Gjendja në Greqi po acarohet gjithnjë e më shumë. Madje edhe në qendër të Athinës janë shënuar sulme mbi baza racizmi. Vitet e fundit ka shkallëzuar edhe lufta mes forcave të ndryshme politike.
Të shtunën e kaluar (25.8.), në pikë të ditës, në vendin Manolada, ku çdo vit angazhohen puntorë të huaj sezonal, dy burra grekë pas një grindje kanë lidhur një egjiptian 22 vjeçar me një litar për veture dhe e kanë tërhequr zvarrë gati një kilometër. Policia bën të ditur se egjiptiani kishte sulmuar i pari. Por gazetat opozitare pohojnë se ai ka kërkuar vetëm rrogën dhe paratë që i takojnë.
Sidoqoftë, kohët e fundit janë shtuar incidentet e dhunshme kundër të huajve. Nga mesi i gushtit në qendër të Athinës është vrarë një Irakian. Organizatat për të drejtat e njeriut njoftojnë se gjatë dy muajve të kaluar janë shënuar në shtetin helen të paktën 200 sulme që në sfond kanë armiqësinë ndaj të huajve. Frikë më së shumti po përhapë Partia ekstreme e Agimit të Artë, e cila ka 18 deputetë në parlament.
Greqia si Republika e Vajmarit
Ekspertët po e krahasojnë tani Greqinë e sotme me Republikën e Vajmarit në Gjermani, në fillim të shekullit 20. Kështu mendon edhe ekspertja e sociologjisë Eleni Karasavidou.
“Mund të bëhen krahasime mes Greqisë së sotme dhe Republikës së Vajmarit. Në Greqi tani ka të tillë që thonë se grekët janë më të mirë se të tjerët, se janë ndër të parët dhe se e gjithë bota është kthyer kundër tyre”, shpjegon Karasavidou. Njerëzit duket se po kërkojnë të gjejnë ndonjë fajtor për gjendjen e mjerueshme ekonomike. Këtë fajtor e kanë gjetur tek të huajt, thotë ajo.
Por shpesh ndodhë që edhe të huajt përdorin dhunë. Në fillim të gushtit një pakistanez ka sulmuar dhe ka dhunuar një greke 15 – vjeçare, e cila ende është në komë. Policia ka arrestuar dhunuesin dhe në këtë mënyrë e ka shpëtuar nga forcat e dhjatha të cilat kanë dashur ta vrasin. Në verën e vitit 2011 në rrugët e Athinës tre afrikanë kanë therrur me thikë një grek. Kjo ka shkaktuar protesta të mëdha në Athinë që janë ndëprerë vetëm pas ndërhyrjes së dhunshme të policisë. Forcat ekstremiste kanë premtuar hakmarrje.
Dhuna e papranueshme dhe paaftësia e politikanëve
Panagiotis Ioakeimidis, profesor i studimeve evropiane në Athinë, pohon se këto probleme nuk mund të zgjidhen shpejt.
“Gjërat janë shumë të komplikuara. Dhuna ndaj të huajve është plotësisht e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë mënyrë. Por duhet pasur parasysh që Greqia ka shumë probleme me emigrantët ilegalë. Sa më shumë që kriza të shkallëzojë, aq më shumë do të shtohet edhe gatishmëria për dhunë në shoqëri”, thotë Ioakeimidis.
Eksperti paralajmëron edhe për mungesën e mbështetjes evropiane për sigurimin e kufirit grek. Kjo është në radhë të parë detyrë e politikanëve grekë, por ata janë të përçarë mes vete.
“Konfliktet janë pjesë standarde e repertoarit të politikanëve tanë. Kur shikon historinë më të re të Greqisë konstaton: klasës politike i ka munguar gjithmonë kultura për kompromise”, pohon profesori Ioakeimidis. Sipas tij, bashkëjetesa më së shumti rrezikohet në kohën e krizave. Megjithatë ekzistojnë shpresa: “Koalicioni i ri qeveritar paraqet një eksperiment të veçantë në Greqi, sepse ekziston një konsensus si kurrë më parë. Në të kaluarën ka pasur pak koalicione qeveritare. Kësaj radhe gjërat duken pak më ndryshe. Duket se ekziston një bazë e përbashkët veprimi politik, të paktën sa i përket anëtarësisë në Bashkimin Evropian“.
Eleni Karasavidou nuk e beson se gjërat mund të zgjidhen me urdhëra nga lartë apo me edukimin e popullit. Ajo thotë se “demokracia do të thotë edhe përgjegjësi personale. Qytetarët grekë duhet të fitojnë përshtypjen se problemet e tanishme shoqërore janë edhe probleme të tyre personale. “Kjo s’ka të bëjë me qëllime të parealizueshme për krijimin e një parajse. Por nuk dua të jetoj as në xhungël sociale”, pohon ajo/BS/kohaislame.