0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shtohen ankesat e qytetarëve për shkelje të privatësisë

Më të lexuarat

Autoritetet në Kosovë thonë se jenë shtuar ankesat e qytetarëve për cenim, shkelje të të dhënave personale dhe privatësisë.

Vetëm nga janari i këtij viti deri në muajin qershor, janë 180 ankesa të qytetarëve, të cilët pretendojnë se u janë keqpërdoruar të dhënat personale.

Ndërkohë, më shqetësuese për njohësit e çështjeve të telekomunikacionit mbetet dalja e këtyre të dhënave personale jashtë vendit.

Ankesat e qytetarëve drejtuar Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas përfaqësuesve të kësaj agjencie, kryesisht kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave personale në video vëzhgim, pastaj në rrjetet sociale dhe në çështjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave.

Ruzhdi Jashari, ish-mbikëqyrësi kryesor shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, thotë se ka keqpërdorim të të dhënave personale, dhe se kjo dukuri ka shënuar rritje nga viti në vit.

“Ka keqpërdorim të të dhënave personale. Mirëpo kjo është sferë e re dhe në këtë drejtim me zhvillimin e teknologjisë dhe më zhvillimet e reja në fushën e informatikës keqpërdorimet janë të hapur por edhe mungesa e njohurive të kontrolluesve të të dhënave është një mangësi e cila ndikon në shkeljen e të dhënave personale”, thotë Jashari.

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë.

Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale. Ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve tjera të komunikimit janë të drejta të pacenueshme.

Jashari tregon se gjatë këtij viti 14 raste të shkeljes së të dhënave personale i janë dërguar gjykatës për veprime të mëtutjeshme dhe marrjen e masave për personat të cilët kanë bërë këto shkelje.

Sipas ligjeve në fuqi të dhënat personale në raste të caktuara mund të kufizohen vetëm përkohësisht, dhe atë me vendim të gjykatës, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për vijimin e procedurës penale, apo edhe për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit, në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës në PTK, Agron Dida, thotë që mundësitë për keqpërdorim të të dhënave personale janë të mëdha, por që sipas tij, shqetësuese për Kosovën është fakti se këto të dhëna nxirren edhe jashtë vendit.

“Mua më shumë më shqetëson fakti që të dhënat personale mund të dalin jashtë shtetit derisa ne nuk jemi anëtarë të organizatave ndërkombëtare të cilat merren më këto probleme. Shpresoj që duke marrë kodin telefonik dhe duke u anëtarësuar në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), ne do të kemi një status dhe një bashkëpunim si dhe një lloj kontrolli më të mirë nga ana e ITU-së, që është kompetente edhe në këtë lami në aspektin teknik”, sqaron Dida.

Në anën tjetër, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në hulumtimet që ka bërë në këtë fushë, ka vënë në pah se mungojnë kapacitetet profesionale për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sofije Kryeziu hulumtuese në QKSSm në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në kohën kur ka hyrë në fuqi ky ligj njohurit e zyrtarëve në këtë fushë kanë qenë në nivel mjaft të ulët.

Tani sipas saj, ka përmirësime, por që vazhdojnë të shfaqen ende dilemat e nivelit të përgatitjes profesionale të zyrtarëve në mbrojtjen e të dhënave personale.

“Pavarësisht që janë bërë hapa të mirë sa i përket harmonizimit të legjislacionit, hapësira për keqpërdorime të mundshme të të dhënëve ka, duke filluar nga avancimi i teknologjisë e cila mund të lehtësojë krimet kibernetike dhe keqpërdorimet të të dhënave personale dhe në anën tjetër e kemi mungesën e ekspertizës së zyrtarëve të cilët merren drejtpërdrejt me procesimin e të dhënave”, thekson Kryeziu.

Tutje, ajo tregon se në ka mungesë mjaft të lartë të vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket të drejtave të tyre. Në hulumtimin e bërë, shton Kryeziu, ka rezultuar se rreth 70 për qind të qytetarëve nuk kanë poseduar njohuri për të drejtat e tyre personale.

Kosova qysh nga viti 2010 ka Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Qëllimi kryesor i Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale është përcaktimi i të drejtave, përgjegjësive, parimeve dhe masave lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit