Shtëpia botuese “Shkupi” bënë reagim PUBLIKE, ndaj Programit të kulturës – veprimtaria botuese për vitin 2016, nga ana e Ministrisë së kulturës
Agjencia e Lajmeve Zhurnal, më poshtë ua sjell reagimin e plotë:
“Shtëpia botuese “Shkupi” aplikoi me 20 tituj, u përkrah me 4 tituj. Me këtë rast, “Shkupi”, u dëmtua jo vetëm në kuptimin e sasisë, por edhe në atë cilësisë letrare.
E para, është e pakrahasueshme, që “Shkupi” me përvojën 22 vjeçare dhe program botues të arriturave letrare botërore, të krahasohet me një shtëpi botuese që nuk i ka 22 orë punë dhe aplikon me program të krijuesve fillestarë.
E dyta, nga aspekti cilësor i vlerave letrare, kemi bindjen e fortë, që vetë emrat e autorëve të letërsisë botërore dhe shqiptare, e dëshmojnë atë që Komisioni për botime duhej ta përkrahë tërë Programin tonë. Prandaj, shpresojmë që Ministria do të shqyrtoj edhe një herë veprat që nuk i ka kaluar Komisioni, dhe do të sjell vendimin e merituar, që këto vepra, të mbështeten nga Ministria.
Nga autorët shqiptarë, në listën e veprave të papërkrahura i kemi autorët: Naxhi Ndoci, Fadil Curri, Shefki Ollomani, Vebi Rustemi dhe Zekerija Idrizi. Meqë, opinioni ynë i din vlerat e veprave të tyre, nuk do të ndalemi në to, por shkurtimisht do të njoftojmë opinionin për autorët e letërsisë botërore.
Nga autorët e huaj, për ne është e pakuptueshme, që në kohën kur qeveria dhe Ministria e kulturës, promovon përkrahjen e përkthimeve letrare, që janë të arritura letrare botërore, të refuzohet nobelisti norvegjez Knut Hamsuni (VIKTORIA). Pastaj, si është e mundshme që të mos jetë interes nacional Per Petersoni (REFUZOJ), që aktualisht është shkrimtari më i popullarizuar norvegjez në letërsinë e sotme botërore, apo Lars Svendseni (ÇKA ËSHTË FILOZOFIA), që njihet si eseisti unikat botëror, që bën krahasimin ndërmjet filozofisë, artit dhe letërsisë. Komisioni ka gabuar edhe në mosvlerësimin e autores kanadeze Zhaklina Sosier, e cila me veprën e aplikuar BINTE SHI NGA ZOGJTË në vitin 2011 mori shpërblimin letrar në Kvebek, e gjithashtu u nominua për libër më i mirë i vitit në Montreal. Ose, si ka mundësi që të refuzohet shkrimtarja izraelito-kandeze Edit Ravel, kur libri me përmbajtje të ngjarjes së vërtetë E ROBËRUAR, shënoi jehonë ndërkombëtare Nga letërsia kanadeze është edhe autorja Debora Kej Dejvis (TË GJITHA TË VERTËTAT PËR MUA). Shkrimtarja irlandeze Natash Mak a Berd (MALLI PËR ELENËN) për krijimtarinë e saj letrare për fëmijë mori dy shpërblime letrare irlandeze (White Ravens Collection dhe Reading 2010 Association of Ireland Award 2011). Për ne është e paqartë si mund të mos përkrahet dramaturgu dhe shkrimtari suedez Hening Mankel (VRASËSIT E PA FYTYRË), apo suedezi tjetër Johanes Khemiri (PËR GJITHÇKA QË MË KUJTOHET). Si mund të zhvlerësohen, vlerat letrare të udhëprshkruesit, dhe rok yllit anglez Xhim Peri. Artikujt e librit me të cilin kemi konkurruar PERENDIM:UDHËTIM NËPËR MALET E HUMBURA, janë botuar në shtypin e Anglisë, Amerikës dhe Uellsit, duke përfshi këtu edhe në gazetën më të njohur Gardian. Tuna Kiremitxhi (ÇËSHTJE DASHURIE) dhe Nura Bazdulji (TRËNDAFILI) janë autoret më të dashura të letërsisë tinejxhere në Bosnjë dhe Turqi.
Në fund, të shtojmë edhe këtë fakt: Shtëpia botuese “Shkupi” për të aplikuar me këto vepra letrare, është dashur të siguroj të drejtat autoriale nga Agjencitë autoriale, Shtëpitë botuese, apo nga vetë autorët, si dhe të paraqes nga 10 faqe përkthime. Nga dokumentacioni i dorëzuar, shihet qartë se këto gjëra kushtojnë disa mijë euro. Pra, për të aplikuar me këto vlera letrare botërore, është dashur të investojmë, prandaj jemi të bindur, që Ministria do të shqyrtoj vendimin e vet dhe do të vlerësoj pozitivisht programin tonë botues për vitin 2016”, bëhet e ditur në reagimin nga Shtëpia botuese “Shkupi”.