SHTETI ISLAMIK, KY EMËR
Ajo që bëjnë havarixhët e sotëm duke pretenduar se janë shtet Islamik është shumë e gabuar. Gabimi i tillë nuk ngelet vetëm tek veprimet e tyre por edhe tek emri me të cilin e quajnë vetveten. Gabimi vazhdon edhe tek çdo njeri, media, apo kushdo qoftë që pretendimet e emërtimit të këtij grupi i përkrahin duke i quajtur poashtu me të njejtin emër “Shteti Islamik”
Une do kundërshtoja këtë emërtim dhe do këshilloja secilin, individ, qoftë musliman apo jo, shtet, qeveri, media, etj. që të mos pajtohen me këtë emërtim dhe të mos e quajnë grupin e DAISH (shqip Isis) me emrin “Shteti Islamik”
Ky emërtim është i gabuar dhe neve si musliman nuk pranojmë që të njëlloset ky emër me pretendimet dhe veprimet e këtij grupi.
PSE TË MOS E EMËRTOJMË KËTË GRUP ME KËTË EMËR:
1- Sepse ky grup është i devijuar dhe veprimet e tij nuk janë konform mësimeve Islame.
2- Për tu quajtur Shtet Islam duhet legjitimitet nga umeti Islam me në krye dijetarët e kësaj feje. Kyrse ky sekt nuk ka bekimin e asnjë dijetari përkundrazi kanë kritikat e tyre.
3- Jo çdokush që e emërton veten me diçka edhe është i tillë sepse emrat nuk e tregojnë të vërtetën e personave por veprimet janë ato që tregojnë identitetin e secilit.
4- Ta quash DAISH-in (isisin) me emrin shteti Islamik është krejt jashtë kontekstit të muhabetit dhe i bie njejtë sikur shtetin e Kosovës ta quash Shtetet e Bashkuara té Amerikës apo Bashkimi Sovjetik, ose qfarëdo emër qoftë tjetër. Ky krahasim nuk ka qëllim asgjë pos të tregoj dallimin shumë të madh mes emrave. Pra nuk është fer të njëlloset ky emër i madh përmes pretendimeve të këtij grupi të vogël me të cilin askush prej muslimanëve nuk është i kënaqur.
5- Ky emërtim jep sinjale negative karshi të vërtetës Islame. Shteti i vërtetë Islam i cili sikur të egzistonte në të vërtetë, atëherë e tërë bota do të ndjehej e qetë, e gëzuar dhe secili banor i tokës do ëndërronte të jetonte brenda këtij shteti. Përkundër “shtetit” të vetëquajtur “Shteti Islamik” nga i cili frikësohen dhe terrorizohen të gjithë, musliman dhe të tjerë. Ky dallim mes shtetit të vërtetë Islam dhe atij pretendues është për shkak të dallimit në kuptimin e të vërtetës Islame nga prijësit e tyre.
6- Përmes këtij emri “Shteti islamik” dhe pastaj arrogancës e terrorit të tyre sikur i jep argument dhe komoditet çdo kundërshtari apo armiku të Islamit që të na sulmoj me shpifje dhe akuza tërë atyre që besojnë në Islam edhe nëse e kundërshtojnë çdo veprim të këtij “shteti”.
7- Duke e pranuar këtë emër si të saktin për këtë grup të devijuar do të shkruaj historia për ligësitë e anëtarëve të tij dhe pas vitesh apo shekujsh kur bota Islame të përgatitet për shtetin e vërtetë Islam do të frikësoheshin ta krijonin duke menduar se ai do i ngjajë “shtetit” të Isisit.
8- Pse me aq komoditet mediat e quajnë këtë grup me këtë emër “shteti Islamik” më lind dyshimi. Apo mos ndoshta se emërtimi i tillë dhe veprimet e gabuara pretendues e të këtij “shteti” janë në shërbim të armiqve të Islamit? Nuk e di por do ta marrim vesh dikur.
9- Shtet Islam ishte ai i Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i katër halifëve-udhëheqësve të drejtë nga shokët e tij dhe i atyre kalifëve që punuan me mësimet e sakta nga Kurani, suneti dhe këshillat e dijetarëve gjatë tërë historisë deri me rënien e kalifes së fundit. Nuk është shteti i secilit pretendues.
10- Unë për veten time protestoj dhe nuk jam i kënaqur që këtë grup të devijuar ta quani me këtë emër të madh i cili në fakt ja qet faqen e zezë këtij emri dhe i përfshinë tërë muslimanët brenda krimeve të veta. Ky emër është i madh dhe i shenjtë dhe e drejtë e tërë muslimanëve andaj nuk duhet ta quani këtë sekt më emër të tillë. Nëse duhet ta bëni atëherë thirreni “I vetëquajturi shteti Islamik”
Zoti na udhëzoftë në rrugën e hajrit!
Lulzim SUSURI
08 qershor 2015