Një komitet ministrash ishte krijuar në vitin 2008 për të gjetur opsione të shitjes së PTK-së që tash, pas gati katër vitesh, duket se ka për pretendent kryesor një konzorscium që lidhet me emrin e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright.
Ka konfuzion nëse Albright është ende aksionare edhe në operatorin e vetëm privat IPKO, sikur figuron në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, gjë që do të mund të ngrehte dilema monopoli.
Qeveria po përpiqet ta përmbyllë këtë proces të udhëhequr fillimisht nga ministri Ahmet Shala e më vonë Besim Beqaj, të dy profesorë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe të dy biznesmenë që kanë udhëhequr biznese me emër të ngjashëm.
Procesi i shitjes së PTK-së asnjërit nuk i kishte ecur mirë pasi tenderi i parë i hapur nga Qeveria kishte marrë shumë kohë për t’u përgatitur, shumë para dhe në fund kishte dështuar. Tash, ajo drejton tenderin e dytë ku pret që më në fund të gjejë blerës të shumicës së aksioneve të ndërmarrjes më profitabile publike në vend.
Fituesi i garës për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, sipas ministrit për Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, pritet të shpallet brenda tremujorit të fundit të këtij viti. E tenderi për blerjen e aksioneve, thotë ai, do të shpallet në shtator, shkruan gazeta JNK.
Në të kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm pesë Operatorët Ekonomikë të cilat janë para-kualifikuar nga Komiteti Qeveritar i Privatizimit, të premten.
KQP-ja eliminoi të premten tri kompani tjera që kishin shprehur interesim për blerje aksionesh në PTK. Kompania “Elkos Group” e deputetit të AAK’së Ramiz Kelmendi, Monaco Telecom dhe GEN’i me bazë në Luksemburg nuk kishin plotësuar kriteret e Qeverisë së Kosovës për pjesëmarrje në këtë tender.
Në tenderë mund të konkurrojë “Albright Capital Management LLC” e ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright e cila është në konzorcium me Portugal Telecom, kompania turke “Turkcell”, M1 International Limited nga Libani , konzorciumi i përbërë nga “Twelve Hornbeams” e “Avicena Capital LLC” , i cili ka bashkëpunim me Sofrecom që është pjesë e France Telecom si dhe si dhe konzorciumi i përbërë nga “Columbia Capital” dhe “ACP Axos Capital Gmbh”, i cili ka bashkëpunim me “British Telecom”.kohaislame