Paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritje të çmimit të energjisë elektrike ka ngritur shqetësime të mëdha te qytetarët e Kosovës. Këta të fundit thonë ngritja e tarifave do të kontribuojë në ashpërsimin dhe përkeqësimin e standardit jetësor për kategoritë që jetojnë në kushte të rënda sociale.
Emin Fetahu, 50 vjeçar nga Prishtina, punon si taksist. Shuma që fiton në muaj nga kjo punë, tregon ai, është mjaft e ulët dhe se e ka shumë të vështirë të plotësojë nevojat e familjes së tij.
Tarifat aktuale të energjisë elektrike ai i quan të shtrenjta, ndërkaq, derisa flet për shtrenjtim thotë se do të jetë një barrë shumë e madhe dhe e papërballueshme për familjen e tij.
“Faturat e energjisë elektrike në Kosovë janë më të shtrenjtat në Evropë. Shumë vështirë arrij t’i paguaj ato fatura. Kanë vendos orë digjitale apo nuk e di se çfarë dhe po faturojnë ma shumë se realja. Por, nëse edhe shtrenjtohet nuk di se çfarë do të bëjmë”, shprehet ai.
Çmimi mestar i energjisë elektrike në Kosovë është 5.8 cent për kilovat, që sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës është çmimi më i lirë në rajon.
Çmimi aktual i energjisë elektrike ishte ngritur vitin e kaluar nga 5.6 cent sa ishte më herët.
Për Isuf Ajetin, shtrenjtimi i energjisë elektrike nuk do të duhej të bëhet, pasi që sipas tij, me pagat që janë në Kosovë nuk arrihet të paguhen këto fatura me këto çmime të energjisë që janë.
“Kam dëgjuar që do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, nuk di se çfarë po mendojnë ata që po e bëjnë këtë, por unë mund të them që është shumë e vështirë për neve që kemi paga të ulëta”, shprehet Ajeti.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, thotë Adnan Syla, pensionist, pamundëson pagesën e saj. Nëse deri më sot, thotë ai, fatura e energjisë elektrike është paguar me shumë vështirësi për shkak të pagave të ulëta, atëherë kur të shtrenjtohet nuk do të arrihet të paguhet dhe do të krijohen borxhe për Korporatën Energjetike të Kosovës.
“E vështirë për ne si pensionitë dhe me pensione të ulëta. Unë jetoj me bashkëshorten, unë jam pensionit, ndërkaq ajo punon ende. Mezi ja dalim deri në fund të muajit me këto shpenzime, shtrenjtimi i rrymës pamundëson pagesën”, thotë ai.
Ngjashëm mendon edhe Lirie Latifi…
“Për njerëzit që kanë paga të ulëta dhe nuk punojnë të gjithë anëtarët e familjes vështirë ja dalin. Këtë shtrenjtim të rrymës mund ta bëjë vetëm ata që kanë rroga të larta dhe nuk mendojnë për ata që nuk kanë paga të mira”, thotë ajo.
Përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori” thonë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike është duke u bërë në vazhdimësi në Kosovë.
Kjo ngritje, sipas Selatin Kaqanikut nga kjo organizatë është e panevojshme në shumë raste dhe po e vështirëson dita ditës jetën e qytetarit.
“Këto kërkesa që rregullisht i bën Korporata Energjetike e Kosovës për ngritje të çmimit të energjisë elektrike nuk janë të arsyeshme dhe e dëmtojnë shumë rëndë standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës të cilët edhe ashtu janë në gjendje të vështirë”, shprehet Kaqaniku.