27 C
Pristina
Saturday, September 28, 2024

Si agjëron dëgjimi?

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

All-llahu i Madhërishëm në një ajet thotë: “Dëgjimi, shikimi dhe zemra të gjitha do të jenë ndaj tij përgjegjës.”
Të dëgjuarit është përgjegjësi nga ana e All-llahut të Madhërishëm për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit, andaj të devotshmit janë ata që dëgjuan atë që ishte më e mira dhe e pasuan atë. E mjerë për ata që dëgjojnë atë që është e ndaluar dhe privojnë dëgjimin e tyre nga ajo që është më e mira.

Dëgjimi agjëron nga ajo që është e ndaluar dhe nga fjalët e kota, nga sharjet dhe fyerjet, ndërsa të devotshmit kishin agjërim shumë madhor ngase ata gjatë dhe jashtë Ramazanit, ruanin dëgjimin e tyre nga e gjithë ajo që hidhëronte All-llahun e Madhërishëm dhe ishte e ndaluar.

Shumë prej njerëzve kanë shkatërruar mirësitë që u ka dhënë All-llahu i Madhërishëm duke i furnizuar ata me organe dhe me gjymtyrë të shëndosha, por që ata i shkatërruan ato nga pakujdesia e tyre. Në lidhje me këtë All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për Xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.”

Po, ata kanë vesh dhe kanë shqisa të dëgjimit, por nuk e dëgjojnë zërin e këshillës, zërin e thirrjes dhe së vërtetës. Dëgjimi i shumë prej njerëzve është plotësisht sikurse dëgjimi i kafshëve që nuk mendojnë, nuk logjikojnë dhe nuk meditojnë atë që dëgjojnë, andaj nga dëgjimi i tyre nuk ka ndonjë dobi e as që kanë ndonjë përfitim. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Apo ndoshta llogaritë se ata dëgjojnë apo mendojnë assesi ata janë sikurse kafshët e që ndoshta janë edhe më të humbur.”

Ka prej njerëzve që kanë mbushur të dëgjuarit e tyre me muzikë të ndaluar, me fjalë të kota, me të shara dhe fyerje, duke e privuar atë nga Kur’ani, nga fjala e All-llahut të Madhërishëm, nga kjo retorikë profetike dhe fjalë të dobishme.

Njeriu, e në veçanti besimtarët, duhet të ketë kujdes që të dëgjojë Kur’an pasi dëgjimi i Kur’anit i mbush zemrën me dritë, me qetësi, me kënaqësi dhe me vendosmëri ndaj All-llahut të Madhërishëm e, po ashtu, bën edhe ruajtjen e dëgjimit, pasi e skalit atë që të jetë i mbrojtur nga dëgjimi i diçkaje që është në kundërshtim me kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.
Po ashtu, dëgjimi i Kur’anit të mbush me dije dhe me urtësi nga All-llahu i Madhërishëm e në të njëjtën kohë të largon nga rrugët e këqia, nga cytjet e djallit dhe nga mendimet e kota.
Ushqimi i dëgjimit duhet të jetë fjala e mirë, mësimet e dobishme, këshillat e urta, edukata e bukur dhe gjithçka që është ndihmëtar për të arritur kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.

“O dëgjim, asnjëherë mos dëgjo veçse fjalën e mirë!
Se dëgjimi i mëkatit është mëkat edhe për ty.”

Nga Ebu Hatim, me një zinxhir të mirë transmetimi, është transmetuar se Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) njëherë kaloi pranë një të moshuare në Medine dhe e dëgjoi teksa po lexonte duke qarë: “A të erdhi ty lajmi për belanë që kaplon (Kijameti)?” Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) u ndal dhe po e dëgjonte këtë të moshuar se si lexonte dhe qante, ndërsa ai (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) thoshte: “Po, më ka ardhur mua lajmi! Po, më ka ardhur mua lajmi.”

Po ashtu, kemi ajetin tjetër kur’anor ku All-llahu i Madhërishëm lavdëron ata që dëgjojnë me vëmendje dhe pasojnë atë që dëgjojnë, e ndër të tjera thotë: “E nëse ata dëgjojnë atë që i është shpallur të Dërguarit do të shohësh sytë e tyre të mbushur me lotë prej asaj që e njohën nga e vërteta.”
Ata përfituan në formën më të mirë të mundshme nga të dëgjuarit e tyre dhe mësuan dobitë më të mira të mundshme nga ajo që dëgjuan.

Dëgjimi i agjëruesve është i përkushtuar të dëgjojë vetëm atë që është e dobishme dhe e ndershme, ndërsa dëgjimi i joagjëruesve është i përkushtuar të dëgjojë atë që është e dëmshme dhe e pandershme.

“Mos dëgjo vetëm se të sinqertën,
ngase ajo të shpëton nga të kotat.

Dëgjimi është dritare e dijes më të mire.
Ajo dëgjon atë që iu lexua.”

Nëse besimtari ia lejon vetes të dëgjojë atë që është e ndaluar, atëherë do të prishë qetësinë e zemrës, do të shkatërrojë kopshtet e njohurive dhe do të turbullojë vendosmërinë e ndërgjegjes. Shiko këto dy grupe, këto dy lloje, dhe këto dy vese që i ka përshkruar All-llahu i Madhërishëm në një ajet ku thotë: “E kur zbret ndonjë kaptinë, ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?” Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e kaptinës) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë.”

Dëgjimi i së vërtetës e ndihmon zemrën të jetë e vendosur në të vërtetën dhe të mos ketë luhatje prej saj, ndërsa dëgjimi i së kotës e shpie zemrën në degjenerim, në mosbesim dhe në trillime.
Prej obligimeve të besimtarit është që ta falënderojë All-llahun e Madhërishëm për dhuntinë e dëgjimit që i ka dhënë dhe ta ruajë atë duke i mundësuar të dëgjojë sa më shumë Kur’an, mësime të dobishme dhe këshilla përfituese.

Gjithashtu, duhet që ta ruajë dëgjimin e tij nga muzika, nga fjalët e kota, nga degjenerimet dhe nga çdo gjë që e largon prej rrugës së All-llahut të Madhërishëm.
Në një ajet tjetër në Kur’an, All-llahu i Madhërishëm i përshkruan robërit e Tij të ndershëm në këtë mënyrë: “E nëse kalojnë pranë të kotës kalojnë me shpejtësi…” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “E nëse dëgjojnë të kotën e kundërshtojnë atë dhe thonë: “Ne kemi punët tona e ju punët tuaja. Paqja qoftë për juve se nuk pasojmë injorantët.”

All-llahu i Madhërishëm na bëftë prej atyre që dëgjojnë atë që është e dobishme dhe e pasojnë më të mirën prej asaj që dëgjojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit