4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Shtëpia e Bardhë: Sulmi në Siri, rezultat i politikave të dobëta të administratës Obama

Më të lexuarat

“Sulmi në Siri është rezultat i politikave të dobëta të administratës Obama. Dënojmë këtë sulm kimik, i cili nuk mund të neglizhohet”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer…

Shtëpia e Bardhë u prononcua të martën në mesditë në lidhje me sulmin kimik në qytetin Idlib të Sirisë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, dënoi fuqishëm sulmin me armë kime në Siri duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm.

“Sulmi në Siri është rezultat i politikave të dobëta të administratës Obama. Dënojmë këtë sulm kimik, i cili nuk mund të neglizhohet”, deklaroi zëdhënësi Spicer.

“Ne s’mund ta injorojmë këtë sulm kimik, që regjimi sirian organizoi kundër njerëzve të pafajshëm duke mos bërë dallim në gra e fëmijë. Këto sulme të urryera të regjimit të Esadit janë rezultat i dobësisë dhe pavendosmërisë së administratës së mëparshme. Në vitin 2012, Presidenti Obama deklaroi se do t’i shpallte armët kimike si ‘vijë të kuqe’, por nuk bëri asnjë hap. Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë përkrah aleancave tona anembanë botës kundër sulmeve të papranueshme”, theksohet ndër të tjera në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të mërkurën në 17.00 sipas orës së Turqisë për të diskutuar në lidhje me sulmet kimike në qytetin sirian të Idlibit.

Ambasadorja amerikane në OKB-së, Nikki Haley, pasi konfirmoi lajmet rreth mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për çështjen në fjalë, u shpreh thellësisht e shqetësuar nga sulmet kimike në Idlib.

Në një konferencë për shtyp, Haley tha se populli sirian nuk dëshiron as që Esadi të mbetet në pushtet dhe as që ai të marrë pjesë në zgjedhje.

“Burri i hekurt i Damaskut është një kriminel lufte, një pengesë për paqen afatgjatë dhe mënyra sesi i trajton sirianët është për të ardhur keq”, deklaroi ajo.

Ambasadorja u pyet menjëherë mbi deklaratat e sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, që ishte shprehur se fati i Esadit do të vendoset nga populli sirian. Ndërkohë që gazetari e pyeti nëse kjo nënkuptonte që Esadi do të mund të merrte pjesë në zgjedhje, ajo u përgjigj “jo, kjo nuk do të thotë se SHBA-ja do ta pranojë”.

“Ne nuk mendojmë se populli e do ende Esadin. S’jemi të mendimit që ai do të kthehet në një personazh, të cilin njerëzit dëshirojnë ta kenë. Fati i tij është kyç në negociatat e destinuara për t’i dhënë fund lufës, që përgjak prej gjashtë vitesh Sirinë. Ne vazhdojmë të dënojmë atë që bën dhe ka bërë Esadi. Ai vazhdon të jetë drejtpërdrejt në radarin tonë për sa i përket veprimeve të tij”, shtoi Haley.

Nga ana tjetër, të paktën 21 civilë janë vrarë dhe 35 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore në zonat Salkin dhe Xhisr al-Shugur të veri të qytetit sirian të Idlibit.

Ministri i Shëndetësisë në qeverinë e përkohshme siriane, Ferras Xhundi, njoftoi se është rritur në të paktën 100 numri i viktimave në sulmin me gaz klorin, ndërmarrë nga forcat e regjimit të Esadit në Han Shejhun të Idlib, qytet në veri të Sirisë.

Kurse Enes Barakat, një zyrtar i Ekipit për Mbrojtje Civile në Idlib, deklaroi në një prononcim për Agjencinë Anadolli (AA) se “në sulmin me armë kimike, ndërmarrë nga regjimi i Esadit në zonën Han Shejhun, kanë humbur jetën së paku 100 civilë, mes tyre edhe shumë fëmijë, ndërsa nga gazi janë prekur rreth 500 persona”.

Po ashtu 4 civilë, 2 prej të cilëve fëmijë, mbetën të vrarë dhe 10 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror në Gutën Lindore, shumë pranë kryeqytetin Damask.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit