0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

SI E PRANOI ISLAMIN NJË GRUA AMERIKANE

Më të lexuarat

SI E PRANOI ISLAMIN NJË GRUA AMERIKANE

“Si është e mundur që ju, një grua e edukuar amerikane, ta pranoni Islamin – një religjion që e shtyp gruan?”, ishte pyetja më e shpeshtë që i parashtrohej asaj pas konvertimit në Fenë Islame.

Karla, një bjondinë me sy të kaltër, ish-krishtere, tregon se si pakënaqësia e saj teologjike me doktrinën e Jezu Krishtit si Zot dhe gjurmimi i saj që bëri për të drejtat e gruas në Islam e inspiruan atë që të bëhet muslimane.

Procesi i konvertimit tim në Islam ishte mjaft i gjatë (pothuajse 20 vjet!). Ai filloi kur unë isha në moshën 12 vjeçare. Kam mësuar në shkollën private që vlerësohej si shumë, shumë konservative… Ishim të detyruar të veshim uniformë… më shumë interesoheshin për dukjen tonë, se sa për notat (shkollore) etj. Sidoqoftë, i mësonim të gjitha religjionet më të mëdha në botë. Kishim disa libra të vogla: një për Krishterizmin, një për Hebraizmin, një për Islamin, një për Hinduizmin dhe një për Budizmin. Më kujtohet që isha shumë e fascinuar nga Islami dhe mendoja se muslimanët nuk ishin hipokritë sikur disa të krishterë që unë i njihja. E di se dy çështje më interesonin shumë. Njëra ishte fokusimi në Një Zot të Vetëm. Çdoherë kam pasur pyetje lidhur me doktrinën krishtere të konsiderimit të Jezu Krishtit si Zot – dhe si ata shkojnë kundër urdhërit të parë. Çështja e dytë që më interesonte ishte namazi. Jo vetëm lutja pesë herë në ditë, por si pjesa më e madhe e atyre që luten përqëndrohen në adhurimin e Zotit. Në krishterizëm lutjet tona synojnë të jenë “lutje të zbrazëta”. “ O Zot, më jep këtë… O Zot, më jep atë”.

Shkova në kolexh në Uashington DC, ku kishte popullatë muslimane në numër të konsiderueshëm. Interesimi im për Islamin ishte definitivisht akoma këtu – edhepse në një farë mënyre isha shumë e turpshme. Fillova të bëj “udhëtimin tim nëpër xhami” duke filluar së shkuari në Qendrën Islamike në kohën e lutjeve, por ja që isha shumë e turpshme që të hyj brenda. Njëherë u lajmërova përmes telefonit për të pyetur se vallë a kanë ndonjë klasë për njerëzit që janë të interesuar për Islamin, por asnjëherë nuk m’u paraqitën që të më tregojnë. Andaj vetë bleva një kopje të Kur’anit dhe fillova ta lexoj atë. Ishte mrekulli. Disi përnjëherë më hyri në zemër, e dini? Ajo që vërtetë më mahniti mua rreth Islamit që nga fillimi, ishin të drejtat që i ishin dhënë gruas në këtë Fé. E di që shumë njerëz do të qeshin në këtë që e them unë, por si një njeri që e ka lexuar Biblën – unë pashë të drejta që i ishin dhënë gruas në Islam të cilat asnjëherë nuk i janë dhënë gruas në Bibël. Vajzës i ishte dhënë e drejta që të refuzojë partnerin në martesë, ndërsa në kulturën perëndimore krishtere në atë kohë (në shekullin e shtatë) vajza ka qenë e trajtuar si pronë e babait – dhe është dashur të martohet ashtu siç e sheh ai të arsyeshme. Në Islam gruas i është garantuar një pjesë e trashëgimisë nga babai dhe nga pasuaria e burrit, ndërsa në krishterizëm ajo pasuri ka shkuar vetëm te djali më i madh. Gratë kishin të drejtën e pronës dhe të lidhin kontratë biznesi, të drejtë të cilën gratë në Shtetet e Bashkuara e kanë fituar vonë kah mesi i shekullit nëntëmbëdhjetë. Pejgamberi i Zotit, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka predikuar kundër vrasjes së bijave – një praktikë e përgjithshme e asaj kohe, dhe që akoma është problem në Indi dhe Kinë. Sigurisht, sot ekziston teknikë më e përsosur e vrasjes së fëmijëve femra – aborti i kryer pas eho inçizimit që tregon gjininë e fëmijës. Edhe burrat edhe gratë ishin të këshilluar që të përfitojnë diturinë “nga djepi deri në varr”.

Gjatë vitit të fundit, e gjeta një program të thirrjes islame në televizion, i ashtuquajtur “Islami”. Aty tregohej një grua me karakteristika perëndimore duke intervistuar njerëzit në tema të ndryshme lidhur me Islamin. Besoja që ky emision ishte lëshuar nga Shërbimi Informativ Islam, por nuk isha e sigurt për këtë. U bëra plotësisht e varur nga ky emision… nëse në atë kohë kisha për të dalur jashtë, e lëshoja videon që ta inçizojë atë. Nuk më kujtohet se në cilin kanal ishte… vetëm e di se tregohej në ditën e premte, dhe që secili emision fillonte me fjalinë “Në emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Kur erdhi emisioni mbi shehadetin (dëshminë e ekzistimit të vetëm një Zoti), e kuptova në vete se unë besoja… ashtu që unë e thashë dëshminë e shehadetit bashkë me televizionin tim. Vallë a u bëra unë atëherë muslimane në diturinë e Zotit? Nuk e di. Për fat të keq, unë nuk njihja asnjë musliman për të biseduar rreth Islamit. Gjithashtu isha shumë e brengosur se ç’farë do të mendojnë rreth kësaj familja dhe shoqëria ime. Gjatë kohës së diplomimit tim (mendoj që ishte viti 1990 apo 1991), Ambasada Saudite sponzoroi një ekspozitë të artit islam në qytet. Më kujtohet kur pyeta njërin nga organizatorët e kësaj ekspozite se vallë a ka ndonjë informatë plotësuese mbi Islamin, kurse djaloshi më tha shkurt: “Jo”. Isha e shtangur. Nuk dija ku të drejtohem që të kuptoj më shumë për Islamin. Me kë të bisedoj në lidhje me pyetjet që i kisha. Isha shumë e turpshme për të shkuar në xhami. Madje as nuk e dija se vallë a mund të hy brenda, si grua. Nuk e dija nëse duhet të jem e veshur si duhet… apo se do të jem i vetmi person që nuk flet gjuhën arabe aty. Unë vazhdova ta lexoj Kur’anin dhe t’i parashtroj pyetje Zotit. Duke shpresuar që Zoti do t’u përgjigjet lutjeve të mia.

Etja ime për Zotin nuk u shua… kështu që vendosa të shkoj në religjionin më konvencional, dhe u bëra krishtere diku në moshën 20 vjeçare. Por problemi ishte që unë gjithmonë kisha pyetje/dyshime sa i përket krishterizmit – kryesisht mbi konceptin e Trinisë së shenjtë/Madhështia e Jezu Krishtit. Jezu Krishti si Zot nuk kishte kuptim për mua, dhe se kjo ishte në kundërshtim me Urdhërin e Parë dhe atë që Jezu Krishti vet e kishte praktikuar. Ai gjithmonë është fokusuar në Zotin, Babain. Kur është pyetur, ai ka thënë që Urdhëri më i madh është që të duhet Zoti me gjithë zemër, shpirt dhe mendje. Zoti – njëjës. Kjo ishte gjëja që unë gjithmonë kam dashur ta bëj, dhe shpresoja se do të përmirësohem së fundi. Pyeta disa priftërinj të ndryshëm lidhur me dyshimet e mia, kurse përgjigjja që do ta merrja ishte: “Ti thjeshtë duhet të kesh besim”. Më kujtohet kur në një klasë studimi të Biblës një djalosh filloi të flet gënjeshtra të mëdha në lidhje me muslimanët. Unë u ngrita në këmbë dhe thashë: “Kjo nuk është e vërtetë”, dhe fillova t’u tregoj njerëzve që ishin aty në Shkollën e së Dielës se në çka besojnë muslimanët në të vërtetë. E shihni… që atëherë… unë nuk kam mundur ta mohoj shehadetin. Unë akoma besoja që ekziston vetëm një Zot dhe se Muhammedi është i Dërguar i Zotit.

Përderisa isha në shkollë në Tenesi, kontaktova me Shoqatën e Studentëve Muslimanë në qytezën studentore. U takova me dy motra muslimane në një lokal të qyetit për të pirë çaj. Fatkeqësisht, ato nuk kuptuan si duhet se unë kisha dëshirë ta pranoj Islamin – dhe i tërë takimi ishte pa lidhje. Vendosa që ta konsideroj vetveten vetëm si monoteiste. Vazhdova të lexoj libra mbi religjionet më të mëdha Monoteiste në botë – Hebraizmin, Islamin dhe Krishterizmin. Dhe bëhesha gjithnjë e më e pa rehatshme me krishterizmin. Kur shkoja në kishë dhe e shikoja Krishtin në mur, kjo më bënte edhe më konfuze se sa që isha. Ai dukej si idhull të cilin njerëzit e adhuronin. Më shumë më pëlqente të mësoj më tepër mbi hebraizmin, dhe e shihja se ishte më afër Islamit.

Pastaj u punësova në një kompani. Rastësisht u takova me një djalë me të cilin më vonë do të më lidhte puna më tepër. Ai punoi shumë projekte për mua dhe ne u bëmë shokë. Sapo e kishte lënë kolexhin dhe ishte rebeluar. Fillova ta pyes si mundet të konsumojë alkool nëse është musliman (dhe iu kërcënova që do t’i tregoj nënës së tij)… E pastaj e pyeta përse nuk shkon në xhami në lutjen (faljen) e xhumasë, etj. Gjatë vitit e kuptova që, përderisa i flisja atij, unë në të vërtetë i flisja vetvetes (edhe pse unë nuk konsumoja alkool – e as që kam konsumuar ndonjëherë).

Ashtu që, gjatë shkurtit të kaluar shkova te kabineti i Muslimanëve të Rinj pranë Qendrës Islamike lokale në mbrëmje të një të mërkure. Aty nuk kishte askush. Njëri nga djemtë aty më tha që ta pres kohën e namazit të jacisë… Imami i xhamisë sigurisht do të vie… Por ndjehesha disi e parehatshme. Dhe u largova. Pas katër javëve, u mundova përsëri. Aty ishte duke u zhvilluar një orë. Atë natë, 10-11 vjet pasi që e kisha thënë për herë të parë shehadetin në banesën time në shtetin Uashington para televizionit, e thashë shehadetin para Imamit, para një motre muslimane dhe një grupi njerëzish të cilët ishin të interesuar për Islamin. Që prej atëherë, unë kam mësuar të falem (diçka jam munduar të mësoj përmes internetit dhe videos për shumë vite me radhë!)… dhe fillova ta mësoj gjuhën arabe. Nëse don All-llahu, një ditë do të jem në gjendje ta lexoj dhe ta kuptoj Kur’anin në arabisht. Unë jam plotësisht e mahnitur se që tani mund t’i lexoj disa pjesë të vogla të Kur’anit, edhe pse fjalori im nuk më lejon që të kuptoj shumë… akoma.

E hënë, 8 tetor 2001. Ishte kjo një ditë madhështore për mua në jetën time si muslimane. E vesha hixhabin (veshje e gruas muslimane) për herë të parë në punë, si pjesë e fushatës Shamia për Solidaritet. U bëra e famshme në punë – njerëzit shpesh vinin deri te dera e zyrës sime. I pata ngjitur në derën e zyres time artikujt që flisnin mbi fushatën “Shamia për Solidaritet”. Dhe kur njerëzit më pyetnin: “A je një nga ato?” apo “A jeni edhe ju muslimane?” unë përgjigjesha: “Po”. Dhe tani të gjithë në punë e dinë se unë e kam përqafuar Islamin. Mendoj se njerëzit mund të kenë supozuar se një grua bjondine me sy të kaltër nuk mund të jetë muslimane. Pyetja më e shpeshtë që më parashtrohet është: “Si është e mundur që ti, një grua e edukuar amerikane, ta pranosh Islamin – një religjion që shtyp gruan?” Ata shpejtë tentojnë të vlerësojnë të drejtat e gruas në Afganistan me të drejtat e gruas muslimane në çdo vend tjetër. Ajo që unë u them atyre është se, Kur’ani i jep gruas më shumë të drejta se sa Bibla. Kjo ishte njëra nga gjërat e para që më solli tek Islami. Fatkeqësisht, Islami një kohë të gjatë nuk është udhëheqës në të drejtat e gruas. Unë pata rastin të zgjedhi – ta refuzoj atë që e besoj (do të thotë, se ka vetëm një Zot dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij)… apo ta pranoj atë që besoj, por të punoj në ndryshimin e problemeve që ekzistojnë brenda në komunitetin musliman. Unë e zgjodha këtë të fundit.

Motra juaj në Islam, Karla

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit