1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Si e përcaktojnë kohën e namazeve dhe të iftarit te ne dhe si në shtetet skandinave?

Më të lexuarat

Pyetja:

Si e përcaktojnë kohën e namazeve dhe të iftarit te ne dhe si në shtetet skandinave, ku atje, të themi, gjatë verës është vetëm ditë?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Komisioni i Përhershëm për Studime Shkencore dhe Fetva i Arabisë Saudite, “El-lexhnetud Daime Lil Buhuthel Ilmije vel Ifta”, ka nxjerrë një deklaratë për përcaktimin e kohëve të namazeve dhe për definimin e fillimit të agjërimit dhe të iftarit nëpër këto vende. Kjo deklaratë është një konkluzion i cili është publikuar pas studimit dhe diskutimit mes anëtarëve të komisionit. Në këtë përgjigje do të përqendrohemi tek ajo që është cekur nga këta dijetarë të mirënjohur, pasi është mjaft e detajuar dhe e sqaruar mirë. Këta dijetarë të mirënjohur çështjen e kohëve të namazeve dhe të iftarit e shtjellojnë në dy pika.

Pika e parë: Ka të bëjë me përcaktimin e kohëve të namazeve nëpër ato vende (rajone) në të cilat dallohet nata nga dita me lindje dhe perëndim të diellit brenda 24 orëve. Me fjalë të tjera, kemi ndërrim të natës dhe të ditës, edhe nëse njëra prej tyre është më e gjatë se tjetra, siç ndodh edhe te ne, që gjatë verës dita është më e gjatë se nata, kurse dimrit ndodh e kundërta.
Përcaktimi i kohëve në këto rajone bëhet në bazë të diellit, ashtu siç është sqaruar kjo nga argumentet e Kuranit dhe të Sunetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e përcjellë.” (Isra, 78). Dhe thotë: “Vërtet namazi, është detyrë e obligueshme për besimtarë në kohë të caktuar.” (Nisa, 103)
Gjithashtu kemi një numër të konsiderueshëm të haditheve të cilat i sqarojnë kohët e namazeve në formë të detajuar për secilin namaz. Prej tyre do të përmendim dy hadithe:

1. Vërtetohet nga Burejde, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një njeri e pyeti Muhamedin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për kohën e namazit. Ai i tha: “Falu me ne këto dy ditë (të ardhshme).”
Kur dielli kaloi zenitin, e urdhëroi Bilalin të thërriste ezanin, pastaj e urdhëroi të bënte ikamet dhe e fali drekën. Pastaj urdhëroi dhe e fali ikindinë duke qenë dielli i ngritur dhe i çiltër (në fillim të kohës së ikindisë). Pastaj urdhëroi dhe e fali akshamin kur perëndoi dielli. Më pas, kur kaloi muzgu, urdhëroi dhe e fali jacinë. Sabahun e fali kur doli agimi.
Në ditën e dytë urdhëroi që të falet dreka kur u largua vapa e gjysmë ditës (nga fundi i kohës së drekës), … gjithashtu edhe ikindinë e fali më vonë, akshamin e fali pak para se të largohet muzgu. Kurse jacinë e fali pasi kaloi një e treta e natës. Sabahun e fali kur filloi të gdhijë mëngjesi dhe të shihet gjithçka (pak para lindjes së diellit). Kur përfundoi, pyeti: “Ku është personi i cili pyeti rreth kohëve të namazeve?” Pyetësi u përgjigj: “Ja ku jam, o i Dërguar i Allahut.” Ai i tha: “Koha e namazve është në mes të kësaj që ke parë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

2. Përcillet nga Abdullah Ibën Amër Ibën Asi, se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Koha e drekës fillon kur të kalojë dielli zenitin dhe hija e njeriut është sa gjatësia e tij, derisa të hyj koha e ikindisë. Koha e ikindisë fillon para se të skuqet dielli. Koha e namazit të akshamit është deri para se të largohet muzgu. Koha e namazit të jacisë përfundon në mes të natës. Namazi i sabahut fillon me agimin e mëngjesit deri para lindjes së diellit.” Shënon Muslimi.
Deri këtu përgjigjja kishte të bënte me kohët e namazit. Sa i përket përcaktimit të kohës së agjërimit dhe të iftarit, nga muslimanët kërkohet ta ndalojnë veten nga ushqimi, pija dhe të gjitha gjërat e tjera që e prishin agjërimin prej agimit deri në perëndim të diellit në vendet në të cilat jetojnë. Kjo është kështu në të gjitha vendet në të cilat dita dhe nata dallohet qartë brenda 24 orëve.
Të gjitha argumentet sheriatike të cilat sqarojnë kohën e fillimit të agjërimit dhe të iftarit lidhen me zbardhjen e mëngjesit dhe me perëndimin e diellit, prandaj nuk merret parasysh gjatësia e ditës dhe e natës në përcaktimin e orarit të iftarit dhe të syfyrit. Kështu, për shembull, te ne ndodh që verës muslimani të agjërojë deri në 17-18 orë nga 24 orët, kurse gjatë dimrit të agjërojë më pak se dhjetë orë.

Pika e dytë: Rajonet në të cilat nuk perëndon fare dielli (gjatë verës) apo nuk lind fare (gjatë dimrit), siç ndodh në disa vende, ku vazhdon dita, respektivisht nata, deri në gjashtë muaj.
Falja e pesë namazeve në këto vende bëhet duke i falur ato gjatë çdo 24 orëshi. Përcaktimi për faljen e secilës kohë bëhet duke u bazuar me vendin më të afërt për ta, vend në të cilin kemi ndërrim të natës dhe të ditës dhe është e qartë koha e secilit namaz, se kur hyn dhe kur përfundon ajo.
Argumenti se është e detyrueshme falja e pesë kohëve të namazit brenda 24 orëve mbështetet në disa hadithe, ndër të cilat përmendim:

1. Hadithi me të cilin ngarkohen muslimanët me namaz, kur Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ishte në Miraxh. Në këtë hadith ceket se Allahu i Lartësuar i thotë Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të: “O Muhamed, janë pesë namaze çdo ditë dhe mbrëmje dhe secili namaz ka vlerën e dhjetë namazeve, kjo në përgjithësi arrin vlerën e pesëdhjetë namazve…1”

2. Gjithashtu kjo vërtetohet edhe me hadithin e Talha Ibën Ubejdilahit, Allahu qoftë i kënaqur me të, në të cilin thuhet: “Erdhi një njeri nga krahina e Nexhdit te Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe i bëri disa pyetje. Ndër pyetjet që i parashtroi ishte edhe ajo rreth namazeve obligative. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, përgjigjet: “Pesë namaze i ke obligim gjatë ditës dhe natës.” Ky e pyet: “A jam i obliguar me ndonjë namaz tjetër (përveç këtyre pesë kohëve)?” Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, u përgjigj: “Jo, vetëm nëse do të falësh nafile…2”

3. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me një rast, kur ka folur për ditët në të cilët do të qëndrojë Dexhali në tokë, tregon: “Ai do të qëndrojë dyzet ditë në tokë, një ditë do të jetë sa një vit, një ditë sa një muaj, një ditë sa një javë, kurse ditët e tjera do të jenë si ditët tuaja të zakonshme.” Dikush nga të pranishmit e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, në ditën e cila do të jetë sa një vit, a na mjafton falja e namazeve të një dite?” Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Jo, por përcaktoni kohën (për namaz).3”
Në këtë hadith nuk është marrë dita e cila do të ketë gjatësinë e një viti si një ditë e vetme në të cilën mjafton të falen vetëm pesë kohë namaz, por është kërkuar të bëhet llogaritja e gjatësisë së një dite, që tani bëhet me orë (pra 24 orë). Më qartë nga hadithi nënkuptojmë se falja e pesë namazeve në këtë rast nuk bëhet në bazë të lëvizjes së diellit, gjegjësisht ndërrimit të ditës dhe natës, ashtu siç është esencë, por bëhet duke pasur parasysh kohën në mes të namazeve dhe duke e përllogaritur këtë kohë.
Duke pasur parasysh këto që u cekën, Komisioni i Përhershëm për Studime dhe Fetva ka paraparë që falja e namazeve në këto vende të bëhet duke përcaktuar kohët me vendin më të afërt për ta, në të cilin bëhet ndërrimi i natës dhe i ditës brenda 24 orëve.
Gjithashtu, i njëjtë është edhe përcaktimi i kohës së iftarit dhe të syfyrit, fillimi i muajit të Ramazanit dhe përfundimi i tij. Të gjitha këto bëhen duke u bazuar me kalendarin (takvimin) e vendit më të afërt në të cilin bëhet ndërrimi i natës dhe i ditës brenda 24 orëve. Allahu e di më së miri!

Kjo përgjigje është marrë kryesisht nga libri “Fetava El-lxhned Daime”, vëll: 6, f. 130-136.

Alaudin Abazi
16.5.2008

1 Hadithi është i gjatë dhe e shënon Buhariu dhe Muslimi.
2 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
3 Shënon Muslimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit