1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Si e kanë komentuar dijetarët e Ehli Sunetit hadithin në vijim?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum!
Pyetja ime është kështu. Si e kanë komentuar dijetarët e Ehli Sunetit hadithin në vijim: “Para kiametit do të paraqiten fitnet sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar ndërsa në mbrëmje bëhet jobesimtar, ose në mbrëmje është besimtar ndërsa gdhihet jobesimtar”
Allahu jua shpërbleftë!
Selam alejkum!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ekzistojnë disa hadithe në të cilat ceket ky citat për të cilin ju bëni pyetje. Prandaj, për ta kuptuar më qartë atë që aludon ky citat, do të sjellim disa nga këto hadithe:

– Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: “Nxitoni në vepra (të mira) para se të paraqiten fitnet sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar (kafir), ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar. Do ta shesë ndonjëri prej jush fenë e tij për një kotësi të kësaj bote.” Shënon Muslimi, Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Dhe thotë: “Para vetës keni fitne sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar e ngryset jobesimtar ose ngryset besimtar e gdhihet jobesimtar. I uluri nga ato fitne (ai që nuk merr pjesë) është më i mirë se ai që është në këmbë, ai që është në këmbë është më i mirë se ai që nxiton në të (ato fitne).” Ata që ishin të pranishëm e pyetën: “O i Dërguar i Allahut, çfarë po na urdhëron të veprojmë?” Ai u tha: “Ngjituni për shtëpitë tuaja.” Shënon Ebu Davudi.
Porosia “Ngjituni për shtëpitë tuaja” nënkupton që në asnjë mënyrë të mos jemi pjesëmarrës të atyre trazirave.

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Para kiametit do të paraqiten fitne sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar ndërsa ngryset jobesimtar, ose ngryset besimtar e gdhihet jobesimtar. Ai që është i ulur nga ato fitne (nuk merr pjesë) është më i mirë se ai që është në këmbë, ai që është në këmbë është më i mirë se ai që ecën (shkon në ato fitne, merr pjesë), ai që ecën është më i mirë se ai që nxiton në të, andaj thyeni harqet (armët) tuaja, këputni litarët (e harqeve) dhe me shpatat tuaja goditni gurët. E, nëse dikujt i hyn dikush në shtëpinë e tij, atëherë le të jetë si biri më i mirë nga dy bijtë e Ademit (Kabili e Habili).” Shënon Imam Ahmedi, Ebu Davudi, ibn Mexheh dhe Hakimi në Mustedrekin e tij.
Koment i shkurtër rreth këtyre haditheve

Këto dhe hadithe të tjera të ngjashme paralajmërojnë fitnet e njëpasnjëshme me të cilat do të ballafaqohen muslimanët para ardhjes së kiametit. Hadithet që flasin për paraqitjen e këtyre fitneve njoftojnë se fundin e këtij umeti do ta godasin sprova e fitne shumë të mëdha dhe të rënda, ashtu si thuhet në këto hadithe: “…sikur nata e errët”, pra është një krahasim se sa shumë do të jenë të rënda këto fitne për njeriun dhe se e vërteta do të përzihet shumë me të kotën, saqë njeriu nuk do të arrijë t`i dalloj këto, ashtu siç hutohet në natën e errët dhe nuk di se çfarë ka para vetes.

Ndërsa pjesa:“…gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar (kafir), ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar”, nënkupton se nga ato përzierje të shumta të fitnes dhe të sprovave shumë lehtë njeriu mund të dalë nga feja, madje edhe pa e vërejtur ai këtë. Ndodh ta veprojë një punë që nga padituria mendon se nuk është aq e madhe, kurse ai veprim në fakt e nxjerr nga feja atë. Allahu na ruajttë nga fitnet e dukshme dhe ato të padukshme!

Shejh Aburrahman Berrak gjatë komentimit të kësaj pjese të hadithit thotë: “Në thënien: “…gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar” është e mundur, Allahu e di më së miri, se thënia: “ngryset jobesimtar” ka për qëllim kufrin e madh (i cili të nxjerr nga feja). Me fjalë tëtjera, këto fitne i bëhen shkaktarë atij që të dezertojë nga feja, të dalë nga Islami. Pra, të jetë besimtar (gjatë ditës) dhe (në mbrëmje) të dezertojë dhe të bëhet kafir. Por gjithashtu ka mundësi që qëllimi të jetë kufri i vogël (i cili nuk të nxjerrë nga feja). Pra, hadithi mund të ketë për kuptim edhe këtë (kufirin e vogël) edhe atë (kufirin e madh).

Pra, do të ketë nga njerëzit të cilëve do t`u bëhen sebep këto fitne që do ta nxjerrin atë nga feja, sikurse të lejojë diçka nga gjërat të cilat i ka bërë haram Allahu, etj. Do të ketë edhe disa njerëz të tjerë të cilëve këto fitne do t`u bëhen sebep që të bëjnë mëkate të ndryshme, të cilat llogariten nga llojet e kufrit të vogël.1” Ky është komenti i kësaj pjese të hadithit, Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
22.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit