-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shtypi i lirë përballë Facebook dhe Google

Më të lexuarat

Nga Franca në Australi në shtetin amerikan të Marilendit, shtypi i lirë po zhvillon një betejë për mbijetesë kundër Facebook dhe Google. Përveç dezinformimit për COVID-19, zgjedhjet dhe komploteve të QAnon, një tjetër prej ndikimeve të rrezikshme të Google dhe Facebook po minon stabilitetin financiar të mediave në të gjithë botën. Ku është Komisioni Evropian dhe administrata Biden në këtë luftë? Shumë është në rrezik e megjithatë, deri më tani, ata kanë heshtur.

Si e kërcënojnë Google dhe Facebook shtypin e lirë? Vetëm këto dy kompani marrin 60% të të gjitha reklamave në internet në SHBA. Me Amazon që merr një tjetër pjesë prej 9%, kjo do të thotë se mbeten vetëm rreth 30% të të ardhurave nga reklamat digjitale për t’u ndarë mes mijëra mediave, shumë prej tyre botime lokale. Me reklamimin digjital online që tani përbën më shumë se gjysmën e të gjitha shpenzimeve të reklamave (dhe parashikohet të rritet më tej), kjo ka kontribuar shumë në mungesën e financimit dhe dështimin e industrive të lajmeve vend pas vendi, përfshirë Evropën dhe SHBA-na.

Australia dhe Merilendi

Situata e Australisë është tipike. Komisioni i saj i konkurrencës zbuloi se, për çdo 100 dollarë të shpenzuar nga reklamuesit në internet në Australi, 47 dollarë shkojnë për Google dhe 24 dollarë për Facebook, edhe pasi reklamimi tradicional ka rënë. Studime të ndryshme kanë zbuluar se shumica e njerëzve që hyjnë të shohim lajmet në internet nuk shkojnë në burimin origjinal të lajmit. Përkundrazi ata i qasen këtyre lajmeve përmes platformave të Facebook dhe Google të cilat janë projektuar me zgjuarsi për të mbajtur vëmendjen e përdoruesve. Shumë përdorues rrallë klikojnë linkun, por ata marrin thelbin e lajmeve nga titujt e platformave dhe përshkrimi paraprak i përmbajtjes.

Për pasojë, Facebook dhe Google marrin pjesën më të madhe të të ardhurave nga reklamat digjitale, sesa burimet origjinale të lajmeve që i marrin ato. Vini re se Facebook dhe Google mund të ndryshojnë modelin dhe algoritmet e tyre për t’i drejtuar përdoruesit me qëllim në faqet e internetit të burimeve origjinale të lajmeve. Por ata nuk e bëjnë këtë.

Kështu që Australia vendosi ta luftojë këtë duopol me disa rregulla të veta. Një ligj i ri do të kërkojë që kompanitë e mëdha të mediave digjitale të dëmshpërblejnë në mënyrë të drejtë kompanitë mediatike australiane për ri-paketimin dhe monetarizimin e përmbajtjes së tyre të lajmeve. Mediat në të gjithë botën po presin të shohin se si do të funksionojë kjo gjë.

Google fillimisht e luftoi propozimin, por më në fund negocioi marrëveshje me botuesit australianë të lajmeve, duke filluar me News Corp Rupert Murdoch, për t’i paguar atyre disa kompensime. Por Facebook reagoi duke e hequr Australinë totalisht nga platforma e tij për disa ditë, duke mos i lejuar botuesit australianë të lajmeve, si dhe përdoruesit zakonshëm, duke përfshirë agjenci të rëndësishme qeveritare si ato të shëndetit, zjarrit dhe shërbimet e krizës, të postonin, shikonin ose shpërndanin lajme.

Rezultati ishte i ashpër. Facebook i censuroi përdoruesit australianë në mënyrë më efikase sesa mundi të bënte ndonjëherë qeveria kineze, duke shkaktuar akuza për “autoritarizëm të teknologjisë së madhe”. Facebook më në fund iu dorëzua kërkesës së Australisë, në këmbim të disa lëshimeve të paqarta dhe të pasigurta. Por mesazhi i pushtetit të kësaj platforme ishte padyshim i qartë.

Para se të arrinte marrëveshjen e saj me News Corp dhe botues të tjerë, Facebook vendosi ta portretizojë ligjin australian si një punë e brendshme nga Murdoch, për të marrë disa para nga pema e Big Tech Media. Ndërkohë që këtu ka padyshim disa të vërteta, kjo çështje është shumë më e madhe sesa Murdoch, pasi që media në vendet në të gjithë botën, si të mëdha dhe të vogla, po shohin tharje të mirëqenies së tyre financiare nga Facebook dhe dominimi i reklamave të Google. Dhe një sërë mediash australiane përveç News Corp kanë negociuar marrëveshje për ndarjen e të ardhurave me platformat digjitale, duke përfshirë Australian Broadcasting Corp, Seven West Media, Nine Entertainment, Schwartz Media dhe Solstice Media.

Tani një betejë e ngjashme po zhvillohet në shtetin amerikan të Mwrilendit. Midis vitit 2008 dhe 2018, të ardhurat nga reklamat e gazetave amerikane ranë me 62%, dhe pa atë financim, punësimi nëpër redaksi lajmesh pothuajse u përgjysmua. E detyruar nga këto llogari, Merilendi miratoi taksën e parë amerikane mbi të ardhurat nga reklamat digjitale (të fituara brenda kufijve të saj shtetërorë), duke synuar kompani si Facebook, Google dhe Amazon. Masa parashikohet të gjenerojë deri në 250 milionë dollarë në vitin e saj të parë, të dedikuara për shkollat.

Por kjo betejë vetëm sa ka filluar. Proceset gjyqësore kundër Merilendit po kërcënohen nga gjigantët e teknologjisë, edhe pse ligjvënësit nga shtetet Konektikat dhe Indiana kanë prezantuar masa të ngjashme.

Situata më e qartë: çfarë rrezikohet

Nelson Mandela dikur tha: “Një shtyp kritik, i pavarur dhe investigues është gjaku i çdo demokracie… Ai duhet të ketë forcën ekonomike për t’u ngritur dhe  pavarësi të mjaftueshme nga interesat e veta për të qenë i guximshëm dhe për të hetuar pa frikë.”

Një nga debatet më të rëndësishme, të pazgjidhura të epokës së internetit është nëse platformat e mediave digjitale si Facebook, Google/YouTube dhe Twitter janë “sheshi i ri publik”, një lloj sheshi i fjalës së lirë, apo thjesht varieteti i fundit teknologjik i botuesve dhe transmetuesve. Apo një lloj hibridi mes këtyre të dyjave.

Gjatë vitit të kaluar ai debat është intensifikuar, pasi ka pasur krizë pas krize. Pas mësymjes në Kapitol më 6 janar, Facebook, Google dhe Twitter të gjithë vendosën të ndërpresin postimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Para kësaj, ndërsa platformat përpiqeshin të merreshin me dezinformimin në lidhje me pandeminë e COVID-19, tensionet racore dhe zgjedhjet presidenciale, ata paralajmëruan dhe hoqën përmbajtje nxitëse të disa përdoruesve të caktuar.

Tani, në përgjigje të ligjit të Australisë, Facebook i hoqi prizën një vendi të tërë. Kjo është diçka që mund ta bëjë vetëm një botues gjigant monopoli. Në vitin 2014, kur Spanja miratoi legjislacionin që i kërkonte Google të paguante faqet spanjolle të lajmeve për copëza nga artikuj të tyre që dilnin në rezultatet e kërkimit, Google e talli qeverinë dhe mbylli shërbimin e saj të lajmeve atje.

Edhe para ngjarjeve të vitit të kaluar, Facebook, Google dhe Twitter vepruan si botues duke ndryshuar vendime thelbësore në algoritmet e tyre “të angazhimit” në lidhje me cila përmbajtje del të krye të burimeve të lajmeve të përdoruesve dhe çfarë promovohet dhe përforcohet. Makineria e saj e sofistikuar botuese përdor shënjestrimin e saktë të përmbajtjes, duke treguar përmbajtje të ndryshme për njerëz të ndryshëm, përfshirë reklamat politike. Këto nuk janë borde pasive bisedash në internet. Ata janë “botues robotë”, në të cilët algoritmet kryejnë detyrat thelbësore të një redaktori. Nga pikëpamja ligjore ose e përgjegjësisë, nuk duhet të ketë ndonjë rëndësi që pas kësaj qëndron një kompjuter e jo një njeri.

Pra, është mjaft e vështirë në këtë pikë të argumentosh me besueshmëri se këto platforma nuk janë në një farë kuptimi botues. Platformat Big Tech po përdorin gjithnjë e më shumë fuqinë e tyre të konsiderueshme botuese për të vendosur se cilat përmbajtje, burime dhe vlera duhet të zhduken ose të amplifikohen. Këto kompani kanë më shumë gjëra të përbashkëta me The New York Times, Bild dhe Rupert Murdoch.

Në fakt, makineritë e kuruara algoritmike të Facebook dhe Google/YouTube, përkatësisht me 2.6 miliardë dhe dy miliardë përdorues, janë botuesi dhe transmetuesi më i madh në historinë njerëzore. Megjithatë, ligji ekzistues nuk i trajton këto kompani si një botues ose transmetues, sidomos kur bëhet fjalë për përgjegjësi ose llogaridhënie. Platformat e mediave digjitale fshihen pas faktit se ata kanë miliarda përdorues që gjenerojnë përmbajtje, e cila i ngjan rolit të një “transportuesi të thjeshtë” ose sheshi publik. Por kjo nuk duhet të errësojë qendërsinë e rolit të tyre botues.

Nga ai këndvështrim, Facebook, Google dhe Twitter janë totalisht brenda të drejtave të botuesit të tyre për të vendosur nëse nuk dëshiron të publikojnë më lajme për Donald Trump, ashtu si do të ishte edhe The New York Times. Ose ashtu si Rupert Murdoch ka një të drejtë editoriale për ta nxjerrë Boris Johnson në faqen e parë të The Sun ose në fillim të lajmeve të Fox News. Bordi Mbikëqyrës i Facebook duhet të mbajë shënime.

Kërcënim për internetin e hapur?

Kritikët e qasjes që ka marrë Merilend dhe Australia pretendojnë se ajo kërcënon parimin e një interneti të hapur. Ata gjithashtu insistojnë që mediat tradicionale në fakt përfitojnë kur Facebook/Google/Twitter e dërgojnë trafikun e përdoruesve mbrapsht në qendrat e lajmeve. Pretendimi i fundit hidhet poshtë lehtësisht, pasi të ardhurat nga reklamat në mediat tradicionale kanë rënë në epokën e platformës së medias digjitale. Një studim zbuloi se trafiku i mediave digjitale siguronte më pak se 0.2% të të ardhurave totale për kompanitë e lajmeve të ekzaminuara (ndërsa prodhonte 24% të trafikut të tyre të përgjithshëm të vizitorëve). Pra, çfarëdo të ardhurash që kanë marrë mediat tradicionale, kjo është shumë pak krahasuar me atë që ato kanë humbur.

Dhe parimi i “internetit të hapur” duhet të ekuilibrohet nga “parimi i të drejtës së autorit”, i cili u krijua vite para se të shpikej interneti. Ligji për të drejtat e autorit urdhëron që çdo person ose organizatë individuale të mos përdorë përmbajtjen e dikujt tjetër dhe ta monetarizojë atë pa paguar për të. Parimi i internetit të hapur kërkon në thelb që burimet tradicionale të lajmeve të mbajnë barrën financiare për të vazhduar të prodhojnë lajme cilësore pa kompensim të drejtë – ashtu si kërkoi që Napster të lejohej të shpërndante falas muzikë të mbrojtur nga e drejta e autorit, pa kompensuar artistë muzikorë dhe kompani regjistruese.

Parimi i internetit të hapur po kontribuon në paqëndrueshmërinë financiare të medias në të gjithë botën dhe do të kanibalizojë atë që ka mbetur nga mediat e lajmeve. Pa pasur burime të besueshme lajmesh ku të mbështeten, platformat e medias digjitale do të pushtoheshin edhe më shumë nga dezinformimi barbar për të cilin platformat janë bërë të njohura. Ata po hanë veten e tyre.

Tashmë platformat e mediave digjitale kanë kthyer mijëra botues dhe transmetues në pak më shumë sesa shkrues fantazmë për përmbajtjen e platformës së tyre. Facebook ka ndryshuar shumë nga qëllimi i tij fillestar që të ishte thjesht një vend i përshtatshëm ku mund të postoje foto nga pushimet dhe të qenushit tënd, ku mund të rogjeje miq të vjetër. Ai tani është kthyer në një “ribotues” që ripaketon dhe fiton para nga prodhuesi origjinal duke mos paguar për këtë. Në industri të tjera, kjo quhet vjedhje.

Demokracitë duhet ta ndalojnë këtë Vjedhje të Madhe përpara se këto kompani t’i japin fund demokracive tona. Franca dhe Austria kanë miratuar ligje të ngjashme, Kanadaja thotë se do të miratojë qasjen australiane dhe ndoshta India gjithashtu.

Por BE-ja dhe SHBA-ja kanë heshtur dukshëm. Të dy njihen që inkurajojnë konkurrencën dhe një media të gjallë, kështu që do të mendonit se rregullatorët e tyre do të hidheshin në veprim për të ndihmuar shtypin e lirë. Fatkeqësisht, reagimi nga administrata Biden ka qenë inekzistent, edhe pse kuptohet se ajo ka shumë punë për të bërë këta muajt e parë.

Heshtja e Komisionit Evropian ka qenë më zhgënjyese. Direktiva e saj dy vjeçare e të Drejtave të Autorit zor se është zbatuar dhe tani po përkrah Aktin e saj të Shërbimeve Digjitale dhe Tregjeve Digjitale. Por këtyre propozimeve u mungojnë rregullatorë dhe, si GDPR, nuk sfidojnë rrënjësisht modelin toksik të biznesit të platformave digjitale.

Ka ardhur koha që qeveritë në të dy anët e Atlantikut të veprojnë më mirë dhe të sigurohen që media Big Tech të respektojë shenjtërinë e të drejtës së autorit dhe të ndalojë minimin e mediave dhe faqeve të internetit të botës.

OPEN DEMOCRACY

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit