Me erërat e tij që mbërrijnë shpejtësinë 295 km në orë, uragani “Irma” ishte shkatërrues për Karaibet. Banesa të tëra janë kthyer në gërmadha e 11 persona kanë humbur jetën.
Shkalla e dëmeve deri tani është disi më e qartë, por bilanci i viktimave mbetet provizor e ka gjasa të rritet më tej. Nuk dihet ende me saktësi se çfarë impakti mund të ketë “Irma” në tokën kontinentale amerikane, pasi është thuajse e pamundur të parashikohet qartazi trajektorja e uraganit, megjithatë zyrtarët presin që bregdeti i Floridës, nga ana e oqeanit Atlantik, ose nga ana e Gjirit të Meksikës, të goditet nga stuhia e dhunshme brenda 72 orësh.
Ylli Paja, një shqiptar që jeton atje, ka treguar në një bisedë telefonike për “Ora News” se si është gjendja, ndërsa bën me dije se ndër të tjera, çmimi i biletave është 10-fishuar dhe se është shumë e vështirë të gjesh një biletë.
“Ne jemi një delegacion nga pjesëtarë të përbërë nga Kosova dhe Maqedonia. Ne ishim në një aktivitet në Bashkinë e Miamit dhe dëgjuam për situatën, duke u detyruar që të ndërpresim aktivitetin.
Qytetarët shkojnë në markete për të blerë ushqime. Ka radhë të gjata në stacionet e benzinës dhe të gjithë po largohen nga qyteti. Biletat e avionëve edhe pse janë dhjetëfishuar është e vështirë të gjesh.
Ne kemi marrë një taksi dhe sapo kemi dalë nga Miami dhe po vazhdojmë drejt Orlandos për të mbërritur në Nju York. Uragani ka shkaktuar gati dy ishuj në Karaibe”, – tha Ylli ndër të tjera.