsumimi i vakteve me ushqime të skuqura dhe të pasura me karbohidrate në iftar ose më vonë. Pacientët duhet të paralajmërohen për efektet e dëmshme që ushqime të tilla mund të kenë në kontrollimin e diabetit.
Sipas një studimi të bërë në Marok me 542 pacientë diabetikë të pavarur nga insulina, të cilët trajtoheshin me Glibenclamide (Daonil ose Euguclon), krahasuar me një grup diabetikësh që zgjodhën për të mos agjëruar, asnjë nga vlerat laboratorike nuk tregoi ndonjë ndryshim sinjfikativ mes grupeve, madje as në incidencën e hipoglicemisë. Zbulimet e këtij studimi tregojnë se Glibenclamid-i ishte efektiv dhe i sigurtë për pacientët diabetikë të pavarur nga insulina të cilët agjëruan gjatë ramazanit. Edhe të dhëna të tjera e mbështesin këtë interpretim.
Për pacientët diabetikë të trajtuar me insulinë siguria për të agjëruar gjatë ramazanit duhet të vlerësohet me shumë kujdes, duke qenë se shumë prej tyre kanë nevojë për vakte të shpeshta e të vogla për të shmangur hipogliceminë. Monitorimi shtëpiak i glukozës dhe testimi për ketone duhet të inkurajohet jo vetëm për të parandaluar hipogliceminë, por për të parandaluar edhe ngrënien e tepërt.
Prandaj, pacientët diabetikë të tipit 1 në përgjithësi këshillohen që të mos agjërojnë për shkak të hipoglicemisë së mundshme ose për shkak të problemeve me kontrollin. Por kjo këshillë shpesh nuk merret parasysh dhe nuk zbatohet. Interes të veçantë meriton edhe një studim i kohëve të fundit që konfirmon sigurinë e agjërimit të pacientëve diabetikë relativisht stabilë të tipit 1.
Monitorimi i glukozës së gjakut në shtëpi, që sot konsiderohet si prerekuizitë e rëndësishme në trajtimin e pacientëve të trajtuar me insulinë, duhet të bëhet i detyrueshëm për ata pacientë diabetikë të trajtuar me insulinë që dëshirojnë të agjërojnë. Në këtë mënyrë, duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë kontrollit të përgjithshëm si dhe episodeve hipoglicemike që mund të kërkojnë përshtatje të dozova të insulinës ose ndalim të agjërimit. Pacientët diabetikë duhen këshilluar se as shpimi me shiringë për monitorimin e glukozës së gjakut në shtëpi e as injektimi i insulinës nuk e prish agjërimin.
Gjatë ramazanit, duhet bërë monitorimi i glukozës së gjakut në shtëpi si dhe me teste në klinikë. Episodet hipoglicemike ose nivelet e larta të glukozës së gjakut duhen shqyrtuar dhe pastaj duhen dhënë dozat e duhura ose duhen këshilluar pacientët që të ndërpresin agjërimin.
Përfundim
I këshilloj fuqishëm vëllezërit dhe motrat diabetike muslimane që të këshillohen me mjekun e tyre familjar të paktën dy javë përpara ramazanit, për t’u siguruar që mund të agjërojnë të sigurtë dhe për të zgjedhur strategjinë e duhur për kontrollin e diabetit. Ja dhe një guideline e shpejtë
Pacientët nën dietë
Syfyri të jetë vakti kryesor dhe më i madhi i ditës për ju. Gjatë kohës që nuk agjëroni, vaktet e ushqimit të jenë në afate kohore të barabarta.
Ata që marrin sulphonylurea
Një dozë në ditë, ta marrin dozën bashkë me vaktin e iftarit.
Më shumë se një dozë në ditë, ta ndërrojnë dozën e mëngjesit (plus ndonjë dozë në mesditë) me atë që do të marrin në kohën e iftarit.
Pacientët e trajtuar me insulinë
Agjërimi nuk rekomandohet për ata pacientë të prirur për ketoacidosis ose me luhatje të mëdha të glukozës së gjakut.
Ata që marrin insulinë
Një dozë në ditë, të kalojnë në dy doza në ditë.
Me dy doza në ditë, të marrin gjysmën ose një të tretën e dozës së mëngjesit dhe dozën e plotë të mbrëmjes.
Shkruar nga Khalid Kalantani, MD, ABFM (Asistent Profesor në Universitetin e Torontos)