Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.
Edhe syri agjëron, por si agjëron ai?
Agjërimi i syrit bëhet me ruajtjen e tij nga haramet, largimin nga imoraliteti dhe uljen e tij nga turpet. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju besimtarëve le të ulin shikimet e tyre dhe të ruajnë organet e tyre kjo është më e pastër për ta. Me të vërtetë Allllahu e di se çka veprojnë. Thuaju besimtareve të ulin shikimin e tyre dhe të ruajnë organet e tyre.”
Syri është dritare për zemrën dhe derë për shpirtin. Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) se Aliu [radijall-llahu anhu] e kishte pyetur rreth shikimit, ndërsa Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) i kishte thënë: “Ule shikimin.”
E kush nuk e ul dhe nuk e ruan shikimin e tij do të ballafaqohet me katër sprova: e para është sëmundja e zemrës, humbja e qetësisë së mendjes, humbja e vetëbesimit dhe pamundësia për të qenë i vendosur për ndonjë gjë; e dyta është lodhja e vetes, ngase nuk ka mundësi të arrijë atë që ka pare, kështu që vetja e tij ndihet e lodhur dhe e humbur, sepse ndihet e pafuqishme në arritjen e asaj që e ka parë syri.
e treta është humbja e adhurimit dhe e kënaqësisë së adhurimit pasi me shikimin e asaj që është e ndaluar e pakëson dritën e besimit. Andaj nëse nuk e edukon syrin dhe nuk agjëron nga shikimi, nuk e ndien kënaqësinë e besimit dhe as sinqeritetin e adhurimeve që mund t’i përjetosh vetëm duke e ulur shikimin dhe edukimin e tij; e katërta është dënimi i madh pasi ai ka parë në gjëra të ndaluara, në moralin e muslimanëve, në fshehtësitë e tyre, andaj edhe do të marrë dënimin e merituar për veprimet e tij. Duhet të kemi parasysh se asnjë njeri nuk ka rënë në imoralitet vetëm se t’i ketë paraprirë shikimi, pasi syri është çelësi i çdo të keqeje. All-llahu i Madhërishëm na ruajtë nga shikimet e ndaluara.
Një prej të parëve të devotshëm thotë se një herë kishte parë diçka të ndaluar dhe se pas dyzet vitesh e kishte harruar Kur’anin tërësisht. E gjithë kjo është si pasojë e dënimit që All-llahu i Madhërishëm u jep atyre që nuk e ruajnë shikimin e tyre e që si pasojë e kësaj është, po ashtu, edhe humbja e ndjenjës së kënaqësisë dhe përkushtimit gjatë adhurimeve që bën besimtari ndaj Zotit të tij.
Ndërsa të parët tanë shikimin e përshkruanin si një kalorës që nëse gjuan qëllon, e nëse prangoset të kundërshton, por nëse lihet i lire, atëherë zemrën do ta çojë në degjenerim.
Po ashtu, është përshkruar si diçka që nëse i liron frerët të hedh tutje e nëse nuk e kontrollon të dënon.
Shah El-Kermani thotë: “Nëse njeriu e ruan shikimin e tij dhe e rregullon brendinë e tij me devotshmërinë e Allllahut, ndërsa anën e jashtme të tij me pasimin e traditës së Profetit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], nuk do të gabojë intuita e tij, e pastaj kishte lexuar fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Në atë (ngjarje), vërtet ka argumente për ata që mendojnë.”
Në uljen e shikimit dhe në ruajtjen e tij ka 5 mirësi: e para është praktikimi i urdhrave të All-llahut të Madhërishëm dhe nënshtrimi ndaj tyre, pasi Ai ka urdhëruar të ulet shikimi dhe të ruhet nga të ndaluarit, andaj në kryerjen e këtij urdhri ka shpërblim të madh si në këtë botë, po ashtu në botën tjetër; e dyta është ruajtja e zemrës nga sëmundjet, nga devijimet dhe nga shpërqëndrimi i saj; e treta është të larguarit nga sprovat, nga imoraliteti dhe ruajtja e vetes nga rënia në zina; e katërta është në lidhje me atë se All-llahu i Madhërishëm si shpërblim për këtë veprim do ta pasurojë me dije, me të kuptuar dhe me devotshmëri; e pesta është dritë dhe qetësi që All-llahu i Madhërishëm u jep të devotshmëve dhe të sinqertëve për uljen e shikimit dhe praktikimit të urdhrave të All-llahut të Madhërishëm.
E nëse vjen Ramazani kërkohet prej besimtarëve të agjërojnë edhe me syrin e tyre, pasi ka shumë njerëz që agjërojnë me stomakun e tyre, por që realisht nuk mbetet asgjë nga agjërimi i tyre, ngase gjithë kohën shikojnë të ndaluarat.
Uria është ajo që e thyen krenarinë e shikimit dhe forcën e tij për të hulumtuar në të ndaluarat. Uria e ul potencialin e epshit të shikimit dhe e dobëson kënaqësinë e tij.
E kur të pamoralshmit hodhën shikimin e tyre dhe pasuan epshet e tyre ranë në mëkate dhe në degjenerime derisa u shkatërruan. Po ashtu, ka prej njerëzve që agjërojnë stomakët e tyre nga të ushqyerit dhe pijet, por ata nuk e ndiejnë kënaqësinë e këtij agjërimi, sepse nuk u ndaluan nga harami. Andaj le të agjërojnë sytë dhe shikimet tona, o ju që agjëroni, ashtu siç agjërojnë stomakët tanë nga të ushqyerit dhe nga pija në mënyrë që të na qetësohen zemrat dhe të na pastrohen mendjet.
All-llahu i Madhërishëm në lidhje me këtë thotë: “Aty janë të mbështetur në kolltukë dhe aty nuk shohin as diell (vapë) e as të ftohtë.”
Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi ata që agjërojnë sytë dhe shikimet e tyre siç agjërojnë stomakët e tyre.